Pas takimit, Hyseni jep detaje se çfarë u diskutua: Ja çfarë mungoi nga Serbia

Aktuale

Pas takimit, Hyseni jep detaje se çfarë u diskutua: Ja çfarë mungoi nga Serbia

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 07:41
Hyseni, Lajçak dhe Gjuriq

(E plotësuar 16:42) - Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit me përfaqësuesin serb, Petar Petkoviq, tha se nuk kanë arritur të bëjnë përparim drejt dakordimit.

Hyseni tha se janë përpjekur seriozisht për t’i trajtuar temat në dialog, por që sipas tij, kjo përpjekje mungoi nga pala serbe.

“Sot përkundër përpjekjeve shumë serioze të delegacionit të Kosovës për të vazhduar trajtimin e temave të kadastrit e pensioneve në kuadrin e temës së pretendimeve financiare dhe të pronës, nuk është arritur ndonjë përparim. Ende qëndrimet janë larg njëra-tjetrës, nuk ka përafrim. Edhe sot kemi mbetur në pozicionet e njëjta që kishim më 29 nëntor, palët dhe ndërmjetësuesi janë dakorduar që rreth këtyre elementeve specifikë të vazhdojnë bisedimet pas Vitit të Ri”, tha Hyseni.

Ai e demantoi Petkoviqin se në këtë takim është biseduar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Hyseni foli gjithashtu [ër marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, teksa tha se beson që edhe administrata Biden do t’i qëndrojë pas kësaj marrëveshjeje.

“Unë nuk pres ndonjë ndryshim rrënjësor, sepse Kosova është e bekuar që ka pasur përkrahjen pa ekuivoke të partive në SHBA, qoftë të demokratëve qoftë të republikanëve. Unë isha më herët në SHBA dhe Kosova është siguruar që do të ketë përkrahjen e SHBA-së. Nuk shoh mundësi që administrata e re të heqë dorë nga Marrëveshja e 4 shtatorit. Këtë e ka konfirmuar ditë më parë edhe kryeministri Hoti”, tha Hyseni.

Në takimin e sotëm në nivel ekspertësh, temë e diskutimeve ishin kadastri dhe pretendimet financiare.

***

Në Bruksel ka përfunduar takimi në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku në rend dite kanë qenë çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore që palët kanë ndaj njëra-tjetrës.

Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka  zhvilluar sot, më 10 dhjetor, në Bruksel takimin e radhës me delegacionin serb.

Temë e diskutimit ishin pensionet dhe kadastri. Ky diskutim ishte vazhdimësi e trajtimit të këtyre çështjeve në takimin e kaluar më 29 tetor 2020.

Edhe pas një diskutimi të gjatë, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Sidoqoftë, kishte pajtim që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme midis dy vendeve të vazhdojë në takimin e radhës.

***

12:53 Hoti tregon nëse dialogu do të bëhet “mollë sherri” për partnerët e koalicionit

Shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se koalicioni qeverisës ndodhet në një situatë specifike, ku duhet të vendoset për presidentin apo zgjedhjet e reja. Sipas tij, në ditët në vijim do të punohet për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin. Ai tregon edhe nëse çështja e dialogut do të bëhet “mollë sherri”, në acarimin e marrëdhënieve me partnerët e koalicionit.

Sa i përket dialogut, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se është e mendimit që të pezullohet një proces i tillë.

Megjithatë, sot në Bruksel do të rifillojë ky proces mes Kosovës e Serbisë, në nivel ekspertësh. Pak para nisjes së këtij takimi, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka njoftuar se sot do të diskutohet për çështjet financiare dhe pronat.

Për këtë kryeministri Hoti, pas takimit të grupit ndërministror për të drejtat e njeriut, ka thënë se vazhdimi i dialogut është në interesin më të mirë për shtetin.

Hoti: Ne në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt

“Unë vlerësoj dhe jam i bindur që vazhdimi i procesit të dialogut është në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës. Ne në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt, por shkojmë për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës. Në bazë të një dakordimi që kemi me partnerët tanë me BE-në që të punohet në draftimin e marrëveshjes finale për njohjen reciproke”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai është pyetur edhe nëse procesi i dialogut mund të bëhet “mollë sherri”, dhe acarim të mëtejmë të raporteve me partnerët e koalicionit.

Hoti: Nuk mund të bëhet mollë sherri asnjëherë, ne kemi program qeverisës

“Nuk besoj që duhet të jetë problematike kjo çështje, sepse po zhvillohet mbi parimet të qarta. Nuk mund të bëhet mollë sherri asnjëherë, sepse ne kemi një program qeverisës, dhe unë po vazhdojmë të punojmë në bazë të atij programi. Tash jemi në një situatë specifike, ku duhet të japim drejtim çështjeve të zgjedhjes së presidentit, apo shkuarjes në zgjedhje. Unë besoj që në ditët e ardhshme do të arrijmë të koordinojmë këto aktivitete i gjithë spektri politik për të gjetur zgjidhje më të mirë për vendin”, tha Hoti.

Hoti ka folur edhe për çështjen e të pagjeturve, dhe kërkesën e familjarëve që në bisedime me Serbinë të jenë edhe dy nëna kosovare.

Hoti: Qysh në korrik takimet e para unë i kam pasur me shoqatat e familjarëve

“Përpara se të shkojmë në procesin e dialogut në korrik, takimet e para i kam pasur me shoqatat e këtyre familjarëve dhe jemi dakorduar për qasjen që do të kemi atje. Është tema e parë e shtruar në procesin e dialogut. Adresimi i kësaj çështje është e kushtëzuar në marrëveshjen përfundimtare, dhe unë jam i kënaqur me progresin që kemi arritur në draftin, pjesën e kapitullit e marrëveshjes përfundimtare që adreson çështjen e të pagjeturve”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit u zotua se po punon shumë në këtë drejtim, por që një çështje të tillë nuk e shfrytëzon për deklarime politike. 

***

Sot në Bruksel do të mbahet raundi i ri i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Për këtë ka shkruar edhe i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Lajçak në Twitter ka shkruar se për përgatitjet që po bëhen për takimin e sotëm. Ai ka theksuar se nga ky takim pritet vazhdimi i diskutimeve mbi pretendimet financiare dhe pronën.

“Duke u përgaditur për takimin e sotëm të Dialogut Beograd-Prishtinë me dy kryenegociatorët. Presim të vazhdojmë diskutimet tona mbi pretendimet financiare dhe pronën”, shkruan Lajçak.

***

Pas më shumë se një muaj, sot në Bruksel mbahet raundi i ri i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni në kryeqendrën evropiane do të vazhdojë negociatat të mbetura në gjysmë nga takimi i 29 tetorit.

Bisedimet fillojnë në orën 10:00, me takime të ndara të delegacioneve me përfaqësuesin special të BE-së për dialog Miroslav Lajçak, pasuar nga një takim trepalësh midis Prishtinës, Beogradit dhe ndërmjetësuesve të BE.

Ky është takimi i shtatë i delegacioneve në rang ekspertësh të Beogradit dhe Prishtinës që nga vazhdimi i dialogut në korrik të këtij viti.

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm thotë se çështjet e pretendimeve të ndërsjella financiare dhe pronës janë në rendin e ditës.

Nga zyra e kryeministrit Hoti u shprehën se bashkë me Hysenin do të marrin rrugë në Bruksel dhe ekspertë e ekonomisë.

Takimi i radhës në Bruksel(10.12.2020) do të zhvillohet në nivel të ekspertëve, ekipi do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni. Do të vazhdoj diskutimi nga takimi i fundit për zgjidhjen e pretendimeve financiare”, ka thënë në një përgjigje ditë më parë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku.

E këtë takim e konfirmuan për KosovaPress edhe nga zyra e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, por pa e zbërthyer agjendën e takimit.

Për dallim nga takimet e nivelit të ekspertëve, liderët e shteteve, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk janë takuar që nga fillimi i shtatorit.

***

Sot pritet të zhvillohet një takim ndërmjet shefave të delegacioneve, të Kosovës dhe atij të Serbisë në dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar në Bruksel Peter Stano, zëdhënës në BE për politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Mund të konfirmoj se ekziston ideja qëtë zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, duke mos dashur që të japë detaje tjera rreth atij takimit dhe temave që eventualisht do të mund të diskutoheshin në të.

Stano këtë refuzim për të dhënë detaje e ka arsyetuar me fjalët se “nuk është praktikë që shumë ditë para takimit ta bëjë publike agjendën”.

Kanë kaluar gati tre muaj prej kur nuk ka pasur takime në nivelin e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, në nivel të shefave të delegacioneve për dialog takimi i fundit ishte zhvilluar më 29 tetor në Bruksel kur palët kishin diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore mes tyre.

Në BE vazhdojnë të pohojnë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Sipas vetë të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Edhe pse Lajçaku dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, kanë pohuar se dialogu po shkon mirë, diplomatët në BE pranojnë se ai është ngadalësuar dukshëm dhe për këtë, shkakun kryesor e shohin te situata e brendshme politike në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat