Ministri Selimi: Dhuna në familje është evidente, gratë preken më së shumti

Aktuale

Ministri Selimi: Dhuna në familje është evidente, gratë preken më së shumti

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:56
Selim Selimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me zëvendësministrin njëherësh Koordinatorin Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi, dhe akterë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë të sistemit të drejtësisë, sot kanë diskutuar për Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Ky diskutim është bërë në një takim të realizuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Me këtë rast, ministri Selimi tha se pavarësisht të arriturave, dhuna në familje është evidente, me statistikat që tregojnë se janë gratë ato që preken më së shumti nga format e dhunës në familje, përfshirë dhunën psikologjike, ekonomike dhe atë fizike.

Ai tha se kjo tregon se duhet më shume pune dhe angazhim institucional, bashkëpunim më të gjithë sektorët që ta luftojmë këtë dukuri negative.

“Viktimave iu duhet mbështetja për t’i pasur burimet dhe ndihmën për t’u larguar nga marrëdhëniet e dhunshme. Kurse kryesit e krimit duhet ta dinë se sjellja e tyre ka pasoja. Me zbatimin e planit të veprimit, do të ndërmarrën hapa rrënjësorë për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat”, tha ministri Selimi.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi tha se Kosova gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen nga dhuna në familje është kujdesur që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ndërsa zëvendësministri Dushi tha se gjatë këtij viti ka pasur një ngritje të rasteve të dhunës në krahasim me vitin paraprak.

“Si rezultat i masave që qeveritë kanë ndërmarrë për të parandaluar COVID-19 e që është mbyllja totale dhe po ashtu edhe problemet ekonomike, ka pasur një ngritje rasteve të dhunës. Për fat të mirë jo si në shtetet e rajonit, por ka qenë një ngritje e lehtë por që institucionet e vendit kanë bërë gjithë çfarë është në dorën e tyre për të parandaluar ose trajtuar secilin rast të dhunës në familje komfor legjislacionit në fuqi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat