​Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, mbrojtja kërkon 20 korrikun afat për dorëzimin e dosjes paraprake

Aktuale

​Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, mbrojtja kërkon 20 korrikun afat për dorëzimin e dosjes paraprake

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 07:16
Pamje nga seanca

(E plotësuar 15:04) - Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që është mbajtur sot në Hagë, avokatët kanë kërkuar 20 korrikun e këtij viti datë për të dorëzuar dosjen paragjyqësore të mbrojtjes. Këtë thanë se do ta bëjnë nëse respektohet nga ana e Prokurorisë dorëzimin e dosjes së tyre në muajin prill. Avokati i Hysni Guacatit ka deklaruar se do të hetojnë rrethanat e arritjes së pakove me materiale që u lanë në zyrat e OVL-UÇK-së, në shtatorin e vitit të kaluar.

Avokati Jonathan Elystan Rees tha se aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt nuk kufizohet vetëm me tre konferenca për media që kishin mbajtur ish-krerët e UÇK-së, por përfshinë periudhë gjashtë mujore, për çka tha se do të hetojnë në tërësi.

Resse: Kërkojmë 20 korrikun datë për dorëzimin e dosjes paraprake

“Ne kemi ndërmend të depozitojmë një dosje paraprake të çështjes nga ana e mbrojtjes, për të cilën ne mendojmë se do të jetë me vlerë për trupin gjykues. Afati që ne propozojmë është më pak sesa 4 muaj pas konfirmimit që i bëhet nga ZPS datës për të përgatitur dosjen e tyre praruake. Ne kërkojmë një afat 20 korrik i vitit 2021 si datë për depozitimin e dosjes paraprake të mbrojtjes, gjithmonë me kusht që do të respektohet data 9 prill nga ZPS. Ne e kemi bërë të qartë nga fillimi se e kemi ndërmend të hetojmë çështjen e rrethanave se si ato tre paketa materialesh erdhën në selinë e OVL-UCK-së. Në këtë moment ZPS nuk ka paraqitur prova në këtë kontekst, por ne dëshirojmë që ta hetojmë këtë aspekt”, tha ai.

E për të kryer hetimet, avokatët deklaruan se po hasin në vështirësi për shkak të masave anti-Covid.

Avokati i Haradinajt, Toby Cadman se u janë anuluar fluturimet për në Kosovë 24 orë përpara kohës që parashihej të realizoheshin.

Cadman: Duhet të kontrollojmë të gjitha materialet e dorëzuara nga Prokuroria

“Nga këto 379 materiale që na janë dorëzuar që përmend prokuroria thuhet se 122 tashmë na janë dorëzuar, ne duhet ta kontrollojmë këtë punë, do të na ndihmonte nëse do të na informonte nëse ka ndonjë paketë veçmas që do të na dorëzohet, sa u përket incizimeve, transkriptimeve e përkthimeve duhet të verifikojmë nëse përkthimet e transkripteve janë të sakta, ne nuk mund të mbështetemi vetëm në fjalën e prokurorisë, çdo gjuhë ka veçoritë dhe dialektet e veta dhe ne nuk mund të pranojmë që ajo që thuhet në transkriptë është ajo që thuhet nga folësi”, tha ai.

Por sipas prokurores Valeria Bolici tha se akuzuarit ngarkohet për krime që pretendohet të jenë kryer përmes shfaqjeve të tyre në konferenca për shtyp, andaj sipas saj përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet me pandemi.

Bolici: Përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet me pandemi

“Në rrethana specifike të kësaj çështje ku aktakuza pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime përmes deklaratave apo shfaqjeve të tyre në publik atëherë përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet edhe aq me pandemi. Lidhur me këtë, afati i propozuar për parashtrimin e dosjes paraprake nga mbrojtja duket se nuk përputhet me nevojën për një zhvillim të përshpejtuar të procesit gjyqësor”, tha ajo.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes prokuroria dhe mbrojtja kanë diskutuar edhe rreth pikave të pajtimit për çështje ligji dhe fakti.

Prokuroja Bocili ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqes pikat e pajtimit për çështje ligji dhe fakti deri më 12 mars por mbrojtja ka thënë se nuk kanë mundësi të respektojnë këtë afat kohor.

Mbrojtja ka deklaruar se nuk mund të përfundojnë përgatitjet e tyre derisa nuk përfundon nxjerrja e gjithë materialit.

Në konferencën e sotme avokatët kanë shprehur shqetësimet e tyre për, siç thanë ata, qasje shpërfillëse nga ana e prokurorisë, deklarata këto që janë kundërshtuar nga prokuroria.

Në konferencën e sotme të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë është diskutuar edhe për hetimet e mbrojtjes për çka avokati i Gucatit ka thënë se kanë marrë rreth 3 mijë faqe material që prej 4 janarit dhe se nuk janë kategorizuar të gjitha, duke shtuar se ka edhe 100 orë video-material të regjistruar.

Për të gjitha përkthimet, incizime dhe transkriptimet, avokati i Haradinajt ka deklaruar se duhet të verifikojnë se a janë të sakta.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ngarkohen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, saktësisht për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Pas paraqitjes në konferenca për media duke deklaruar se në zyret e tyre kanë arritur materiale që dyshohet të kenë rrjedhur nga Gjykata Speciale, ata u arrestuan më 25 shator 2020 dhe po mbahen në paraburgim në Hagë.

***

Në seancën e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, mbrojtja ka shprehur shqetësime lidhur me, siç kanë thënë ata, me qasje shpërfillëse dhe mungesën e një dialogu konstruktiv nga ana e Prokurorisë. Në seancën e sotme, Prokuroria ka deklaruar se janë të gatshëm të fillojnë procesin gjyqësor duke shtuar se i kanë kryer të gjitha detyrimet lidhur me gjetjen e materialeve.

Prokurorja Valeria Bolici tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të mund të dorëzojë dosjen paraprake të lëndës dhe do të jetë e gatshme për gjykim pavarësisht nga përmbushja e kërkesave të palëve të treta.

Bolici: ZPS pret të përfundojë me nxjerrje ne të gjitha materialeve

“ZPS pret që të përfundojë të gjithë nxjerrje ne materialeve në kohën e paraqitjes së dosjes paragjyqësor, presim të marrim përgjigje ndaj kërkesave të palëve të treta, kemi afat, por nëse këto përgjigje nuk merren, kjo nuk do të ndikojë në mundësinë tonë për të dorëzuar dosjen dhe për të qenë gati për gjyq më pas. Dua të theksoj se siç thamë në parashtrimet me shkrim puna hetimore është e tillë që ne vazhdojmë punën tonë në bashkëpunim me provat e nxjerra, provat do të ja bëjmë të njohura mbrojtjes sikurse që i paraqesim në gjykatë në bazë të dispozitave përkatëse, ZPS nuk mendon që këto do të ndikojnë në ecurinë e shpejtë të procesit”, tha ajo.

Por avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees tha se janë në pritje që Prokuroria të nxjerrë gjitha materialet dhe vetëm pasi mbrojtja t’i shoh atom und të deklarojë rreth hetimeve që mund të vijojnë.

Resse: Jemi skeptik se nxjerrja e materialeve përfundon më 9 prill

“Të theksoj skepticizmin tonë se nxjerrja e materialet do të përfundojë më 9 prill 2021, ne presim ndërkohë nxjerrje ne materialeve sipas rregullave 102 1(b) dhe 103, presim zgjidhjen e shqetësimeve që ngritëm lidhur me rregullën 102 3, e cila në vetvete mudn të qojë në probleme lidhur me nxjerrje ne materialeve të tjera. Ne dëgjuam atë që tha ZPS se do të dorëzojë dosjen paragjyqësore më 9 prill por jemi skeptik për këtë, lidhur me faktin që nxjerrja e materialeve do të përfundoje më atë datë për arsyet që thash. Vetëm pasi të marrim materialet e mëtejmë që i presim dhe të zgjidhet çështja e listës, atëherë do të jemi në gjendje të vlerësojmë nëse është bërë siç duhet puna e nxjerrjes së materialeve”, tha Resse.

Tutje, Resse ka thënë se prokuroria nuk ka përmbushur detyrimet që ka rreth nxjerrjes së materialeve.

Resse: ZPS duhet t’i dorëzojë mbrojtjes materialet

“Ky material duhet t’i dorëzohet mbrojtjes në mënyrë që ajo të vlerësojë natyrën e materialet, konteksti i kësaj çështje të paktën sipas asaj që thotë prokuroria është se bëhet fjalë për rreth 4 mijë dokumente të një natyre konfidenciale që kanë prejardhjen nga task forca speciale hetimore dhe të cilat nuk janë nxjerrë në mënyrën e duhur. Këto dokumente nëse ZPS e ka me të drejtë, nëse ato janë nga vet ZPS-ja atëherë ZPS e ka detyrimin e dorëzimit të këtyre dokumenteve nëse janë autentike dhe konfidenciale”, ka thënë ai.

Edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka shprehur shqetësime lidhur me qasjen e prokurorisë, që sipas tij ka mungesë të një dialogu konstruktiv nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Cadman: Prokuroria me qëndrim shpërfillës dhe përbuzës

“Mbështes fjalën e zotit Resse lidhur me qëndrimin shpërfillës dhe përbuzës me të cilat ne përballemi, qëndrimi që mban ZPS me thënë të drejtën është qëndrim qesharak, padyshim që zoti gjykatës do të duhet të jap vendime procedural për të gjitha këto çështje. Nxjerrja e materialeve nuk ka përfunduar ende dhe siç e pranon edhe vet ZPS ajo të bëhet me datë 9 prill, duhet t’i kujtojmë ZPS-së të gjitha detyrimet që ka për këtë çështje, nuk i takon ZPS-së që t’i tregojë mbrojtjes se çfarë duhet të bëjë apo të fus mbrojtjen me detyrim në një proces të përshpejtuar”, tha ai.

Prokuroria ka kundërshtuar deklarata të tillë duke mohuar se ka kanë treguar qasje përçmuese ndaj mbrojtjes.

E lidhur me dëshmitarët, prokuroria ka thënë se nuk janë të detyruar të intervistojnë të gjithë dëshmitarët e paraqitur.

Bolici: ZPS nuk ka detyrim të intervistojë të gjithë dëshmitarët e paraqitur

“Në lidhje me numrin e dëshmitarëve, ZPS i ka përfshirë këto në listën e dëshmitarëve, pra nuk ka asnjë detyrim për prokurorinë që të intervistojë të gjithë dëshmitarëve të cilët synojmë t’i thërrasim për të dëshmuar në sallën e gjyqit, megjithatë siç parashikohet në parashtrimet me shkrim të prokurorisë, prokuroria synon që të thërras për të dëshmuar autorët e deklaratave të cilat bërë të ditura tashmë mbrojtjes në përputhje me rregullën 102, 1(b), ose rregullën 103 të rregullores, kjo u jep përgjigje të gjitha dyshimeve të mbrojtjes lidhur me këtë pikë”, tha ajo.

Ndërsa siç tha avokati Resse, ai ka pritur që prokuroria të intervistojë dëshmitarë të frikësuar.

Resse: Kam pritur që prokuroria do të intervistojë dëshmitarë të frikësuar

“Nuk ishte kjo mënyra siç parashikohej që prokuroria t’i qaset kësaj konferencë për ecurinë e çështjes. Mendova që ZPS kishte ndërmend të intervistojë dëshmitarë të cilët për shembull kanë qenë të frikësuar, apo janë frikësuar, sepse do t’i thërriste këta dëshmitarë për të dhënë dëshmi në gjykim, mirëpo nga ajo që tha zonja Bolici, tani me sa kuptoj unë ZPS nuk ka ndërmend të thërras dëshmitarë të tillë”, tha ai.

Në konferencën e cila është duke u mbajtur në Hagë, avokatët kanë deklaruar se do të vijojnë me hetimet por kanë theksuar pengesat në të cilat po hasin për shkak të kufizimeve nga pandemia me Covid-19.

Ankohen avokatët e Gucatit dhe Haradinajt, prokurorja: I hedhim poshtë këto akuza të pabazuara

Këmbimi i materialeve ndërmjet Prokurorisë dhe mbrojtjes ka qenë një çështje e veçantë diskutimi në seancën e sotme paragjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Mbrojtja ka pasur vërejtje për sistemin që po përdoret për nxjerrjen e materialeve si dhe ka kërkuar dialog kontstruktiv. Kjo është përgënjeshtruar dhe është kundërshtuar ashpër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Per mendimin tonë, nuk do të ketë dialog konstruktiv, përveç nëse Prokuroria zgjedh ndonjë mënyrë tjetër”, ka thënë Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt.

Ai e ka përmendur edhe vështirësinë komunikimit me klientët e tyre dhe këmbimit të dokumenteve.

“Dhe një vështirësi. Që të kemi mundësi t’i dërgojmë dokumente klientit tonë. Kjo do ta ndihmonte të ecim përpara me hetimin, duke marrë udhëzime nga klientët tanë”, ka thënë Cadman.

Mbrojtjes i është kundërpërgjigjur prokurorja Valeria Bolici, e cila tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar hedh poshtë konstatimet e mbrojtjes, ndërsa shtoi se “ne e kemi kryer detyrimin tonë”.

“ZPS-ja hedh poshtë me vendosmëri çdo akuzë të pabazuar, të përgjithshme nga mbrojtja se ne kemi ndjekur një qasje përbuzëse ndaj tyre lidhur me detyrimin tonë për t’i nxjerrur materialet. Ne e kemi kryer detyrimin tonë”, tha Bolici.

Ajo foli edhe për qasjen konstruktive, që e përmendi avokati i Haradinajt.

“Nuk e di çfarë qasje kontstruktive kërkon mbrojtja nga ne si Prokurori nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga mbrojtja lidhur me hapat e ndërmarrë gjatë procedurës”, tha prokurorja.

Prokurorja e Gjykatës Speciale: I kemi përfshirë në listë disa dëshmitarë që do t’i përdorim kundër Gucatit dhe Haradinajt

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Valeria Bolici, i ka cilësuar të pabazuara parashtrimet e mbrojtjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Bolici ka thënë se ZPS-ja do t’i përdorë disa dëshmitarë në këtë rast, ndërsa tha se s’ka nevojë të intervistohen të gjithë ata.

Image
Valeria Bolici,

“Parashtrimet e mbrojtjes janë të pabazuara. Lidhur me numrin e dëshmitarëve, ZPS-ja i ka përfshirë ata në listë. Nuk ka nevojë të intervistohen të gjithë”, tha prokurorja Bolici.

“Prokuroria do t’i ftojë për të dëshmuar dëshmitarët, deklaratat e të cilëve janë bërë të ditura”, theksoi ajo. 

Nis konferenca statusore në rastin ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca statusore në rastin ndaj krerëve të Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Haradinaj ka bërë kërkesë që të mos marrë pjesë në këtë seancë. Ai po ashtu kishte bërë një kërkesë të ngjashme edhe në konferencën paraprake, të mbajtur më 8 janar, në shenjë “proteste për mënyrën se si është trajtuar”, kishte thënë pala mbrojtëse e tij.

Konferenca statusore apo konferenca mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në të, Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon se çfarë lloji të provave disponon.

Më 11 dhjetor, 2020, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale, sipas Dhomave të Specializuara, dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shator, 2020.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj “zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale".

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Që të dy janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

OVL e UÇK-së në shtatorin e kaluar tha se ka pranuar, në mënyrë anonime, dosje që lidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përmbajtja e këtyre dosjeve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike apo jo.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Specialja mban seancën e radhës ndaj krerëve të OVL e UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të mbajë sot seancën për dy krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Konferenca e Gucatit dhe Haradinajt do të mbahet në ora 11:00 dhe pritet të jetë seancë lidhur me ecurinë e çështjes.

Ndërkaq për rastin ndaj Salih Mustafës, është caktuar seancë më 5 mars në orën 11:00.

Kjo është seanca e tretë kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt pas ngritjes së aktakuzës.

Datat e seancave janë bërë publike edhe në kalendarin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat