LVV s’i beson PDK-së: Nuk e kanë qëllim rrëzimin e Qeverisë Hoti, po negociojnë së bashku me LDK-në

Aktuale

LVV s’i beson PDK-së: Nuk e kanë qëllim rrëzimin e Qeverisë Hoti, po negociojnë së bashku me LDK-në

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 16:38
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, që përkundër që është në opozitë, sipas kësaj partive, ekzistojnë negociata mes LDK-së dhe PDK-së për të vazhduar “jetëgjatësia” e Qeverisë Hoti.

Duke komentuar ultimatumin e PDK-së për postin e Presidentit ose i japin votat për rrëzimin e Qeverisë Hoti, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se PDK dhe LDK, sipas tij, po u shmangen zgjedhjeve, pasi që siç ka deklaruar ai, të dyja u kanë frikën këtij procesi.

“Fakti që PDK nuk i jep nënshkrimet për një mocioni të gatshëm të nisur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për rrëzimin e qeverisë, e në anën tjetër kërcënon me zgjedhje është dëshmia më e mirë që në fakt ekziston një proces negociator në mes PDK-së dhe LDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje që ia zgjatë jetën kësaj qeverie dhe shmangë zgjedhjet e domosdoshme të cilave të dyjat ia kanë frikën.  PDK në fillim thoshte që vetëm le ta fillojë dikush mocionin e mosbesimit sepse ne jemi për rrëzimin e kësaj qeveri. Kanë kaluar 4 muaj prej fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve për mocion dhe ajo refuzon t’i japë nënshkrimet, derisa ndërkohë e ka përkrahur në disa raste qeverinë në Kuvend”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, i ka dhënë ultimatum Qeverisë Hoti, që brenda muajit Janar, të definohen kërkesat e tyre, për të zgjedhur presidentin e ri, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Një zyrtar brenda Qeverisë Hoti, i ka thënë se kërkesat e Partisë Demokratike, janë që brenda Janarit, të plotësohen kërkesat e tyre, e nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, PDK do t’ia japë votat Lëvizjes Vetëvendosje, për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Kërkesat e PDK-së, janë që presidenti i ri, t’u takojë atyre dhe pas zgjedhjes së tij, të diskutohet edhe mundësia për përfshirjen e PDK-së në Qeveri.

Siç merr vesh media nëse postin e presidentit e merr PDK, atëherë kusht i tyre, është që të merr numër të njëjte të ministrive, ashtu siç i posedon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, ky kusht i PDK-së për hyrje në Qeveri, është i vlefshëm vetëm nëse iu takon posti i presidentit.

“Ja kanë dhënë afat që brenda muajit Janar, të marrin përgjigje definitive. Ata po kërkojnë që t’u takojë posti i presidentit, e nëse e marrin këtë pozitë, të diskutojnë edhe për përfshirje në Qeveri. Por, përfshirja në qeveri e PDK-së, ndodhë vetëm nëse atyre iu takon posti i presidentit. Kusht i tyre është që të marrin përgjigje brenda muajit Janar. Nëse kjo gjë nuk ndodhë, ata do të mbështesin mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë”, i ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, këtij ultimatumi i është përgjigjur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në një bisedë, Haziri ka shtuar se LDK-ja, sipas tij, s’punon nën ultimatume dhe çështjet tjera, siç ka deklaruar ai, i kryejnë përmes dialogut.

“Besoj që dialogu i brendshëm duhet të ndërtohet mbi kulturën e mos-kushtëzimeve edhe largimet nga ultimatumet dhe nga qasja politike që në këtë rrethana e rëndojnë krizën dhe jo ta lehtësojnë. LDK-ja s’punon nën ultimatume as në kushte të askujt, ne punojmë vetëm me Kushtetutë dhe krizat me i zgjedh vetëm me dialog”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat