Lektori nga Kosova për gabimet e politikanëve: Zgjidhja më e mirë, kthimi i tyre nëpër shkolla fillore

Aktuale

Lektori nga Kosova për gabimet e politikanëve: Zgjidhja më e mirë, kthimi i tyre nëpër shkolla fillore

Më: 11 janar 2021 Në ora: 16:05
Foto Ilustrim

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka bërë që vendimet dhe fushatat politike të politikanëve kosovarë të drejtohen më shumë në rrjetet sociale, aty ku numërojnë qindra ndjekës. Mirëpo, në statuset e tyre, shumë prej tyre japin “show” me gabimet drejtshkrimore që bëjnë. Përpos shenjave të pikësimit, edhe shkronjat ‘ë’ dhe ‘ç’ mungojnë shpesh, duke krijuar ‘gjuhën e Internetit’, gjuhë kjo e papranuar edhe nga lektorët shqiptarë

Politikanët nga Kosova janë shumë aktiv në rrjetet sociale, ku bashkë me ndjekësit që kanë, ndajnë më të rejat e fundit nga politikat ditore që bëjnë.

Mirëpo, një detaj që i karakterizon shumë prej tyre, janë gabimet drejtshkrimore që bëjnë.

Madje, ka raste kur në pak rreshta që shkruajnë, politikanët kosovarë bëjnë aq shumë gabime drejtshkrimore, disa prej tyre ndoshta të pafalshme.

Media gjatë ditës ka provuar që të kontaktojë me zyrtarët e partive kryesore në vend, për t’i pyetur se përse politikanët e partive të tyre bëjnë gabime të tilla, por, zyrtarët e tillë, shumë të angazhuar, nuk gjetën kohë për t’u përgjigjur, përpos Lulzim Blakaj, zyrtarit të AAK-së.

Blakaj tha se ka pasur raste që ka ndodhur një lëshim në ndonjë status, por, lëshimet e tilla më pas janë edituar menjëherë.

“Ka pasur raste të tilla, ka ndodh ndonjë gabim, se dihet që nga puna dinamike mund të ndodh ndonjë gjë si kjo, por, kemi reaguar shpejtë dhe e kemi edituar” tha ai.

Kurse, për lektorin Mehdi Mulaj, gabimet në statuset e rrjeteve sociale nga politikanët janë të papranueshme.

Në një prononcim, ai theksoi se kjo gjë nuk bën të ndodh, pasi, ata duhet ta dinë “gjuhën e nënës”.

“Drejtshkrimi është gjëja më elementare të cilën duhet ta njohin politikanët. Prandaj quhet “gjuha e nënës”. Nëse politikanët nuk janë në gjendje ta zotërojnë këtë, atëherë për çfarë tjetër duhet t’u besojmë. Shkrimet e politikanëve të publikuara nëpër rrjete sociale, përveçqë na neveritin me gabime drejtshkrimore, ato janë të thurura aq keq, saqë nuk arrijmë t’ua kuptojmë mendimin. Kultura e shkrimit është pasqyrë e mjaftueshme për të treguar seriozitetin e politikanëve. Të shkruash shqip drejt është respekt për lexuesit të cilëve u drejtohen politikanët, tregon pedanterinë e tyre. E kundërta e kësaj është fyerje për lexuesit” tha Mulaj.

I pyetur se a po ndodh kjo gjë për shkak të “gjuhës së Internetit”, ku nuk respektohen as shkronjat “ë” dhe “ç”, lektori tha se ky fakt nuk mund t’i justifikojë politikanët që gabojnë duke shkruar.

“Politikanët i bëjnë këto gabime nga mosdija apo nga mungesa e njohurive më elementare gjuhësore. Nga përvoja ime deri më tani, nuk njoh politikanë të cilët shkruajnë shqip drejt. Përdorimi i “gjuhës së internetit” nuk është arsye për ta anashkaluar drejtshkrimin e shqipes. Në secilën aparaturë  komunikimi (telefon, kompjuter etj.) ekziston tastiera me shkronja shqipe, siç janë: ë dhe ç” theksoi Mulaj.

Lektori ka edhe një zgjidhje për këtë problem, që do t’ua lehtësonte punën fytyrave publike.

“Po të ishte e mundur, zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi i tyre nëpër shkollat fillore. Meqë kjo nuk është e mundur, atëherë zgjidhja e vetme mbetet që këta politikanë t’i angazhojnë gjuhëtarët-lektorët për t’ua kontrolluar shkrimet para se t’i publikojnë ato” tha në fund ai.

Gabimet drejtshkrimore të liderëve kosovarë që votohen nga qytetarët, janë të papranueshme edhe nga ana këtyre të fundit.

Të paktën, kështu shihen nga komentet që ua lënë, të cilëve u thonë “mësohuni të shkruani, pastaj dilni e shitni mend dhe kërkoni vota”.

Nga ana tjetër, edhe në rrjetet sociale është një faqe ku tregohen disa nga gabimet drejtshkrimore të politikanëve.

Ja disa prej tyre

Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat