Lajmërohet kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, jep një premtim të madh – ja plani i tij për kryeqytetin

Aktuale

Lajmërohet kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, jep një premtim të madh – ja plani i tij për kryeqytetin

Nga: N. H Më: 1 qershor 2021 Në ora: 19:04
Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sonte do të bëjë paraqitjen e tij të parë publike si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Rama shpjegon se nuk pretendon të jetë politikan por do të garoj dhe të fitoj si menaxher i Prishtinës, shkruan “Bota sot”.

“Nuk pretendoj të jem politikan por do të garoj dhe të fitoj si menaxher i Prishtinës. Ky fakt e bën ftesën nga LDK-ja edhe më sfiduese për mua sepse lidershipi i saj në krye me Lumirin janë treguar guximtarë dhe vizionarë që kanë ftuar dikë jashtë strukturave të tyre partiake, kanë ftuar dikë qe besojnë se është zgjedhja më e mirë për Prishtinën dhe banorët e saj!”, ka shkruar ai.

Ai premton se e ka vizionin për të kthyer Prishtinën tonë në kahje të duhur.

“Ne e kemi vizionin dhe besimin për të kthyer Prishtinën tonë në kahje të duhur. Nga ky vizion do buron një plan pragmatik i bazuar në analiza të thella dhe strategjike të qytetit. Përmes këtij plani do të bëjmë ndërrimin e madh, dhe do ta shndërrojmë Prishtinën në një qytet me karakter unik”, deklaron Rama.

Ja shkrimi i tij:

Të dashur miq e familjar,

Sonte për herë të parë do të jap një intervistë si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës. Ndihem shumë i nderuar që kam marr ftesë nga zotëri Lumir Abdixhiku që të hyj në këtë garë.

Nuk pretendoj të jem politikan por do të garoj dhe të fitoj si menaxher i Prishtinës. Ky fakt e bën ftesën nga LDK-ja edhe më sfiduese për mua sepse lidershipi i saj në krye me Lumirin janë treguar guximtarë dhe vizionarë që kanë ftuar dikë jashtë strukturave të tyre partiake, kanë ftuar dikë qe besojnë se është zgjedhja më e mirë për Prishtinën dhe banorët e saj!

Prishtina është vendlindja ime, vend i cili më ka dhënë një bazë të fortë të identitetit tim personal të cilin e kam bartur dhe e mbaj me vete çdo herë e gjithkund në botë. Pa marrë parasysh ku kam jetuar e ku kam vepruar, gjithmonë kam qenë dhe jam i Prishtinës.

Një pjesë të madhe të veprimtarisë sime profesionale e kam fokusuar në Prishtinë dhe Kosovë sepse këtë vend e dua më së shumti në botë dhe kam besim të plotë në ardhmërinë dhe potencialin e tij.

Çdo gjë që kam arritur në jetë e kam bërë me punë të pandërprerë dhe të palodhshme që nga mosha 16 vjeçare. Inspirimi im për çdo gjë ka qenë vendlindja ime. Jam me fat që gjithmonë e kam pasur dashurinë e pakusht të prindërve dhe familjes si dhe përkrahjen e madhe në çdo hap të jetës.

Unë po hyj në këtë garë me plot vullnet e besim, jo vetëm në veten time por edhe në të gjithë ju që i dëshironi të mirën këtij qyteti. Do të garoj që ti përfaqësoj interesat e të gjithë atyre të cilët kanë shpresë në të ardhmen e këtij vendi dhe të cilët nuk i frikohen punës që duhet bërë për përmirësimin e jetës në Prishtinë.

Unë do të përfaqësoj të gjithë banorët e Komunës së Prishtinës, dhe të gjitha pjesët përbërëse të saj, si fshatrat ashtu edhe qendrën. Të gjitha pjesët e Komunës së Prishtinës duhet ta kenë vëmendjen e njëjtë dhe trajtimin sipas nevojave që kanë sepse së bashku ato paraqesin një mozaik të larmishëm i cili e plotëson njëra tjetrën.

Ne e kemi vizionin dhe besimin për të kthyer Prishtinën tonë në kahje të duhur. Nga ky vizion do buron një plan pragmatik i bazuar në analiza të thella dhe strategjike të qytetit. Përmes këtij plani do të bëjmë ndërrimin e madh, dhe do ta shndërrojmë Prishtinën në një qytet me karakter unik.

Duhet të planifikojmë në atë mënyrë që të zgjidhim problemet jo vetëm të së tashmes por edhe ato të së ardhmes. Vetëm në këtë mënyrë gjeneratave të reja, fëmijëve tanë do të tua lëmë trashëgimi një qytet të cilin do ta duan dhe në të cilin do të kenë mundësi të përparojnë.

Banorët e Komunës tonë kanë nevojë për një qytet të pastër dhe funksional. Një qytet në të cilin do të mund të kenë hapësira të denja banimi, ku do të mund të rrisim fëmijët tanë në siguri, ku do të mund të kemi hapësira për punë, ku do të ketë trajtim adekuat shëndetësor, si dhe trajtim të duhur social. Ta bëjmë këtë qytet më të mirë për të gjithë, edhe për këmbësorët, edhe për nënat me fëmijë të vegjël, për të moshuarit, për njerëzit me nevoja të veçanta, për të rinjtë si dhe për bizneset. Jam i bindur që të gjithë banorët e këtij qyteti e sidomos gjeneratat e reja si dhe njerëzit vizionar të këtij vendi janë të gatshëm që së bashku të bëjmë një shtytje të fortë dhe ta kthejmë qytetin në drejtim të duhur.

Pikërisht për këtë arsye, ky qytet dhe banorët e tij kanë nevojë jo për politikan por për një profesionist, për një menaxher me një vizion konkret e me vullnet të mirë për ta drejtuar zhvillimin dhe mirëqenien e qytetit në drejtim të duhur. Një profesionist që inkurajon kontributin e profesionistëve tjerë që të marrin pjesë me kompetencë në problematikat dhe formësimin e të ardhmes sonë.

Për këtë punë kolosale jam i gatshëm të jap kontributin tim, me gjithë dijen dhe aftësitë e mia. Dhe për këtë kërkoj përkrahjen dhe besimin e të gjithë juve.

Shpresoj që kjo garë të jetë një garë pozitive, midis ideve e programeve prej të cilave ju banorët e Komunës do të mund të zgjidhni opsionin më të mirë për ju, për fëmijët tuaj dhe për të ardhmen e të gjithë ne.

Ju Falënderoj për përkrahjen tuaj!

Me dashni,

Përparim Rama

#PR4PR

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat