Haxhiu me akuza ndaj Osmanit, replikon me Nagavcin

Aktuale

Haxhiu me akuza ndaj Osmanit, replikon me Nagavcin

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 16:01
Kuvendi i Kosovës

Gjatë seancës për votimin e Ligjit për Buxhet 2021 ka pasur replika dhe kundër replika në mes të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci. Haxhiu, fjalimin e tij, e nisi me akuza karshi Qeverisë Kurti duke thënë se dy qeveritë e fundit kanë qenë qeveri e mashtrimit dhe hajnisë. 

Ai duke folur për Ligjin për Buxhetin e vitit 2021 tha se ky buxhet nuk i përmbush nevojat e qytetarëve.

Deputeti i PDK-së madje tha se Qeveria Kurti dhe Hoti e kanë filluar punën me mashtrim dhe përfunduam me mashtrim.

Haxhiu: Deri në thasë të kufomave është vjedhur në Qeverinë Kurti

“Duhet me pa se çka kemi paguar 12 euro dhe nga 8 euro e gjysmë, shikojeni është një veshje mbrojtëse që është paguar gjatë qeverisë. Shikojeni është veshje mbrojtëse, është veshja mbrojtëse 12 euro e 20 cent e ka kontraktuar nga qeveria. Kjo është maska K95 është dashur të ketë filtër të nderuar kolegë. Por Arben Vitia ka nënshkruar kontratë pa e caktuar prodhuesin dhe filteri iu është vjedhur. Ky është modeli dhe veshjet mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë. Këto janë arsyeja që ne sot i kemi mbi 1800 punëtorë shëndetësorë të infektuar me mbi 30 punëtorë shëndetësorë të vdekur sepse nuk ka pasur mbrojtje për ta. [...] Deri në thasë të kufomave është vjedhur në Qeverinë Kurti, e kjo pas tij shkoi edhe deri në thesar me vjedh. Ky është modeli i qeverisjes së këtyre partive të hajnisë dhe mashtrimit”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu vazhdoi me kritika edhe ndaj kryeparlamentares dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila nuk ishte në seancë në atë moment. Ai tha sa ajo mban dy pozita dhe po ashtu ka ndarë rrogë të 13-të për vete.

Haxhiu: Ku është sherifja me dy pozita dhe rrogën e 13-të

“Ku është me dy pozita me rrogën e 13 për vete, po për qytetarin pse nuk parashohin pagë të 13. Kjo sherifja e re pse nuk parasheh rrogën e 13 për mjekët, pse nuk parasheh edhe një pagë të 13 për policinë, ushtrinë, inspektoratin, punëtorët shëndetësorë”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci i kërkoi saktësi deputetit Haxhiu.

Nagavci: Kish qenë mirë mos me fol pasaktësi në këtë foltore.

“Kish qenë mirë mos me fol pasaktësi në këtë foltore. Nuk keni qenë i saktë kështu që iu kisha lutur të jeni të saktë secili prej deputetëve”, tha ajo.

E menjëherë pas kësaj deklarate të shkurtër të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, reagoi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili kërkoi nga Prokuroria e Kosovës të kryejë arrestime për keqpërdorimet e kryera sipas tij nga Qeveria Kurti.

Haxhiu: Prokuroria do duhej të kishte kryer arrestime për këto keqpërdorime

“E nderuar këtu e lash llaptopin se kur të duhen argumentet krejt këtu i kam dhe t’i jap sepse e di që ti nuk mundesh të durosh kur të kritikohet partia jote për hajni e ti mos me fol. Por është dashur me fol kur është vjedhur, por ti dhe unë mundemi vetëm me bë diskutime dhe nuk të bëjnë këto brenga. Unë e ftoj Prokurorinë e Kosovës vërtetë që në çdo deklarim timin të argumentoj dhe do duhej vërtetë të kishte arrestime për këto keqpërdorime”, tha Haxhiu.

E Nagavci deklaratat e Haxhiut tha se nuk i merr seriozisht.

Nagavci: Deklaratat politike nuk i marr seriozisht

“Ato deklarata politike adresuar Lëvizjes, as që e kisha fjalën se nuk iu marr seriozisht, por për pagën e 13 që iu referuat kryetares që nuk është këtu”, tha ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat