89% e të anketuarve në Kosovë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, 83% kundër krijimit të Asociacionit të komunave serbe

Aktuale

89% e të anketuarve në Kosovë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, 83% kundër krijimit të Asociacionit të komunave serbe

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Në mesin e më shumë se 1 mijë të anketuarve në Republikën e Kosovës, një përqindje e madhe e tyre janë kategorikisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe krijimit të Asociacionit të komunave serbe.

Kështu është bërë e ditur gjatë të hënës në raportin “Rruga drejt marrëveshjes finale?” që u publikua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në konferencën e mbajtur në Prishtinë.

Sipas këtij raporti kategorikisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve janë shprehur 89% e të anketuarve, ndërkaq kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe 83% e të anketuarve.

“Pos kësaj, shumica e të anketuarve (58%) nuk kanë njohuri se çfarë është ideja e Mini Shengenit dhe rrjedhimisht shumica prej tyre janë shprehur kundër krijimit të Mini Shengenit (53%). Në rast të mosarritjes së marrëveshjes së Serbisë, më shumë se gjysma e të anketuarve (70%) janë shprehur se kjo do të kishte pasojë negative për Kosovën. Ndërsa, rreth 80% e të anketuarve mendojnë se për anëtarësimin e Kosovës në BE është e nevojshme të arrihet marrëveshja me Serbinë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për medie të QKSS-së.

Në këtë raport janë prezantuar rezultatet e anketës së bërë në Kosovë e Serbi për mendimet e të anketuarve në të dyja vendet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në kuadër të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Sipas rezultateve, shumica e qytetarëve të Kosovës (68%) dhe të Serbisë (51%) mbështesin procesin e dialogut, megjithatë kanë perceptime diametralisht të kundërt mbi arritjet e dialogut. Derisa shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke në kufijtë ekzistues (77%), në Serbi ekziston perceptimi se qëllimi i këtij procesi është kthimi i Kosovës në Serbi me një autonomi më të gjerë (48%)”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, të anketuarit në Kosovë e Serbi kryesisht kanë perceptime negative për procesin e dialogut, transparencën e këtij procesi dhe ndikimin e tij.

Shumica e qytetarëve të Kosovës (77%) dhe të Serbisë (82%) mendojnë se dialogut i mungonte transparenca, se nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet e të dyja vendeve (në Kosovë 60%, në Serbi 71%) ose se vetë qytetarët nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga procesi (në Kosovë 80% dhe në Serbi 92%).

Kjo, sipas raportit tregon për një mangësi të konsiderueshme të transparencës dhe komunikimit të BE-së, por edhe të qeverive të Kosovës e Serbisë me qytetarët e të dyja vendeve.

“Qytetarët e Serbisë janë pesimistë në krahasim me qytetarët e Kosovës për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Shumica e serbëve (63%) nuk presin të shohin normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës pavarësisht rezultatit të dialogut, ndërsa qytetarët e Kosovës (43% sosh) janë më optimistë me kushtin që raportet me Serbinë do të normalizohen vetëm nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi. Për më tepër, pothuajse shumica e qytetarëve të Kosovës (48%) mendojnë se marrëveshja finale me Serbinë do të arrihet brenda 3-5 viteve të ardhshme, ndërsa më tepër se gjysma e të anketuarve në Serbi (53%) janë deklaruar se marrëveshja me Kosovën kurrë nuk do të arrihet”, thuhet në komunikatë.

Anketa në Kosovë është realizuar në datat 25 shtator – 2 tetor 2020 dhe janë anketuar 1,132 qytetarë mbi moshën 18 vjeç në të gjitha rajonet e Kosovës. Në Kosovë, projekti është duke u zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe në Serbi nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) me mbështetja fondacionit amerikan, National Endoëment for Democracy (NED).

Pikëpamjet e paraqitura në këtë raport janë perceptimet e të anketuarve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë. Opinionet e shprehura në këtë raport nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e National Endoëment for Democracy (NED).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat