​Philip Kosnett kërkon respektimin e vendimit për pronën e Manastirit të Deçanit

Aktuale

​Philip Kosnett kërkon respektimin e vendimit për pronën e Manastirit të Deçanit

Më: 26 janar 2021 Në ora: 19:41
​Philip Kosnett

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett deklaroi sot se mosbindja ndaj sundimit të ligjit nga disa qeveri të udhëhequra nga parti të ndryshme të Kosovës, vë në pikëpyetje angazhimin e vendit për drejtësi të barabartë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit.

“Ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të rasteve në të cilat institucionet e Kosovës kanë dështuar të veprojnë brenda ligjit dhe të zbatojnë vendimet e gjyqësorit. Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës”, shkruan Kosnett.

Për më tepër, diplomati amerikan ka thënë se SHBA do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Kosovës, për ndërtimin e së ardhmes demokratike dhe se nuk ka kohë për të humbur.

“Në këtë moment ku vlerat demokratike janë nën sulm në të gjithë botën, unë marr frymëzim nga populli i Kosovës - qëndrueshmëria e tyre, vendosmëria e tyre për t'u përballur me sfidat dhe përkushtimi i tyre për ndërtimin e një demokracie të mbështetur nga respektimi i shtetit ligjor. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Kosovën dhe popullin e saj ndërsa punojnë për të ndërtuar atë të ardhme demokratike për të gjithë qytetarët e saj. Nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar ndër tjerash diplomati amerikan.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 mori vendim sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Kushtetueses.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb dhe komunitetet tjera në Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat