Flasin nga Agjencia Kundër Korrupsionit: Kemi një punëtor për t’i verifikuar deri në 160 zyrtarë të lartë publik

Aktuale

Flasin nga Agjencia Kundër Korrupsionit: Kemi një punëtor për t’i verifikuar deri në 160 zyrtarë të lartë publik

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 19:43
Afrim Atashi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publik deklarimin e pasurisë ndaj zyrtarëve të lartë publik.

Këtë të premte është bërë publike lista e shortit të zyrtarëve të lartë publik ku ka rënë që 955 sish do t’i nënshtrohen vërtetësisë së të dhënave të deklaruara e në mesin e tyre do të jetë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Afrim Atashi nga Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se të gjitha detajet rreth këtij shorti janë të parapara me ligj dhe se nga e hëna do të nxirret vendimi ku do të caktohen zyrtarët përgjegjës të cilët do t’i verifikojnë zyrtarët e lartë publik duke thënë se do të kërkojnë informata nga institucionet private e publike ku zyrtarët e lartë publik kanë prona apo pasuri.

“Pra, bashkëpunojmë me të gjitha institucionet kryesore të vendit si Agjencia Kadastrale, Administrata Tatimore, Dogana e të tjera, të cilat duhet të na ofrojnë të dhëna dhe pastaj e shohim se ka përputhje në mes deklaratave dhe gjendjes reale të zyrtarëve të lartë publik”, ka thënë Atashi.

Tutje, Atashi thotë se ky proces do të zgjat deri në fund të vitit për shkak se ka një numër të madh të zyrtarëve të lartë publik dhe se kanë një numër të vogël të zyrtarëve verifikues dhe se sipas tij, të gjithë ata që e deklarojnë rrejshëm pasurinë, një gjë e tillë paraqet vepër penale.

“Kemi përafërsisht një zyrtar për verifikim i cili do të ketë deri në 150 apo 160 zyrtarë të lartë publik që t’i  verifikojë por që e kemi edhe të paraparë me ligj që kjo periudhë mund të zgjas deri në gjashtë muaj dhe se të gjithë ata që e deklarojnë rrejshëm pasurinë kjo paraqet vepër penale”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në deklarimin e pasurisë së tij ka deklaruara se e paguan një qira për shtëpinë e tij në shumë prej 250 euro, ndërsa Atashi thotë se kjo nuk është çështje që i përket AKK-së.

“Është çështje tjetër sa i përket qirasë, pasi që Agjencia nuk është një subjekt që e ka lëshuar një objekt me qira dhe ky është një proces që ka ndodhur në mes qira dhënësit dhe qira marrësit, por që siç e keni parë, pjesë e shortit është edhe kryeministri Albin Kurti i cili do t’i nënshtrohet deklarimit të pasurisë si gjithë të tjerët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat