Vrau prindërit në Prizren, gjykata në Suedi kërkon burg të përjetshëm

Aktuale

Vrau prindërit në Prizren, gjykata në Suedi kërkon burg të përjetshëm

Më: 19 mars 2021 Në ora: 10:07
Durim dhe Suada Hadri

36-vjeçari nga Prizreni, Adriatik Hadri, mund ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Shqiptimin e një dënimi të tillë për shqiptarin e ka kërkuar prokuroria suedeze.

Ai akuzohet se ka vrarë prindërit e tij, Durim dhe Suada Hadrin, në fund të janarit të vitit të kaluar.

Çifti me nënshtetësi suedeze kishte ardhur në Kosovë për pushime, por më pas ishin gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre në lagjen Ortakoll të Prizrenit.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, ka thënë se vendimi për 36-vjeçarin do të merret javën që vjen.

Calmvik ka deklaruar se ka kërkuar burgim të përjetshëm për Hadrin.

“Kur mbaruan procedurat në gjykatë, kërkesa ime ishte burgim i përjetshëm”, thuhet në përgjigjet e prokurorit drejtuar gazetës.

Por, para se të merret vendimi përfundimtar për të, do të vlerësohet edhe shëndeti mendor i Hadrit.

 “Gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve të vet dhe tani është duke iu vlerësuar shëndeti mendor para se ata (gjykata) të arrijë një vendim”, kishte thënë Calmvik, para një muaji.

Ai ishte deklaruar edhe për motivet që dyshohet ta kenë shtyrë 36-vjeçarin për këtë veprim.

Dyshimet janë se një nga motivet kanë qenë paratë.

“Ne dyshojmë se të hollat kanë qenë një nga motivet, por do të doja të pres për vlerësimin mendor dhe vendimin para se të bëj ndonjë koment për këtë”, kishte deklaruar prokurorori suedez.

Ndryshe, aktakuza ndaj Hadrit është ngritur më 15 janar të këtij viti. Procedura penale ndaj tij është transferuar para gati një viti në Suedi, shkaku i pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, kishte thënë se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.

“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, kishte thënë Mehmeti.

Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.

“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat