​Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës serbe në Suharekë

Aktuale

​Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës serbe në Suharekë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 12:44
Ramush Haradinaj

Në 21 vjetorin e masakrës në familjen Berisha dhe gjithë martirëve në Suharekë, është kërkuar drejtësi dhe zbardhje e fatit të të pagjeturve të kësaj komune.

Qytetarë të shumtë por edhe përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike, kujtuan vrasjen e martirëve në Suharekë, duke kërkuar kontributin e bashkësisë ndërkombëtare në gjetjen e të zhdukurve.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vendosi kurora te Lapidari i Martirëve në Suharekë. Pastaj, morri pjesë edhe në hapjen e Lokalit Muze, në 22-vjetorin e masakrës nga forcat serbe ndaj familjes Berisha. Haradinaj bëri homazhe edhe te Kompleksi Memorial i Familjes Berisha dhe në varrezat e Dëshmorëve në Suharekë.

Halit Berisha, pjesëtar i familjes Berisha tha se ky ishte një ndër krimet më të mëdha të një familje të kryera nga regjimi kriminel serb.

Halit Berisha kërkoi nga organet e drejtësisë që të kthehen trupat e të zhdukurve të cilët janë 121.

Berisha: Serbia po fsheh krimet

“Më 26 mars të 1999 është bërë krimi më i madh i një familje, me një mbiemër të gjithë kanë qenë viktima civile të regjimit kriminel të Milosheviqit serb, përveç kriminelëve që kanë ardhur nga Serbia ne kemi pasur edhe serb të cilët janë uniformu në policë dhe ushtarë të cilët kanë qenë pjesë të bëjnë krime, të cilët janë bërë në Suharekë, në atë ditë prej 49 anëtarëve të vrarëve dhe 3 të cilët kanë shpëtu, Vjosa, Gramosi edhe Shyreten të tjerët janë 19 fëmijë të cilët kanë qenë në moshën 18 vjeçar, prej këtyre tash 49 neve na mungojnë edhe 20, e 10 prej tyre janë të moshës madhore dhe 10 janë fëmijë të cilët ne i gjurmojmë që nga viti menjëherë pas luftës, mirëpo Serbia nuk donë me u përgjigj se ku i kanë dërgu, këta janë vra këtu me 26 mars, janë groposur në pjesën mes Korishës dhe Lubishdës, tek kroi i popit thonë ata të fshatit, prej aty në natën 4-5 prill të vitit 1999 me kamiona frigorifer janë bartur për Serbi edhe një pjesë e kamionit të cilit ka qenë në Danub ai është ngritur nga uji masa ndej viktimat e atij kamionit janë groposur në Batanicë, prej Batanicë mas andj pas vitit 2002 kur kanë nis me i sjellë viktimat të cilat janë identifiku në Batanicën e Serbisë ne i kemi varrosur në vitin 2014 në këtë varrezë të cilën tash nuk është varrezë është memorial i familjes Berisha... po shpresoj që do të punojmë edhe më tutje deri në zbardhjen e fatit të të gjithë që në Komunë të Suharekës 532 viktima civile janë vrarë dhe 97 dëshmorë, por prej tyre pjesa më e madhe është fëmijë dhe tani po mungojnë me gjithë këta që i përmenda edhe 121 i kërkojmë gjithmonë do të punojmë do të i tregojmë botës së çfarë ka bërë regjimi i Serbisë” tha ai.

Bali Muharremi, kryetari i komunës së Therandës kërkoi nga drejtësia ndërkombëtare gjithashtu që të kthehen trupat e zhdukur së paku të fëmijëve që tash e 22 vite nuk janë gjetur.

Muharremi: T’i kthen trupat e fëmijëve tanë

“Foli Baci Halit shumë, unë dua të them një send, kërkojmë nga drejtësia ndërkombëtare së paku t’i kthen trupat e fëmijëve tanë që 22 vite nuk janë gjetur, kërkojmë drejtësi”, tha ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se dhimbja është e gjallë për të gjithë në këto ditë jo vetëm për familjen Berisha por për të gjithë që kanë humbur familjarët e tyre dhe është e dhimbshme që trupat e këtyre fëmijëve nuk janë kthyer dhe që nuk dihet për fatin e tyre.

Haradinaj: Liria dhe shteti e ka çmimin e vet

“Dhimbja është e gjallë ani së kanë kalu kaq shumë vite, jeton kjo dhimbje jo vetëm te familjarët që ju mungojnë më të dashuritë në këtë rast edhe fëmijët 1 vjeç , 2 vjeç, 3 vjeç është e dhimbshme pra e vërteta që ende trupat e tyre nuk janë kthy, nuk dihet për fatin e tyre. Janë ditë të dhimbjes pra këto ditë, jo vetëm këtu në Suharekë tek Berisha por sot janë ditë dhimbje kudo që jetojmë në Krushë e në të gjitha vendet ku ka martirë ku ka dhimbje është dhimbje e gjallë dhe do ta mbajmë gjallë që ta dinë brezat që liria e shteti e ka çmimin e vet” tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat