Flet zyrtari i “Listës Guxo”: Nuk më bënë zv/ministër sepse nuk pranova të shkrihem në “Vetëvendosje”

Aktuale

Flet zyrtari i “Listës Guxo”: Nuk më bënë zv/ministër sepse nuk pranova të shkrihem në “Vetëvendosje”

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 16:40
Lista Guxo

Brenda listës “Guxo”, e themeluar vitin e kaluar nga Vjosa Osmanin, tashmë presidente e Republikës së Kosovës, kanë nisur përçarjet.

Kjo, për shkak se shumë degë të Komunave nuk po pranojnë që Lista “Guxo”, të kandidojnë bashkë në zgjedhjet lokale me Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Një debat i ashpër me akuza e kundër akuza po zhvillohet ndërmjet deputetit të kësaj liste, Haxhi Avdylit dhe koordinatorit në Ferizaj, Balton Dërguti.

E, mbrëmë në një intervistë televizive deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli ka deklaruar se janë regjistruar në KQZ si iniciativë qytetare, me qëllim që, siç ka thënë ai, të mos shfrytëzohet partia nga persona të tjerë.

Lidhur me këto zhvillime ka folur koordinatori i Listës “Guxo” në Ferizaj, Balton Dërguti.

Ai thotë se nuk janë duke e shfrytëzuar partinë, dhe se regjistrimi në KQZ është bërë vetëm e vetëm  për t’ua parandaluar marrjen e emrit Iniciativa “Guxo”, megjithatë thotë se do të aplikojnë për regjistrim përsëri me modifikim, teksa paralajmëron se nuk do të zmbrapset.

“Ata janë ngut shpejtë e shpejtë për me regjistruar në KQZ- që mos me na leju neve emrin , por ne do ta kemi një emër pak a shumë të ngjashëm, do ta modifikojmë, tek e fundit ne po regjistrohemi vetëm në Ferizaj dhe mund ta modifikojmë emrin e që neve na lejohet të regjistrohemi me një ndryshim të vogël edhe ata nuk kanë qëllim me hy në garë, por vetëm kanë qëllim me na ndalu që mos me marr ne emrin”, është shprehur Dërguti.

Ndërsa, i është kundërpërgjigjur deklaratës së Avdylit, i cili ka thënë se këto përçarje po ndodhin për shkak se Dërguti nuk është zgjedhur zëvendësministër në Qeverinë Kurti.

Thotë se arsyeja që nuk ka pranuar të jetë zv/ministër është se i kanë kërkuar të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje, e nuk ka të bëjë aspak me përmbushjen e kritereve siç ka deklaruar Avdyli.

“Unë e kam pas këtë mundësi, por nuk kam pranuar sepse nuk kam qenë i gatshëm me pranua me një kusht që ne me u shkri në Vetëvendosje. Unë e kam pas edhe më herët edhe këto ditë këto mundësi, dhe shokët e Haxhi Avdylit nuk i kanë tregu atij, sepse ai është jashtë loje me disa informata nuk i di këto sene, përndryshe Haxhi Avdyli njihet si mashtrues sepse ai vazhdimisht është shtrirë në një frymë dhe në vlera rugoviane por në fund po bën kërkesë që me na shkri në Vetëvendosje.  Ne nuk e pranojmë një gjë të tillë, Kërkesa jonë është që ta kemi identitetin tonë në zgjedhje të cilëve u kemi hy dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër”, ka deklaruar Dërguti.

I pyetur se a do ta përkrahin kandidatin e VV-së, për kryetar pasi që vet nuk kanë kandidat, Dërguti ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura.

“Ne e kemi lënë të hapur mundësinë që të mbështesim njërin nga kandidatët që do të jetë për kryetar komune e cili do të jetë ai do të shohim në ditët në vijim.  Dikur ka shtatori do ta shikojmë mundësinë që të negociojmë me kandidatë që janë për kryetar të komunës dhe të shohim se cili e ka programin më të mirë për qytetin tonë”, ka shtuar ai.

Donika Gërvalla, e cila aktualisht e drejton iniciativën, ka kërkuar që të respektohet vendimi për shkuarjen në zgjedhje lokale bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës ta bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë. Prandaj Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe donë ta bëjë ndryshimin e premtuar”, kishte shkruar Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat