KQZ bën të ditur sa subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet lokale

Aktuale

KQZ bën të ditur sa subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet lokale

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 18:59
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë aplikuar 94 subjekte politike. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4.922.

“Gjatë periudhës dy mujore  17 qershor – 16 gusht, në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4,922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4,757 kandidatë për kuvende të ndryshme komunale”

Elezi tutje ka shpjeguar që komisioni do të shqyrtojë materialet për të bërë pastaj certifikimin e kandidatëve më tutje.

“KQZ-ja do të marrë vendim për certifikim ose jo të ndonjë kandidati apo subjekti politik deri më 1 shtator. Gjithashtu besoj që është me rëndësi të përmendet që në rast të mos certifikimit  të ndonjë kandidati, apo subjekti politik, pala e pakënaqur mund ti drejtohet PZAP-it si dhe Gjykatës Supreme”

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet më së largu deri më 8 shtatorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat