Lansohet platforma e hartës së zgjedhjeve në Kosovë

Aktuale

Lansohet platforma e hartës së zgjedhjeve në Kosovë

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 16:16
Ilustrim

Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) dhe Demokraci Plus (D+) kanë lansuar sot platformën e hartës së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo platformë online u tha se paraqet në mënyrë interaktive rezultatet zgjedhore, në të cilat përfshihen të dhëna mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, votat e partive dhe votat e pavlefshme. Përmes një diskutimi virtual u tha se e njëjta do t’iu shërbej edhe vet partive politike për të identifikuar mangësitë në zgjedhjet paraprake.

Drejtori i IRI, Paul McCarthy tha se përmes kësaj platforme synojnë edhe rritjen e emancipimit të partive politike për t’i kuptuar shqetësimet dhe përparësitë e qytetarëve.

McCarthy: Synon rritjen e emancipimit të partive

“Ne kemi punuar në mbi 100 shtete në çdo rajon të botës dhe aktualisht kryejmë programim përmes zyrave në terren në 85 shtete. Siç e dini shumica prej jush, ne aktualisht po hapim zyrën tonë në Kosovë nën një program kombëtar të financuar nga demokracia i udhëhequr nga Drejtoresha i Programit President Marta Onorato, që synon rritjen jo vetëm të emancipimit të partive për të kuptuar shqetësimet dhe përparësitë e qytetarëve përmes hulumtimit të opinionit publik, por edhe rritjen e aftësisë së partive për t'u përgjigjur me propozime të miratuara të politikave dhe platforma partiake. Ne kuadër te kësaj kam arritur te mbështes Demokracinë Plus ne shtrirjen platformës se saj për rezultatet e Zgjedhjeve”, tha ai.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” tregoi privilegjet e kësaj platforme.

Krasniqi: Platforma është një mundësi e mirë për vet partitë politike

“Një platformë e cila ka shumë të dhëna, e cila paraqet rezultatet e zgjedhjeve në mënyrë gjeografike për secilin vendvotim, lejet të qasshme për secilin përdorues. Kështu mund të ketë mundësi më shumë për krahasime të të dhënave, por edhe për t’iu lehtësuar punën të gjithë studiuesve që merren me analiza zgjedhore. Në mënyrë që t’i përdorin dhe eksportojnë këto të dhëna...KQZ nuk duhet të shoh si rivalitet këtë platformë, mirëpo duhet të shoh si faqe ose mundësi shtesë që secili prej nesh që merremi me zgjedhje të përfitojmë nga kjo. Besojmë që platforma është një mundësi e mirë për vet partitë politike, të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluar për të përmirësuar performancën në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

E kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se kjo platformë do t’iu hyjë në gjithë të interesuarve për analiza në marrjen e informacioneve për procesin zgjedhor.

Daka; Shpresojmë me këtë platformë t’iu ndihmojmë gjithë atyre që janë të interesuar

“Jemi munduar gjatë këtyre viteve që të nxjerrim sa më shumë të dhëna nga çdo proces zgjedhor. Kjo është bërë me qëllim që palët e interesuara të kenë qasje më të lehtë për nevojat e tyre. Gjithashtu pas çdo procesi zgjedhor jemi munduar të bëjmë publikime që përmbajnë logon e KQZ-së. Po thuajse se çdo proces zgjedhor kemi ofruar raporte në lidhje me pavlefshmërinë e votimeve dhe së fundi kemi publikuar edhe analizën e votave me asistencë. Jemi duke punuar dhe së shpejti do të kemi edhe publikime tjera që do t’iu shërbejnë edhe partive politike, shoqërisë civile, studiuesve, mediave dhe qytetarëve. Natyrisht edhe kjo platformë është në vazhdën e asaj që thash, shpresojmë që me këtë platformë të gjithë atyre që janë të interesuar do t’i lehtësohet mundësia e marrjes së informatave. Për këtë edhe një herë i përgëzojë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në përpilimin e kësaj platforme dhe natyrisht do të jemi të hapur që edhe në të ardhmen të japim të gjitha informatat që kërkohen nga ne”, tha ajo.

Në këtë diskutim virtual morën pjesë edhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile, ku mes tjerash thanë se përmes kësaj platforme do të përmirësohet edhe vet procesi zgjedhor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat