KMDLNj: Të formohen institucionet e Kosovës, pa vonesë dhe pa kundërshtime

Aktuale

KMDLNj: Të formohen institucionet e Kosovës, pa vonesë dhe pa kundërshtime

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 14:12
KMDLNj

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar që të formohen institucionet e Kosovës pa vonesa dhe pa kundërshtime.

Nga KMLDNj është kërkuar nga opozita e ardhshme që të votohet në mënyrë unanime Qeveria Kurti 2, me Albin Kurtin kryeministër dhe Vjosa Osmani të votohet si presidente.

Nga KMLDNj është kërkuar që çështja Kurti të mos dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, sepse pa nevojë vonohen proceset e tjera.

“Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, situata politike u qartësua shumë. Pozita e ardhshme ka siguruar pushtet absolut duke udhëhequr me ekzekutivin, me fuqi të madhe në Kuvendin e Kosovës dhe duke e marrë edhe postin e presidentit. Pozita e ardhshme ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti shqiptare, duke e marrë përgjegjësinë e plotë për të gjitha proceset dhe vendimmarrjen në Kosovë. Në këtë kontekst, kur vota e pjesës më të madhe të votuesve ka vendosur për vendimmarrjen, KMDLNj mendon dhe kërkon që opozita e ardhshme të tregohet konstruktive dhe bashkëpunuese e plotë në procesin e formimit të institucioneve. KMDLNj mendon dhe shpreson se opozita e ardhshme duhet në mënyrë unanime ta votojë Qeverinë Kurti 2, Albin Kurtin, kryeministër sikur edhe Vjosa Osmanin presidente. Gjithashtu, KMDLNj kërkon që çështja Kurti të mos dërgohet në Gjykatë Kushtetuese sepse, pa nevojë vonohen proceset tjera e që duket se do të jenë përgjegjësi absolute e pozitës së ardhshme. Do të ishte shumë mirë, politikisht dhe moralisht që Qeveria e ardhshme të mos pengohet, jo në 100 ditë të ardhshme, por në 12 muaj të ardhshëm. Opozita e ardhshme, me deklaratën përjashtuese të kryeministrit të ardhshëm, lirohet nga çdo përgjegjësi në planin e vendimmarrjes e që i lë mundësi për konsolidim të opozitës për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në demokraci, votuesi i përcakton rregullat e lojës politike ndërsa të zgjedhurit dihet t’i zbatojnë ato. Në rastin konkret është përcaktuar qartë adresa e vendimmarrjes dhe përgjegjësisë andaj çdo përpjekje për pengim të procesit është dhunim i vullnetit të shumicë”, thuhet në reagimin e KMLDNj-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat