Arrestimet në Dukagjin, analisti: Të shkëputet hallka e krimit të organizuar

Aktuale

Arrestimet në Dukagjin, analisti: Të shkëputet hallka e krimit të organizuar

Nga: G.B Më: 16 korrik 2021 Në ora: 16:15
Aksioni

10 persona janë arrestuar dje në Komunat Pejë, Istog dhe Klinë. Pas kësaj ka pasur reagime të shumta.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe analisti Skënder Mulliqi, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto arrestime janë lajm i mirë për drejtësinë dhe se duhet shkëputur të gjitha hallkat e krimit të organizuar që janë prej 22 vitesh, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kapitulli i hajnive dhe pasurimeve brenda natës, njëherë e mirë duhet të përfundojë.

Postimi i tij i plotë:

Arrestimet e disa zyrtarëve të komunave në Dukagjin, si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është lajm i mirë për drejtësinë në Kosovë. Është koha e funksionimit të shtetit ligjor, është koha e arrestimeve të të gjithë atyre të cilët bien ndesh me ligjin. Hallkat e krimit të organizuar duhet të shkëputën, se mjaft kanë zgjatur që 22 vite.

Për fajësinë e dikujt apo mos fajësinë fjalën e japin organet kompetente, e jo kjo të shfrytëzohet për politizime individuale apo partiake. Gjyqësia është organ i pavarur dhe kështu duhet edhe të funksionojë. Mjaft gjatë organet tona jo vetëm të drejtësisë janë ndikuar nga politika ditore. Secili zyrtar duke filluar nga nivelet komunale deri te organet qendrore të hetohen për korrupsion apo për çdo keqpërdorim tjetër. Të shkohet deri në fund me hetimet e pasurimeve të paligjshme që dyshohet me të drejtë se ekzistojnë në Kosovë.

Përgjegjësia morale deri te përgjegjësia penale, ka ardhur koha që të vijnë në shprehje, e jo që zyrtarët e lartë të shtetit të sillen sikur Kosova të ishte prone e tyre private. Kapitulli i hajnive dhe pasurimeve brenda natës, njëherë e mirë duhet të përfundojë, nëse mendojmë që të kemi shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme. Inkuadrimi i shumë bazhibuzukëve në politikë, janë e keqja më e madhe e pasluftës në Kosovë. Hajnat dhe zhvatësit e pronës shoqërore dhe parasë publike e kanë sjellë gjendjen e mjerueshme të shumicës. Prandaj, çdo arrestim i atyre që dyshohen për krim dhe korrupsionin duhet mirëpritur, sikurse që duhet mirëpritur edhe arrestimet e fundit të disa zyrtarëve komunalë të rajonit të Pejës...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat