Hoxhaj viziton një biznes me pronar nga Presheva: PDK do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur bizneset e tilla

Aktuale

Hoxhaj viziton një biznes me pronar nga Presheva: PDK do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur bizneset e tilla

Më: 5 janar 2021 Në ora: 11:35
Pamje nga takimi

Enver Hoxhaj ka vizituar sot në Fushë Kosovë një kompani që për pronar ka një shqiptar nga Presheva.

Kandidati për kryeministër, një herësh edhe kryetar në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka vizituar gjatë ditës së sotme një kompani në Fushë Kosovë, ku pronari i saj është një shqiptar nga Lugina e Preshevës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur bizneset e tilla.

“Pjesë e planit tim, si Kryeministër i ardhshëm do të jetë njohja e statusit të privilegjuar, nga ku këto biznese do të përfitojnë lirimin nga tatime doganore dhe të gjithë qytetarëve të Luginës t’iu sigurohet punësimi i barabartë me qytetarët e Kosovës në të gjitha institucionet e vendit. Qeveria e ardhshme e PDK-së do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur të gjitha aktivitetet ekonomike, kulturore e arsimore në Luginë të Preshevës”, ka shkruar ndër të tjerash Hoxhaj.

Postimi i plotë i Hoxhajt, pa ndërhyrje:

Sot, ditën e nisa me një vizitë në kompaninë “Smart Signal Signs” në Fushë Kosovë. Biznes start-up në prodhimin e të gjitha produkteve të sinjalistikës, të cilat eksportohen në Belgjikë e që janë punë dore, e udhëhequr nga Asdren Osmani, një ndërmarrës nga Presheva që ka zgjedhur të investojë në Kosovë dhe ia ka dalë me sukses. Kjo tregon për lidhjet që kemi ne si shtet me këtë pjesë të kombit tonë.

PDK, si parti që gjithnjë ka qenë e gatshme të mbështesë interesat dhe vullnetin e qytetarëve të Luginës, shpejtë do t’i prezantojë masat ekonomike për bizneset me pronarë nga Lugina që operojnë në Kosovë. Pjesë e planit tim, si Kryeministër i ardhshëm do të jetë njohja e statusit të privilegjuar, nga ku këto biznese do të përfitojnë lirimin nga tatime doganore dhe të gjithë qytetarëve të Luginës t’iu sigurohet punësimi i barabartë me qytetarët e Kosovës në të gjitha institucionet e vendit. Qeveria e ardhshme e PDK-së do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur të gjitha aktivitetet ekonomike, kulturore e arsimore në Luginë të Preshevës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat