Haxhiu e AAK-së pas sondazheve: Pragun e kemi të palëvizshëm, do të shënojmë rritje në këto zgjedhje

Aktuale

Haxhiu e AAK-së pas sondazheve: Pragun e kemi të palëvizshëm, do të shënojmë rritje në këto zgjedhje

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 17:36
Haradinaj dhe Haxhiu

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka konfirmuar se kjo parti nuk do bëjë koalicion parazgjedhore me asnjë nga subjektet politike, duke shtuar se do të garojnë të vetëm në zgjedhjet që do të mbahen në fillim të vitit.

Në një prononcim, Haxhiu ka komentuar edhe sondazhet e fundit, e që të cilat thonë se partia e Ramush Haradinaj s’e kalon pragun zgjedhor. Ka shtuar se në këto zgjedhje, AAK, sipas saj, do ketë rritje.

“E kemi bërë publike sa i përket kandidatit tonë për kryeministër. Në takimin e fundit që kemi pasur jemi dakorduar në strukturë që të shkojmë të vetme në zgjedhje. Nuk mund të flasim paraprakisht për asnjë mundësi sa i përket marrëveshjes me ndonjë parti, pasi kemi vendosur me shku vetëm në këtë proces. Në takimet me qytetarët besojmë se Aleanca do të jetë shumë e fuqishme, duke parë edhe rritjen që kemi pasur në zgjedhjet e fundit, pragun do ta kemi të palëvizshëm. Do të kemi rritje, për çka edhe po punojmë, por prapë kjo varet nga qytetarët”, është shprehur Haxhiu.

Ndërkohë, ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim për shpalljen e pavlefshme të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Me këtë rast, edhe takimet konsultative me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i ka përfunduar u.d. Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, për të biseduar rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Nga këto takime, datat 31 janar dhe 7 shkurt janë përmendur si mundësi e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat