Ish-ministrja e Jashtme sot del para gjykatës

Aktuale

Ish-ministrja e Jashtme sot del para gjykatës

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 10:05
Meliza Haradinaj-Stublla

Ish ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila po akuzohet për mos raportim të pasurisë, sot pritet të dal para gjykatës.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, raporton Betimi për Drejtësi.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht.

Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat