AKB kundër masave anti-COVID: Kosova mund të pësojë humbje rreth 120 milionë euro

Aktuale

AKB kundër masave anti-COVID: Kosova mund të pësojë humbje rreth 120 milionë euro

Më: 7 prill 2021 Në ora: 21:36
Agim Shahini

Masat e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, po konsiderohen si jo racionale në proporcion me gjendjen aktuale nga Aleanca Kosovare e Bizneseve të Kosovës.

“Kjo mbyllje do të ketë shumë pasoja dhe sipas parashikimeve tona, nga mbyllja e ekonomisë, vendi do të mund të pësojë një humbje rreth 120 milionë dhe kjo nuk do të mund të kompensohet asnjëherë me asnjë formë”.

Kështu ka thënë kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Sipas tij, Qeveria e vendit “do të duhej t’i rrisë masat preventive duke rritur kontrollin në vendet publike, duke ofruar shërbime dhe duke ofruar edhe formën e mbajtjes së distancës nën kontroll por jo mbylljes së ekonomisë”.

Tutje ai ka theksuar se ora policore dhe mbyllja e vendit në vitin e kaluar, ka lënë pasoja të mëdha të cilat “nuk janë mbuluar asnjëherë nga shteti dhe që sërish po përsëritet i njëjti skenar”, gjë që është forma më e rëndë për bizneset dhe ekonominë.

“Prandaj po kundërshtojmë masat aktuale”, ka thënë Shahini.

AKB-ja rekomandon institucionet e vendit që të rrisin masat parandaluese duke rritur kontrollin e duke ofruar shërbime shtesë për qytetarë.

“Qeveria tashmë i ka numrat e mjaftueshëm të prodhojë ligje që e mbështet dhe e rimëkëmb ekonominë, të jetë urë lidhëse në mes sektorit privat dhe fondeve financiare ndërkombëtare në mënyrë që ekonomia të rimëkëmbet dhe në këtë formë të tejkalohet kriza ekonomike e cila ishte edhe para pandemisë”, shtoi Shahini.

Të hënën, më pesë prill, rastet e shumta me COVID-19 kanë detyruar qeverinë të mblidhej dhe të shqyrtojë masa të reja kundër pandemisë.

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia në bashkëpunim me qeverinë, ka vendosur kufizimin e lëvizjes për qytetarët nga ora 22:00 deri në 5:00, përveç rasteve urgjente shëndetësore.

Po ashtu institucionet publike dhe private të arsimit para universitar do jenë online nga data 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga data 7 deri më 18 prill.

“Masat do të rivlerësohen pas dy javëve dhe nëse ka ulje të rasteve, atëherë ato mund të ndryshojnë”, ka njoftuar ministri Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat