‘Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju’, fjalë të rënda mes deputetëve të LDK-së e PDK-së

Aktuale

‘Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju’, fjalë të rënda mes deputetëve të LDK-së e PDK-së

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 07:34
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 16:52) - ​Në mungesë kuorumi nuk hidhet në votim rezoluta për anulimin e licencave për hidrocentralet e Kelkos

Vetëvendosje përmes një rezolute po kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së për dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes Kelkos Energy për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Krahas kësaj, kjo parti opozitare kërkoi sot nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit tërheqjen e lejeve mjedisore dhe ujore për kompaninë “Kelkos”.

Iniciuesja e interpelancës ndaj ministrit Blerim Kuçi, Mimoza Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit paraqiti rezolutën, e cila për shkak të mungesës së kuorumit nuk u hodh në votim.

Kusari-Lila: Të anulohet vendimi i ZRRE-së për dhënien e licencave afatgjate Kelkos

“Propozoj rezolutën, anulimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së për dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”. Po ashtu, anulimin e vendimeve të MEA-së për dhënien e lejeve mjedisore dhe ujore për këtë kompani që kanë shërbyer si bazë justifikuese të ZRRE-së. Në ndërkohë është bërë një padi, Gjykata Themelore ka marrë një vendim që të ndalet punimet. Ne nuk do të ndalemi do të vazhdojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për cenim të drejtës elementare në ujë, në burim në komunën e Deçanit. Por gjithashtu edhe gjitha vendet ku ka degradim”, tha ajo.

Teuta Haxhiu i thotë Mimoza Kusari-Lilës: Je vrapuese e mirë, ta pranoj

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, në seancën e sotme plenare i ka thënë koleges së saj nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, se është vrapuese e mirë.

“Je vrapuese e mirë, ta pranoi. Me 10 prill 2020 Prokuroria Speciale a ka ngrit aktakuzë ndaj jush apo jo?”, apo jo e pyeti Haxhiu, deputeten Kusari-Lila. Por kjo e fundit nuk ju kundërpërgjigj.

Ky debat u ngjallë pasi, Kusari-Lila tha se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka pajisur me leje ujore kompaninë “Kelkos Energy” në kundërshtim me Ligjin për Ujërat.

Ministri Blerim Kuçi, tha se po punojnë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të krijuar Ankandin për Energji të Ripërtritshme dhe mos të vazhdohet me tarifa nxitëse për energji të ripërtritshme.

“Burimet ujore janë shfrytëzuar dhe tash kur jemi duke punuar intensivisht me BERZH-in për Ankandin për Energji të Ripërtritshme, burimet ujore nuk përfshihen”, ka thënë Kuçi.

​​Gaxherri: Licencimi për dy hidrocentralet, i papranueshëm dhe me pasoja për mjedisin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri e ka quajtur të papranueshme dhe me pasoja të pariparueshme për mjedisin, dhënien e licencave për kompaninë “Kelkos Energy”.

Ajo në interpelancën e sotme të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi për lëshimin e licencave për hidrocentralet, tha se investimi në grykën e Deçanit nga “Kelkos” është modeli më i keq i mundshëm që shpërfaqë parregullsi të shumta.

Gaxherri: Lëshimi i lejeve dhe licencimi për hidrocentralet është i papranueshëm

“Procesi i investimit në grykën e Deçanit nga kompania “Kelkos” është modeli më i keq i mundshëm, i cili shpërfaq shumë parregullsi, dyshime dhe pasoja të pariparueshme në atë hapësirë... Zotëri ministër, lëshimi i lejes mjedisore dhe licencimi nga ZRRE është i papranueshëm, me gjendjen mjedisore që është shkaktuar nga ajo hapësirë. Ne kërkojmë nga institucionet tona të respektojnë ligjet”, tha ajo.

Krahas kësaj, deputetja e LDK-së kërkoi nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm të auditojë të gjitha licencat që janë dhënë për hidrocentralet.

Gaxherri adresoi edhe kritika për thirrjen e kësaj interpelance, derisa Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar punët për këto dy hidrocentrale.

Kusari-Lila: MEA ka pajisur me leje ujore “Kelkos” në kundërshtim me ligjin

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi se ka pajisur me leje ujore kompaninë “Kelkos Energy” në kundërshtim me Ligjin për Ujërat.

Në interpelancën që vet e ka iniciuar, deputetja opozitare tha se me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja po cenohet e drejta njerëzore për ujë të pijes.

Kusari-Lila: Ministria e drejtuar nga Kuçi ka pajisur “Kelkos”-in me leje ujore në kundërshti të qartë me Ligjin për Ujërat

“Ministria e drejtuar nga zotëri Kuçi ka pajisur ‘Kelkos’-in me leje ujore në kundërshti të qartë me Ligjin për ujërat. Së pari ‘Kelkos’ nuk ka ndërtuar digën ujëmbledhëse që siguron ujin për nevojat të tjera sipas prioriteteve paracaktuara me nenin 28 të ligjit dhe projektit fillestar. Së dyti Kelkos nuk ka përmbushur kushtet për lejet ujore të mëhershme ndërsa lejet e nëntorit 2020 konstatojnë pa përmendur asnjë provë se kushtet janë përmbushur. Së treti Kelkos është entitet privat që nuk i është nënshtruar një procedure konkurruese për të fituar të drejtën ujore siç kërkohet me nenet 70 të ligjit. Kur ‘Kelkos’ cenon të drejtën për ujë të pijes, “Kelkos” cenon të drejtën njerëzore, e bashkë me atë edhe autoritetet që e lejojnë atë”, tha ajo.

Kusari-Lila bëri të ditur se gjatë kësaj interpelance po do të propozojnë një projekt-rezolutë, për të cilën kërkojë harmonizim nga gjitha grupet parlamentare.

***

‘Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju’, fjalë të rënda mes deputetëve të LDK-së e PDK-së

Deputetja Marigona Geci ka insistuar të flasë për vrasjet në Kosovë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ajo sot tha se vetëm në Kosovë vrasësi dhe viktima mund të jenë heronj njëkohësisht.

Geci tha se i ka pritur ofendimet ndaj saj, ndërsa e përmendi edhe familjen Jashari.

“”Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit, e nuk po e shani e Gani Gecit. Vetëm në këtë vend, urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero. Vetëm në këtë vend hero është Shaban Polluzha dhe vrasësi i tij, Fadil Hoxha. Vetëm në këtë vend është hero Haki Imeri dhe urdhërdhënësi për vrasjen e tij. Urdhërdhënësit dhe viktimat janë heronj”, tha Geci. “Prandaj, unë nuk ia vlen me u marrë me juve. Çoni prej varri ata të cilët u vranë që ne të mos merremi me ata që na vranë”, tha ajo.

Gecit i replikoi deputeti i PDK-së, Fadil Nura, i cili i quajti shpifje dhe trillime pretendimet e deputetes së LDK-së.

“Ka ardhë dita që t’i demaskojmë shpifjet dhe trillimet me fakte dhe me fuqinë e së vërtetës, ashtu siç e kemi demasku kolegun tuaj bashkëpartiak i cili sot sorollatet në vendet e dyta dhe të treta. E di besoj për kë e kam fjalën”, tha Nura.

***

Marigona Geci në Kuvend: Çoni prej varri ata që u vranë që ne mos të merremi me ata që na vranë

Edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci ka folur për vrasjet, që sipas saj vetëm në Kosovë quhet hero ai që jep urdhër për vrasje. Deklarata e saj erdhi pas fjalimit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura.

Nura ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi ka dëshmuar se kanë qenë shpifje ato që janë thënë se ai do të bëjë kompromis me Kosovën dhe ish-bashkëluftëtarët, për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.

Nura: Hashim Thaçi ka demaskuar teorinë shpifëse të demagogëve politikë

“Edhe sot procesi i së drejtës në Dhomat e Specializuara në Hagë janë derivat i përmbajtjes ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçse niveli i trillimeve është më i sofistikuar, megjithatë, me gjithë këtë fatkeqësi ka diçka që e vlerësoj pozitive dhe më bën të ndjehem krenar, e para, se presidenti Hashim Thaçi ua demaskoi teorinë shpifëse të demagogëve politik se ai do të bëjë kompromis me Kosovën dhe shokët e tij për të shpëtuar gjëja vetën, e ai nuk bëri kompromis as me Kosovën as me shokët e tij, bëri kompromis me veten, me drejtësinë dhe shkoi të mbrojë të drejtën dhe të vërteten e Kosovës...Eventi i organizuar i shpifjes u bartë në mënyrë zinxhirore dhe nga bartës të institucioneve të cilët morën pushtetin nën marshutën e diskursit shpifës të udhëhequr nga i ashtuquajturi koalicion i shpresës”, tha ai.

Pas tij ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Marigona Geci.

Geci: Vetëm në Kosovë urdhërdhënësi i vrasjeve është hero

“Merrni me mend se deri ku ka arritur soji i juaj i politikës. Ju po e shani familjen Jashari që nuk po mendon njëjtë si ju, po e shani djalin e Hamëz Jasharit e nuk po e shani vajzën e Gani Gecit. Vetëm në këtë vend, urdhërdhënësi i vrasjeve është hero dhe viktima është hero, vetëm në këtë vend hero është Shaban Polluzha dhe vrasësi i tij Fadil Hoxha, vetëm në këtë vend hero është Haki Imeri dhe urdhërdhënësi për vrasjen. Andaj unë nuk ja vlen me u marrë me juve, çoni prej varri ata, të cilët u vranë që ne mos të merremi me ata që na vranë”, tha ajo.

Ndërsa Nura ka thënë se ka ardhur koha që të demaskohen shpifjet me fakte.

Nura: Ka ardhur koha t’i demaskojmë shpifjet

“Ka ardhur dita t’i demaskojmë shpifjet dhe trillimet me fakte dhe argumente dhe fuqinë e së vërtetës, ashtu siç e kemi demaskuar kolegun e juaj bashkëpartiak, i cili sot sorollatet në vendet e dyta dhe të treta, besoj e di për kënd e kam fjalën”, tha Nura.

***

Osmani: I kemi ulur shpenzimet në dreka e mëditje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë gjatë kohës sa ajo është në krye të këtij institucioni, janë ulur shpenzimet si asnjëherë më parë. Ajo ka thënë se ka pasur zero shpenzime në mëditje zyrtare e farë pak shpenzime në dreka e darka.

Osmani ka thënë se kryesia e Kuvendit ka miratuar vetëm një vendim lidhur me procedura tenderuese, që është lifti për personat me aftësi të kufizuara.

Osmani: Në mandatin tim si kryetare e Kuvendit ka shumëfish më pak shpenzime në dreka e mëditje

“Ekziston vetëm një vendim që nga shkurti e deri tani që ne e kemi miratuar në kryesinë e Kuvendnit të Kosovës, dhe kemi kërkuar që të fillojnë procedurat tenderuese, vetëm një, dhe ajo është lifti për nevojat me nevoja të veçanta. Asnjë kërkesë tjetër, asnjë tender, asnjë shpenzim tjetër ne si kryesi e Kuvendit nuk e kemi kërkuar dhe as miratuar, dhe nëse i shikojmë edhe vet raportet e shpenzimeve për këtë mandate, ju do të shihni që ka minimum 10-15 fish më pak shpenzim tek veturat, askush nga kabineti im nuk shfrytëzon veturë, do të shihni që ka shumë më shumëfish më pak shpenzime në dreka e darka e mëditje zyrtare, madje zero të mëditjet”, tha Osmani.

Kjo deklaratë e Osmanit erdhi pasi deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Teuta Haxhiu, ngriti shqetësim për punimet që po bëhen në ndërtesën e Kuvendit, pjesë kjo në të cilën ishte investuar dy vjet më parë, të cilën e quajti ‘investime koti në Kuvend’.

Haxhiu: Në Kuvend po bëhen investime koti

“Një temë tjetër që duhet tan gris këtu janë investimet koti. Për mua është investime koti ai që po ndodh në Kuvendin e Kosovës përkatësisht në aneksin. Para dy vitesh, aneksi është ndërtuar dhe unë nuk e di nuk e kam të qartë pse pas dy vitesh u dashtë të bëhen rinovime të cilat unë nuk po i shoh me përjashtim të disa dritareve që janë ndërruar. Pyetja ime është a është ndëshkuar kompania që ka kryer punimet para dy vitesh, kush jep llogari këtu, pse këto shpenzime koti dhe një problem në vete është shqetësimi që marrë nga punëtorët që keqtrajtohen, punëtorët që po i kryen punimet”, tha Haxhiu.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se kanë kërkuar në kryesi raport lidhur me shpenzimet që janë kontraktuar në mandatin e kaluar.

Gjithashtu, tha se do të kërkojnë nga kompania që po kryen punimet që t’i trajtojë dinjitetshëm punëtorët.

***

A u respektuan apo jo procedurat? Haradinaj e Pacolli përplasen për rastin e djalit të Haxhi Shalës

Një përplasje mes ministres së MPJD-së, Meliza Haradinaj-Stublla dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje ka ndodhur për çështjen e emërimit të Flakron Shalës konsull, vendim ky që u pezullua nga ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.

Pacolli e ka pyetur ministren se çfarë procedura kanë ndjekur për emërimin e djalit të Haxhi Shalës konsull.

Haradinaj -Stublla ka thënë se secili emërim i konsujve edhe këtë vit është propozuar në përputhje me ligjin.

“Secili emërim i konsujve edhe këtë vit është propozuar në përputhje me ligjin, ligjin në fuq për shërbime diplomatike 2010 përcakton qartë procedura e emërimit dhe është e drejt ligjore e ministrit të MPJ-së të bëjë propozim tek presidenti.  Të gjitha këto vende janë konsuj politik deputete e nderuar. Në të gjitha vendimet e mija janë në përputhje me ligjin. Që ligji për shërbimin e jashtëm do të zvogëlojë kutone emërimeve politike, ky ligj do të ofroj një shërbim të jashtëm diplomat”, ka thënë Haradinaj.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Pacollit e cila tha se i din procedurat ligjore, por kërkoi nga ministrja që t’i shpjegoj procedurat për rastin në fjalë.

Ajo madje i tha Haradinajt që të shkoj të raportoj në Komisionin për Punë të Jashtme dhe mos të ik kur janë mediat aty.

“Me pas guximin me  u paraqit në Komision edhe kur ka media, jo me u fsheh, ne e kemi shembullin kur i keni ik përgjegjësisë, ju pyeta për proceduar që keni ndjekur ju për të emëruar Flakron Shalen konsull, ju nuk keni respektuar asnjë procedurë. Eja në Komision përgjigju për pyetjet që i kemi për ty, mos u fsheh”, tha Pacolli.

Ndërsa Haradinaj i tha që këto procedura janë që 12 vjet dhe nuk ka asnjë pikë dhe asnjë presje për të shtuar.

“Sa i përket procedurës për 12 vjet është ligji i njëjte, pse se keni miratua ligjin e ri është problem i juaj. Jua shpjegova dhe nuk kamë asnjë pikë, asnjë presje për të shtuar. Nuk i kam ikur asnjëherë përgjegjësisë”, tha Haradinaj. 

​***

Deputeti i PDK-së: Kuvendi të shpërbehet sa më parë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se partitë politike duhet sa më parë të mirren vesh për një datë për shpërbërjen e Kuvendit e Kosovës. Sipas tij, kuvendi tashmë është jo funksional dhe koalicioni nuk i ka asnjëherë më shumë se 35 deputetë në sallë.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka thënë se koalicioni, dikur i quajtur ‘koalicion i shpresës’, e ka degraduar vendin.

Tahiri: Sa më parë të dakordohemi për një datë që Kuvendi të shpërbehet

“Ky është rezultati i 6 tetorit i koalicionit të shpresës, pra sot, deri dje kishim Qeverinë Kurti e cila me vetëdije dezertoi nga përgjegjësia e lartë shtetërore dhje e la vendin në një krizë jashtëzakonisht të madhe, ndërsa sot po pretendojnë se po qeverisin një koalicion i cili asnjëherë më shumë se 35 deputetë nuk i ka në këtë sallë. Është e pamoralshme të vazhdohet me këtë gjendje, sepse këtë vetme qeverisje më nuk mund ta quajmë, andaj është koha që mos të humbin as edhe një ditë të vetme, edhe ju që po e mbani peng pushtetin, edhe ne si opozitë që nuk i kemi votat për ta rrëzuar këtë qeveri , të ulemi dhe të dakordohemi për një datë që ky Kuvend të shpërbehet. Pra ky Kuvend është jofunksional”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se viti 2020 është viti kur shoqëria kosovare ka përjetuar degradimin më të madh në ekonomi, shëndetësi e arsim.

***

​ Aliu: Katastrofë shëndetësore, spitalet janë pa oksigjen

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, situata në shëndetësi e krijuar si pasojë e pandemisë me Covid-19, ka përplasur në debat Librun e Aliun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Arben Gashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Librun Aliu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me gjendjen aktuale në vend si shkak i pandemisë me Covid-19.

Aliu ka deklaruar se vendi ndodhet në një katastrofë shëndetësore.

Aliu: Si mund të duket ndryshe katastrofa përveç me mungesë të oksigjenit në spitale

“Nuk e di a mund të ketë dikush idenë se si mund të duket ndryshe katastrofa shëndetësore përpos se kur spitalet e vendit në mes të pandemisë nuk kanë oksigjen medicinal për pacientët, a është ky kulmi, a është kjo ajo që thuhet se nuk ka ku shkon më keq, a është kjo që nuk e kemi parë akoma e që na paralajmëroi asokohe Hoti, para një muaji e gjysmë kur pati deklaruar se ‘nuk keni parë gjë akoma’. A jemi duke e parë tani atë gjënë apo do të ketë ende diçka përtej imagjinatës sonë”, tha ai.

Ai tha se qeverisja e Avdullah Hotit është pa legjitimitet.

Aliu: Qeveria Hoti ka gënjyer me rimëkëmbjen ekonomike

“Gënjyen me gjëja rimëkëmbjen ku po ua marrin kursimet nga puna për [pensione si kamuflim për ndihmë ekonomike duke e kthyer në pretekst për të ia hequr tantiemën e taksat tajkunëve që kanë ngulfatur oksigjenin e shoqërisë, shtetit dhe vendit. Kjo qeverisje në mungesë i bëri gjashtë muaj duke folur më shumë për karrigen e presidentit sesa për jetët që po shuhen çdo ditë dhe për frymëmarrjen e munguar spitaleve tona. Pa votë në Kuvend, pa politikë, pa legjitimitet, pa moral dhe pa njerzillëk por të gjithë pak kundër, siç thonë, rrëshqitjes në zgjedhje, sepse për ta demokracia është rrëshqitje, shkarje”, shtoi Aliu.

Ndërsa, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i ka reaguar Aliut duke i thënë se demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor dhe jo pretendimet e demokracisë ‘fejsbukjane’.

Gashi: Demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor

“Zotëri, ne kemi një rezultat zgjedhor i cili është i certifikuar dhe autorizuar dhe demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor dhe jo mbi pretendimet e demokracisë fejsbukjane, të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit, me qëllime edhe kriminale. Demokracia është sport -pak më i rëndë sesa popullzimi i juaj i shfaqur, i shpërfaqur dhe shpërfytyruar në Kuvend, në rrugë dhe secilin autoritet, aty ku ju pak keni mundur të keni pushtet dhe përgjegjësi”.

Gashi ka thënë se Vetëvendosje ka abuzuar në secilin rast që ka pasur përgjegjësi.

Gashi: Vetëvendosje ka abuzuar me ulësen e kryetarit të Kuvendit

“Aty ku ju patët përgjegjësi, abuzuat, abuzuar me ulësen e kryetares së Kuvendit duke quar Kuvendin drejtë konfliktit, abuzuat me mikrofonin e Kuvendit duke pretenduar përfaqësimin autentik të popullit 25%, por ku është 75% tjetër, apo ai nuk qenka popull, popull qenkeni vetëm ju, këta 90 deputetë të tjerë nuk qenkan deputetë, deputetë qenkeni vetëm ju 29, çka është kjo pafytyrësi i përfaqësimit, çka është kjo pafytyrësi e delegimit, cka është kjo pafytyrësi e moralit të gënjeshtrës që mendoni ta paraqisni në Kuvendin e Republikës”, tha ai.

Kuvendi po mban sot punimet e seancës së re ku në rend dite janë 17 pika.

***

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare.

Me të filluar seanca do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe më pas pyetje parlamentare.

Ndërsa pika e tretë e rendit të ditës është interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, kjo me kërkesë të deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë tjerë. Interpelanca e Kuçit ka të bëjë me dhënien e licencave afatgjate për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” Sh.P.K PËR hidrocentralin “Deçani” dhe “Belaja”.

Veç kësaj në seancën e sotme është paraparë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-015 për letërnjoftim.

Më poshtë sjellim të plotë rendin e ditës për seancën e sotme që pritet të filloj në ora 10:00.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë (9) deputetë tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-015 për letërnjoftim,

5. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj,

6. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë,

7. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë,

8. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan,

9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019,

10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019,

13. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019,

14. Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë,

15. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

16. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

17. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat