Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare

Aktuale

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 12:49
Foto ilustrim

28 subjekte politike garojnë për 120 vende në parlament. Sfidat më të mëdha janë koalicioni qeverisës dhe zgjdhja e presidentit.

Në një mot të ftohtë dhe me masa të shtuara kundër pandemisë Corona, në Kosovë po zvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Qendrat e votmit janë hapur në të gjithë territorin e Kosovës në ora 7:00 të mëngjesit dhe të hapura do të mbeten deri në orën 19:00.

KQZ njofton, se sipas planifikimeve, në orët e mëngjesit është shpërndarë me kohë materiali zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit. "Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orarin e paraparë. Procesi i votimit është duke vijuar normalisht”, tha zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të drejtë vote kanë 1.794.862 qytetarë.  KQZ-ja kësaj radhe ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime janë hapur në 38 komunat e Kosovës. 30 mijë vëzhgues janë akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar këtë proces zgjedhor. Në zgjedhje garojnë 28 subjekte politike, nga to 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Votimi po ndiqet me vëmendje

Image

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë po e ndjekin me vëmendje procesin zgjedhorë, duke inkurajuar qytetarët që të votojnë.

"Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente dhe të besueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t'i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19”, thuhet në një deklaratë për media.

Bashkimi Evropian ka dërguar në Kosovë një mision të ekspertëve që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë edhe fazën e ankimimit. BE-ja thotë se do ti qëndrojë besnik fuqishëm partneritetit me Kosovën.

BE - partner i Kosovës

"Jemi të gatshëm që të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Kemi besim se presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe me kohë do të formohet qeveria e re, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen evropiane të Kosovës, përfshirë vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE, mes të Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në deklaratën e zyrës së BE-së në Kosovë.

Kandidatët për postet kryesore

Image

Partitë kryesore politike që garojnë në këto zgjedhje, tashmë i kanë publikuar emrat e kandidatëve për postin e kryeministrit. Lëvizja Vetëvendosja pohon se kandidati i tyre për kryeministër është Albin Kurti, i cil në këto zgjedhje nuk mund të garojë për deputet për shkak se KQZ nuk e çertifikoi për shkak të problemeve me ligjin. LDK, garon për kryeministër me kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. PDK garon me Enver Hoxhajn që tashmë udhëheqë partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, i cili në Gjykatën Speciale po përballet me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ju bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj, kretar i AAK.

Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet ta propozojë kandidatin për formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve, e nëse kjo dështën në tre raunde, atëherë vendi serish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat