Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë, VOA: Fitore e thellë e Vetëvendosjes

Aktuale

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë, VOA: Fitore e thellë e Vetëvendosjes

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 23:30
Vetëvendosje

Kur janë numëruar më shumë se gjysma e votave të të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të se dielës.

Sipas numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 48 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 18 për qind, Lidhja Demokratike me mbi 13 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me mbi 7 për qind.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që "votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që t'i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Numërimi i votave mund të marrë disa ditë edhe për shkak të votave me postë dhe atyre me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje tha se do të presë rezultatet përfundimtare u bëri thirrje mbështetësve që të shmangin kremtimet në sheshe për shkak të motit të lig por edhe për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas rezultateve paraprake nuk duket që Vetëvendosje të sigurojë një shumicë prej 61 votash në parlament për të themeluar e vetme qeverinë, ndërsa një bashkëpunim mes partish është i domosdoshëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Dështimi për të bërë një gjë të tillë, mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është kandidat për postin e presidentit, i uroi fitoren lëvizjes Vetëvendosje pas kohë pas fillimit të numërimit të votave.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përgëzoi lëvizjen Vetëvendosje për fitoren ndërsa nënvizoi se kjo parti do të qëndrojë në opozitë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat