Shkalla e rritjes së kriminalitetit në Kosovë

Aktuale

Shkalla e rritjes së kriminalitetit në Kosovë

Më: 4 janar 2021 Në ora: 20:45
Pamje nga video

Kosova ka shënuar rritje të numrit të vrasjeve dhe disa veprave të tjera penale gjatë vitit që po e lëmë pas, sipas të dhënave zyrtare të policisë. Derisa nga policia thonë se pandemia e ka vështirësuar në masë të konsiderueshme punën e tyre në teren, sociologët dhe ekspertët e sigurisë flasin për shkaqet e mundshme të kësaj dukurie gjatë pandemisë.

Në Kosovë gjatë vitit që e lamë pas, numri i vrasjeve ka shënuar rritje për 36.47 për qind sipas të dhënave të policisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se vrasjet dhe dhuna në familje, hyjnë në kategorinë e veprave penale që kanë shënuar rritje gjatë vitit 2020.

“Mund të them që nga 19 raste sa kanë qenë në periudhën 11 mujore të vitit 2019, në periudhën e njëjtë të vitit 2020 janë evidentuar 25 raste, pra nga 19 sa kanë qenë në vitin e kaluar”, tha ai.

Ekspertë të sigurisë dhe sociologjisë shpjegojnë lidhjen ndërmjet situatës me pandeminë e COVID-19 që goditi Kosovën përgjatë vitit 2020 me shtimin e veprave penale në vend.

“Ka pasur edhe plagosje edhe të pjesëtarëve të kompanive private të sigurimit por edhe të vetë zyrtarëve policorë dhe normal nga aspekte të tjera ka ndikuar në varfërimin e qytetarëve që ka reflektuar edhe në rritjen e veprave penale sidomos të vjedhjeve”, thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

“Në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë kemi akumulim të stresit edhe të frustrimeve të ndryshme për të cilat mund të ketë dhe ndonjë arsye irracionale që të shpërthejnë dhe të ndikojnë në rritjen e krimeve ta zëmë dhunës në familje. Një aspekt tjetër është pasiguria shtetërore institucionale sepse ta zëmë përderisa në Slloveni ka pasur shtatë raunde të ndihmës ndaj qytetarëve, në Kosovë ka pasur shumë pak dhe janë përcjellur me problem logjistike kështu që individët kanë pasur një lloj dyshimi në mbështetjen shtetërore për këtë periudhë mirëpo edhe për të ardhmen, për periudhën e rimëkëmbjes”, thotë sociologu Artan Muhaxheri.

Zoti Kelani thotë se shkalla e infektimeve ne radhët e policisë së Kosovës me COVID-19 e ka vështirësuar në masë të madhe punën e saj.

“Në situata të caktuara policia e Kosovës është dashur të jetë në pika kontrolli statike, është dashur të jetë në qytete apo zona të caktuara që kanë qenë të karantinuara, të jetë 24 orë në ato lokacione, mirëpo me qëllim që të arrijmë që të kemi rezultate pozitive, të arrijmë të kemi sukses edhe në këtë fushë ne shpesh kemi kaluar nga orari tetë orësh në orar dymbëdhjetë orësh ashtu që të kemi personel më të mjaftueshëm në teren”, thotë zoti Kelani, duke thelsuar se 13 pjesëtarë të policisë humbën jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje.

“Të infektuar janë evidentuar diku 1241 punonjës, përfshirë stafin e uniformuar dhe atë civil, ndërsa aktiv ende janë diku rreth 244 punonjës, shumica prej tyre pra 240 janë të liruar në shtëpi dhe 4 prej tyre po trajtohen në spital”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se ulja e numrit të policëve në detyrë, e ka dobësuar përmbushjen e detyrave të policisë dhe për këtë arsye, ajo duhet të punojë për zgjerimin e burimeve njerëzore.

“Realisht është bërë disa herë kërkesa me një projektligj që të bëhet pensionimi i parakohshëm por për shkak të mundësive financiare nuk është arritur ajo që është planifikuar, pra që në moshën 55 vjeçare të lirohen ata policë që kanë probleme shëndetësore por edhe të pleqërisë. Kështu që të rinovohen me gjenerata të reja”, thotë ai.

Sociologu, Artan Muhaxheri, thotë se pasojat sociale të pandemisë do të vazhdojnë të shpërfaqen prandaj autoritetet duhet të punojnë edhe për rimëkëmbjen emocionale të qytetarëve.

“Gjithsesi institucionet duhet të kërkojnë ndihmë, pse jo edhe jashtë Kosovës të njerëzve me ekspertizë në trajtimin e situatave të këtilla të rimëkëmbjes jo vetëm ekonomike por sociale e kulturore sepse pandemia ka qenë një lloj tronditje kolektive prandaj edhe reagimet duhet të jenë sa më të fokusuara dhe komplekse”, thotë ai.

Përgjatë vitit 2019 në Kosovë ishin arrestuar 8 mijë e 619 persona për vepra penale, derisa gjatë vitit 2020 ky numër ka shkuar në 9 mijë e 715./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat