Gashi thotë se nëse LDK-ja s’rrin në sallë e pëson edhe më keq në zgjedhjet e reja

Aktuale

Gashi thotë se nëse LDK-ja s’rrin në sallë e pëson edhe më keq në zgjedhjet e reja

Më: 30 mars 2021 Në ora: 22:13
LDK

Analisti politik, Shkelzen Gashi, e ka cilësuar si veprim të duhur vendimin e LDK-së që të qëndrojë në sallë për votimin e Vjosa Osmanit për presidente.

“Sikur të kishin pasë më pak se 61 vota do të duhej të diskutohet me opozitën. Këta i kanë 66 vota tash edhe opozita i ka dy opsione – ose me nejt në Kuvend për çka edhe votohen ata deputetët ose mos me nejt edhe me çu vendin në zgjedhje. Nëse e çon vendin në zgjedhje, jam shumë i bindur, sikur që kam qenë i bindur në fillim të këtij viti që Vetëvendosje do ta ketë këtë rezultat, që gjasat janë që do ta rrisë rezultatin dhe mandej bëhet ai rreziku që të koncentrohet pushteti në një subjekt politik komplet”.

Gashi, në Rubikon, ka thënë se nëse LDK-ja nuk do të rrijë në sallë do të pësojë rezultat edhe më të keq në zgjedhjet e tjera që ai i sheh të pashmangshme nëse dështon zgjedhja e presidentit.

“Unë mendoj që vendimi nuk është i Lumirit [Abdixhiku], por është vendim i kryesisë si organ i partisë që vendos në këso situata se çka duhet të bëjë Grupi Parlamentar i këtij subjekti politik. Ky vendim nuk është veç në të mirë të LDK-së, por edhe të Kosovës. Nëse LDK-ja nuk rrin në sallë dhe s’ka dilemë që vendi shkon në zgjedhje LDK-ja mund të pësojë edhe më keq sesa në zgjedhjet e kaluara”.

A mund të cilësohet qasja e tillë (paralajmërimi se mund të dalë më keq nëse shkohet në zgjedhje të reja) ‘shantazh’ ndaj LDK-së?

“Nuk është shantazh. Nuk po i thotë ‘voto për mua’, po i thotë ‘rri në sallë’. Nëse do t’i kishte 57 deputetë dhe do të vepronte kështu, atëherë do të ishte shantazh se nuk do t’i kishte votat dhe do të duhej të diskutonte me partitë opozitare dhe të merrej vesh për me zgjedh presidentin”.

Ai është i bindur se LDK-ja do të rrijë në sallë edhe sepse këtë e ka kërkuar Bashkësia Ndërkombëtare – në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo.

“LDK-ja e ka marrë këtë vendim jo veç për shkak se është në interes të vetë LDK-së dhe Kosovës, por jam i bindur se ky vendim është edhe për një arsye tjetër – presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare, me theks të veçantë i SHBA-së”.

Gashi ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të reja nuk do të jetë vetëm edhe një cikël zgjedhjesh, por do të ndodhë koncentrimi i krejt pushtetit te Albin Kurti dhe partia e tij.

“Më mirë është me çu kështu, sepse sovrani ka vendos kështu – që këta ta marrin pushtetin dhe të qeverisin katër vjet. Partitë opozitare, shoqëria civile, mediat dhe qytetarët duhet t’i kundërshtojnë dhe t’i rrinë gati”.

Kur e përmend koncentrimin e pushtetit, Gashi thotë se Vetëvendosje aktualisht nuk i ka tri pozitat kyçe të pushtetit – ani se Vjosa Osmani që po e pretendon postin e presidentes garoi në listën e Vetëvendosjes.

“Nuk i ka tri pozitat dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet. Vetëvendosja e ka pozitën e kryeministrit, derisa pozitën e presidentit po e merr një subjekt tjetër politik dhe jo një anëtarë e Vetëvendosjes – një politikane e cila ka dallime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ato i ka shprehur edhe në fushatën e fundit edhe më herët, sa i takon raporteve Kosovë-Sqhipëri, raporteve me BE-në, me theks të veçantë SHBA-në”.

Sipas Shkelzen Gashit, vendimi i LDK-së që t’i hapë rrugë votimit të Vjosa Osmanit për presidente do ta mbajë LDK-në aty ku është dhe madje edhe do ta rrisë atë.

“Jo që nuk e dobëson LDK-në dhe e ruan vendin ku është, por vetëm e rrit sepse sovrani ka vendos me mbi 50 %”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat