Osmani: Votimi për transformimin e FSK-së në ushtri, do të mbetet i shënuar në historinë e re të Kosovës

Aktuale

Osmani: Votimi për transformimin e FSK-së në ushtri, do të mbetet i shënuar në historinë e re të Kosovës

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 19:14
Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka kujtuar momentin kur deputetët votuan pro ndryshimeve ligjore për transformimin e FSK-së në ushtri.

Dy vite më parë, 106 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro ndryshimeve ligjore që i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të shtetit dhe me ç’rast u themelua edhe Ministria e Mbrojtjes.

E këtë ditë e ka kujtuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka shkruar, se 14 dhjetori i vitit 2018 por edhe votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, do të mbeten në historinë e re të vendit tonë.

Osmani vendimin e deputetëve e ka quajtur një ndër momentet më kulminante, duke theksuar se transformimi i FSK-së në ushtri, ka qenë përpjekje e përbashkët për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Postimi i plotë 

Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.

Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët. Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të suksesshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat