​Deputetët e vlerësojnë të dobët raportin vjetor të RTK-së

Aktuale

​Deputetët e vlerësojnë të dobët raportin vjetor të RTK-së

Më: 25 maj 2021 Në ora: 15:41
Foto nga mbledhja

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka kritikuar raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës. Pozitë e opozitë e kanë vlerësuar të dobët raportin për vitin e kaluar, duke shtuar se gjendja e transmetuesit publik është jo e mirë. Gjatë mbledhjes së komisionit është diskutuar gjatë edhe për Kodin e Etikës që përfshin të punësuarit e RTK-së. Bordi i medias publike ka thënë se është çështje personale e individuale se çfarë shkruajnë, por që me këtë nuk janë pajtuar anëtarët e komisionit.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota para anëtarëve të komisionit ka thënë se bordi për 8 muaj ka qenë pa kuorum për shkak të mos konsolidimit të kuvendit dhe një barrë e tillë i ka takuar menaxhmentit.

Bashota: Bordi ka trashëguar shumë probleme

"Janë shumë probleme të tjera të cilat e përcjellin RTK-në me vite të tëra, të cilat janë afektuar edhe në këtë raport. Siç është qëndrueshmëria financiare, problemi i godinës së vjetër, problemi i pronës, problemi tjetër që lidhet me pronën e re që është në bord të RTK-së dhe ende nuk ka lëvizur asgjë. Pra, ka shumë probleme të tjera të cilat janë paraqitur me vite të tëra. I ka trashëguar edhe ky bord, edhe ky menaxhment”, ka theksuar ai.

Për më tepër, ai ka kërkuar nga deputetët që RTK të ketë një ligj, i cili do të ndihmonte shumë mediumin.

Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku ka ngritur çështjen e etikës, duke përmendur deklaratën tashmë të zëvendësdrejtorit, Mentor Shala i cili në kohën kur kishte dalë fituese LVV kishte shkruar “qytetarët dje vendosën për Rusinë”.

Isaku: Cilat janë masat që i keni marrë në raport me deklarimin e Mentor Shalës?

“A zbatohet kodi i etikës në RTK dhe a do të duhej i njëjti standard për të gjithë punëtorët e RTK-së. Meqë kemi parë disa veprime nga menaxhmenti dhe të sindikatave të punëtorëve të RTK-së. Ndërsa, kemi një deklarim të drejtorit të ‘RTK LIVE’, Mentor Shalës në lidhje me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, ku thotë se ‘qytetarët dje vendosën për Rusinë’. Cilat janë masat që i keni ndërmarrë ju, si bord në raport me këtë deklarim skandaloz dhe denigrues”, ka pyetur ai.

Kryetari i bordit të RTK-së tha se nuk dëshiron të deklarohet për këtë çështje, meqë është individuale. Për më tepër, theksoi se e njëjta nuk është diskutuar në bord.

Bashota: Kjo është çështje personale e individit

"Kjo është çështje personale e individit, i cili deklaron... Kica: Çfarë veprime konsideroni që është dashur të merren karshi zotëri Shala... Unë as nuk e kam parë këtë deklaratë, nuk e di cili vit ka qenë... Kica: Është një zëvendësdrejtor në institucionit publik i cili ka dhënë deklaratë që 50 për qind e popullit ka votuar për Rusinë. Në qoftë se ju jepni përgjigje që nuk keni qëndrim do të doja t’ia kaloja fjalën edhe anëtarëve tjerë të bordit në qoftë se kanë qëndrim për këtë çështje... Kjo çështje duhet të diskutohet në bord, nuk është temë diskutimi sot. Ne mundemi me shqyrtua në bord. Kjo është jashtë temës... Nuk e kemi shqyrtuar, nuk na ka thënë askush të shqyrtojmë”, kanë thënë ata.

Për këtë ka reaguar edhe kryetarja e komisionit, Daorsa Kica e cila tha se bordi nuk duhet të qëndrojë neutral karshi deklarimeve të tilla.

Kica: Është pyetje legjitime të thuhet se çfarë është ndërmarrë ndaj një personi që ka shkelur Kodin e Etikës

“Në qoftë se ju thoni që është çështje personale e individit, por RTK ka megjithatë praktikë që është suspenduar është sanksionuar një person i cili ka shkelur kodin e etikës, është pyetje plotësisht legjitime të thuhet se çfarë është ndërmarrë ndaj një personi tjetër, i cili gjithashtu e ka shkelur kodin e etikës”, ka deklaruar ajo.

E drejtori i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati tha se Shalës i është tërhequr vërejtja dhe se i njëjti postim ishte fshirë gjatë natës.

Kastrati: A po më leni me fol?

“A po më leni me fol. Qysh me ardh unë me të tregua cilin me dënuar e cilin jo a. Çka je tu thonë bre, kush je ti me ma dhënë mua fjalën. Qe ku është kryetarja, ty me të pyet a me ma dhënë fjalën. Mos bo hajgare. Ti po më ndërhyn, ky po më ndërhyn, nuk po mundem me u përgjigj...Kica: Në qoftë se keni pakënaqësi lidhur me pyetjet e tjetrit, jeni këtu tregoni e jo me bërtit. Nuk keni të drejtë me ngrit zërin sepse ngritja e zërit përfshirë prej deputetëve edhe prej jush, nuk ua kemi borxh as qytetarët e Kosovës nuk ua kanë borxh të ju dëgjojnë teksa bërtisni. Nëse nuk mund të flisni me zë normal, ne duhet të kërkojmë që ju ta lëshoni mbledhjen”, u tha më tej gjatë mbledhjes së komisionit.

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se ky raport nuk duhet të pranohet nga komisioni. Mes tjerash, ka shtuar se transmetuesi publik ka probleme me pronën dhe që vazhdon të ketë problem me financimin.

Tahiri: Ky raport është shumë i dobët, ne nuk duhet ta pranojmë

“RTK ka shumë probleme të mëdha, si komision i cili jem përgjegjës me mbikëqyr. Së pari ky raport për mendimin tim është shumë i dobët. A doni me ditë, ky është një raport shumë i dobët. Ne si komision këtë raport nuk duhet ta pranojmë, ne duhet me kërkuar raport përmbajtjesor, jo çfarë bën Imazhi, apo emisioni X. Nuk kemi nevojë për këtë raport se ne e shikojmë RTK-në. Ju lutem mos e trajtoni temën e Mentor Shalës këtu sepse nuk është e drejtë, sepse edhe ai ka qenë cak i disa sulmeve. Në 2019 nuk ka qenë zëvendësdrejtor, e mbyllim këtë temë. RTK është keq”, ka deklaruar Tahiri.

Gjatë mbledhjes së komisionit me bordin drejtues të RTK-së është diskutuar edhe çështja e më shumë se 300 mijë eurove brenda 3 muajve. Drejtori i RTK-së ka garantuar që nuk ka asnjë tejkalim.

Anëtari i pozitës, Besim Muzaqi ka qenë i interesuar për zgjerimin e rrjetit në krejt Kosovën dhe shtimin e kapaciteteve. Sipas tij, ka pak emisione kulturore dhe edukative. Ndërsa, anëtari i opozitës, Agim Veliu ka theksuar se në bazë të raportit, ani pse është lajmëruar debati publik, qytetarët nuk kanë marrë pjesë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat