“E futi në dhomë, ia kishte shqyer rrobat dhe e dhunoi në prani të....”, ish ambasadori reagon për dënimin e kriminelit serb

Aktuale

“E futi në dhomë, ia kishte shqyer rrobat dhe e dhunoi në prani të....”, ish ambasadori reagon për dënimin e kriminelit serb

Nga: P.R Më: 5 korrik 2021 Në ora: 21:44
Zoran Vukotiq

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vite burgim, Zoran Vukotiq, ish rezervist i policisë serbe për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zoran Vukotiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar. E ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës, ani pse kanë kaluar 22 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

"Në datën 22 maj të vitit 1999, te varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre, i kishin urdhëruar të ulen të tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet- shkop të drurit, fillon t’i rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur, i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për t’i pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi te e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marrë me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përplasur të dëmtuarën për dysheme, me forcë ia kishte shqyer rrobat dhe kishte kryer aktin seksual - dhunimin”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore.

Dënimi i Vukotiqit ka nxitur shumë reagime në Kosovë. I fundi që ka reaguar është edhe Islam Lauka, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

“Dëshmimi i këtij veprimi barbar, nga ana e kësaj gruaje shqiptare, ashtu si edhe dëshmitë e të mbiletuarave të tjera të dhunës seksuale, si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, janë akte të vërteta guximi, trimërie dhe emancipimi shoqëror, që i shërbejnë zbulimit të së vërtetës së konfliktit shqiptaro-serb, i cili, vitet e fundit, po shtrembërohet, jo vetëm nga kundërshtarët tanë të njohur, por edhe nga disa prej miqve e aleatëve tanë, me të ashtuquajturën tezë të simetrisë së fajit të shqiptarëve dhe serbëve. E vërteta historike është një dhe vetëm një: Beogradi ishte agresori, ndërsa shqiptarët viktima të dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror serb”, ka shkruar ndër tjerash në postimin e tij Lauka, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Më mirë vonë se kurrë

Sot Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me dhjetë vjet heqje lirie policin serb, Zoran Vukotiç, për përdhunimin e një gruaje shqiptare, me 22 maj 1999, në Vushtri. Në kohën e përdhunimit shtazarak, viktima ishte shtatzënë dhe, si pasojë e dhunës fizike e psikologjike të ushtruar ndaj saj, humbi dy djemtë e saj binjakë.

Për rastin e saj ajo pati dëshmuar në UMNIK dhe në EULEX, por, fatkeqësisht, prej tyre nuk erdhi drejtësia e shumëkërkuar. Pas 22 vjetësh, mori fund kultura e panëshkueshmërisë dhe krimineli serb Vukotiç mori dënimin e merituar nga një gjykatë shqiptare.

Më mirë vonë se kurrë!

Dëshmimi i këtij veprimi barbar, nga ana e kësaj gruaje shqiptare, ashtu si edhe dëshmitë e të mbiletuarave të tjera të dhunës seksuale, si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, janë akte të vërteta guximi, trimërie dhe emancipimi shoqëror, që i shërbejnë zbulimit të së vërtetës së konfliktit shqiptaro-serb, i cili, vitet e fundit, po shtrembërohet, jo vetëm nga kundërshtarët tanë të njohur, por edhe nga disa prej miqve e aleatëve tanë, me të ashtuquajturën tezë të simetrisë së fajit të shqiptarëve dhe serbëve. E vërteta historike është një dhe vetëm një: Beogradi ishte agresori, ndërsa shqiptarët viktima të dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror serb.

Në këtë kuptim, shteti, shoqëria civile, të gjithë ne, pa përjashtim, duhet t`i mbështesim dhe t`i inkurajojmë këto luftëtare të së drejtës e të së vërtetës, duke e konsideruar luftën e tyre si pjesë të kauzës së madhe të çështjes së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat