UP reagon për liturgjinë serbe në Kishën Ortodokse në Prishtinë

Aktuale

UP reagon për liturgjinë serbe në Kishën Ortodokse në Prishtinë

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 08:05
Mesha

Për liturgjinë serbe të mbajtur të enjten në Kishën Ortodokse në Prishtinë ka shprehur edhe shqetësimin edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nga UP kanë ftuar akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova që t’i kontribuojnë qartësimit të situatës.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ shpreh shqetësimin e thellë për ceremoninë fetare të organizuar dje nga Kisha Ortodokse Serbe, në objektin e ndërtuar ilegalisht prej ish-regjimi serb në kampusin e UP-së. UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor. Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. Njëherësh, UP-ja fton të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore”, thuhet në komunikatën për media nga UP.

Ndërkohë që kanë theksuar se kampusi universitar është i dedikuar për studentë dhe aktivitet akademike. Ndërsa, çdo sjellje që paraqet provokim është i dënueshëm

“UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit”, përfundon komunikata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat