Nënkryetari i LDK-së: Kur hyjmë në garë, hyjmë për fitore

Aktuale

Nënkryetari i LDK-së: Kur hyjmë në garë, hyjmë për fitore

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 13:10
LDK

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës të mërkurën e ka zgjedhur Avdullah Hotin si kandidat të këtij subjekti politik për kryeministër.

Në mbledhjen ku u vendos që Hoti edhe njëherë t’i prijë LDK-së në garën e zgjedhjeve, pati vlerësim për Qeverinë e udhëhequr nga ai, por edhe vërejtje. Megjithatë, ky diskutim nuk e ndryshoi rezultatin e votimit të anëtarëve të kryesisë, duke mos prodhuar vota kundër nomiminimit të Hotit në fund.

Në mesin e atyre që ka gjithmonë vërejtje është edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova. Por, ai nuk ka treguar nëse dje ka qenë njëri prej atyre që ka pasur vërejtje për qeverisjen e Hotit, ndonëse ka pranuar që ka kundërshti brenda LDK-së.

“Unë jam ai qe jap gjithmonë vërejtje, por një gjë e di, që aty në mënyrë unanime, pa asnjë kundërshtim është votuar kandidatura e Z.Hoti”, tha Rugova. “Sigurisht që një parti serioze politike si LDK-ja ka edhe diskutim të brendshëm. Ne kemi edhe kundërshti të brendshme. Është një debat i brendshëm që është edhe publik”.

Të shtunën e javës që shkoi, Rugova tha se “e kam një emër favorit për kryeministër, por nuk do t’ua them”, ndërsa as sot nuk pranoi të thoshte nëse favoriti i tij ka qenë Avdullah Hoti.

“Mua gjithmonë më pyesin ‘A je për Avdullah Hotin?’, ‘a je për Lumirin?’, ‘a je për dikë tjetër?’, por të gjithë janë meritorë. Është një gjë për të cilën unë s’dua ta sjell veten dhe partinë këtu. Të gjithë këta persona janë të rëndesishëm. Simpatitë e mia personale unë nuk nuk i shpreh publikisht, sepse nuk dua të nxis debat”, tha Rugova.

Pas vendimit për kandidatin , Rugova tha se po përgatiten për zgjedhje.

“I kemi qitë kriteret qe ia mundësojnë njerëzve të duhur të kandidojnë”, tha Rugova, ndërsa u shpreh i bindur se pavarësisht se si do të jetë rezultati, LDK-ja do të jetë faktor kyç në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shtetin.

“Gjithmonë ne kur hyjmë në garë, ne shkojmë për fitore. Por mos të mendojë askush që LDK-ja nuk do të jetë faktori kyç. Pavarësisht a del e para apo e dyta, LDK-ja do të jetë vendimtare për çdo vendimmarrje”, tha ai.

Aktualisht, Rugova nuk po mendon për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin e ri. I pyetur nëse do të rikandidojë sërish për kryetar Istogut, ai theksoi se është i përqëndruar në zgjedhjet qendrore, duke besuar se mund t’i mobilizojë votuesit e LDK-së atje që ta ndihmojnë partinë në garën e qendrës.

“Me thënë të drejtën, nuk jam duke menduar për zgjedhjet lokale hiç. Kapaciteti im do të jetë i përqëndruar ne zgjedhjet qendrore. Jam duke i angazhuar plotësisht. Kemi pasur zgjedhje të shkelqyera dhe kontribut të jashtëzakonshëm nga Istogu. Me 8800 vota qe i ka LDK-ja në Istog, ne kemi mundësi të ndihmojmë shumë që rezultati të jetë sa më i mirë”, u shpreh Rugova.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, pranoi të mërkurën në Pressing se ka pasur edhe vërejtje për Hotin në mbledhjen ku u vendos që të garojnë në zgjedhje në krye me të.

“Pak a shumë në mbledhje të kryesisë ka qenë orientimi rreth Z. Hoti. Është vlerësuar puna, është diskutuar rreth punës, janë diskutuar gjithsesi edhe disa vërejtje se diçka është dashur të bëhet më mirë, është shpjegu pse kanë ndodh ato vërejtje dhe natyrshëm ka rrjedhë diskutimi te Z. Hoti”, tha Abrashi mbrëmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat