​Ahmeti: Gjenerata e ’81-shit kurrë nuk e humbi vazhdimësinë deri në organizimin e luftës çlirimtare

Aktuale

​Ahmeti: Gjenerata e ’81-shit kurrë nuk e humbi vazhdimësinë deri në organizimin e luftës çlirimtare

Më: 11 mars 2021 Në ora: 19:16
Ali Ahmeti

Në përkujdesje të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot u organizua konferencë me rastin e shënimit të 40-vjetorit të demonstratave studentore në Prishtinë, të cilat dhe sollën lirinë për popullin shqiptar të Republikës së Kosovës.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti me këtë rast ka thënë se sot është një ditë e veçantë pasi që në këtë përvjetor të pranishëm ka dhe shumë bashkëveprimtarë dhe pjesëmarrës të ngjarjeve të vitit 1981, si Fadil Bajrami, Tahir Hani dhe Sadulla Duraki e shumë të tjerë.

Ahmeti para të pranishmëve gjithashtu ka thënë se gjenerata e vitit 1981 është gjeneratë më me fat pasi që kurrë nuk e humbi kontinuitetin deri në organizimin e luftës çlirimtare.

Siç u shpreh kryetari Ahmeti pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë një luftë e pastër, me ndihmën e aleatëve, me ndihmën e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-së, me ç’rast u arrit të çlirohet Kosova.

“Më pas arritëm që Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe UÇPMB-në ta organizojmë mirë dhe ia dolëm mbanë që në fushën kombëtare dhe atë ndërkombëtare ta legjitimojmë UÇK-në, por dhe të pranohet marrëveshja ndërkombëtare për ndryshim rrënjësor të statusit politik të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me marrëveshjen paqësore të Ohrit”, tha ai.

Drejtori i ITKSHKS-së, Skender Asani në fjalën e tij me rastin e kësaj konference tha se demonstratat studentore më 11 mars 1981 hapën një proces të pandalshëm të betejave të vetëdijesimit politik të shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Sipas Asanit këto ngjarje epiqendrën e patën në Kosovë, por që ato u zgjeruan dhe shtrinë ndikimin e tyre edhe në hapësirat tjera shqiptare në ish Jugosllavi.

Sipas tij viti 1981 shënoi kufirin mes dy mentaliteteve politike të asaj kohe, mendësinë burokratike të politikanëve që kundërshtonin çdo lloj ndryshimi dhe në anën tjetër studentët të prirë nga një shtresë revolucionarësh politik që ishin kalitur në ilegalitet, të cilët më vonë do të bëheshin dhe bartës të proceseve të rëndësishme që u kurorëzuan me kryengritjen e armatosur, fillimisht në Kosovë e pastaj në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës.

Bashkëveprimtari i kryetarit të BDI-së, Hydajet Hyseni fjalimin e tij e nisi me disa fjali të atdhetarit të madh shqiptar Adem Demaçi i cili për demonstratat e studentore të vitit 1981 kishte thënë:

“Po të mos ishin përpjekjet e mëhershme çlirimtare nuk do të ishte lëvizja e vitit 1968, po të mos ishte lëvizja e 68-ës nuk do të ishte pranvera e vitit 1981 dhe të gjitha lëvizjet e mëvonshme e deri tek Ushtritë Çlirimtare që sollën realizimin e një pjese të madhe të idealeve të brezave të mëparshëm.”

Në fund të konferencës, Ahmeti, Hyseni dhe Asani u dakorduan se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë se sot, por pranuan se nesër mund të bëhemi edhe më mirë nëse të gjithë punojmë së bashku dhe angazhohemi për një ardhmëri më të mirë, dhe pikësynim mbeten vlerat evropiane dhe thellimi i partneritetit me miqtë tanë amerikanë, thuhet në komunikatën për media të BDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat