Bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë? Thaçi: Çfarë duhet të bëjë Albin Kurti

Aktuale

Bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë? Thaçi: Çfarë duhet të bëjë Albin Kurti

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 17:49
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur për Euronews se nëse do kishte një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, vota e tij do ishte pro. Analisti Jusuf Thaçi komentoi këtë qëndrim duke shtuar se Kurti, si kryeministër i ardhshëm i Kosovës duhet të punojë për ta jetësuar këtë projekt.

“Si kryeministër i ardhshëm, Kurti i takon që të punojë për ta jetësuar këtë projekt ose ide dhe jo vetëm të jetë votues pasiv i një referendumi potencial”, tha ai.

Pavarësisht kësaj deklarate, e cila ka ngjallur entuziazëm në të dyja anët e kufirit, analisti Thaçi thotë se bashkimi me Shqipërinë nuk e sheh si prioritet të Kurtit, të paktën në mandatin e tij të parë në krye të qeverisë.

“Nuk besoj se në mandatin e parë do jetë një prej prioriteteve, sepse Kosova ballafaqohet me një sërë problematikash në rrafshin e brendshëm, pastaj dialogu me Serbinë, dhe vetëm kur të konsolidohen këto çështje dhe pasi të sigurohet sovraniteti i plotë i Kosovës, atëherë besoj se duhet të vinte diskutimi i bashkimit kombëtar dhe modalitetet e këtij bashkimi, në koordinimin me Shqipërinë dhe partnerëve dhe me anë të metodave demokratike”, tha ai.  

Ai thekson se Shqipëria dhe Kosova fillimisht duhet të shtojnë bashkëpunimet në sektorët kyç të zhvillimit socio-ekonomik.

“Jo vetëm pjesa e doganave, por deri në një bashkëpunim formal apo eventual, qoftë në një shtet unitar apo bashkim shtetesh, ajo që Kosova dhe Shqipëria është dashur të bëjnë ka qenë bashkëpunim intensiv jo vetëm për doganat dhe me kufijtë, por në përgjithësi në fushën e ekonomisë duke hequr të gjitha barrierat, që e pengojnë bërjen e biznesit. Qeveritë tona, përkatësisht qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të zhvillojnë një bashkëpunim sa më të mirë në fusha të ndryshme, në mënyrë që të ketë një integrim sa më të madh mes dy vendeve, dhe pastaj kjo do ishte parapërgatitje për një finale të bashkimit formal”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat