Kusari-Lila publikon Ligjin për mbrojtjen e vlera të luftës, ku përfshihet Arkiva e UÇK-së: Ata që e shënuan, për çka e kishin fjalën?!

Aktuale

Kusari-Lila publikon Ligjin për mbrojtjen e vlera të luftës, ku përfshihet Arkiva e UÇK-së: Ata që e shënuan, për çka e kishin fjalën?!

Nga: G.B Më: 10 shtator 2021 Në ora: 09:26
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me arkivat e UÇK-së, për çka që nga dje u bë debat me reagime të shumta.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka publikuar dokumentin për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, ku përfshihen edhe Arkivat e UÇK-së, përcjell Bota sot.

Kusari-Lila ka thënë se kjo është bërë nga legjislatura e kaluar e Kuvendit, ku e kanë draftuar dhe prezantuar këtë projektligj për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Sipas saj, arkivën vetëm e ka aktualizuar Bislmi, derisa ka thënë se ata që dje e sot, mund të bërtasin, mund të ofendojnë, por mbi të gjitha, duhet të tregojnë, për cilën arkivë si vlerë të luftës e kishin fjalën kur draftuan projektligjin.

“E nëse UÇK-ja nuk kishte arkivë, le të përgjigjen ata që e shënuan atë si vlerë të saj në projektligj, për çka e kishin fjalën”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj i plotë në Facebook:

Mirëmëngjesi Kosovë,

Reagimet e vrullshme dhe me sulme ofenduese ndaj Qeverisë Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi pas takimit për të pagjeturit në Bruksel, e tregojnë në thelb pse çështja e të pagjeturve dhe shumë çështje tjera të luftës dhe pasluftës janë të pazgjidhura.

Të njëjtit akterë dhe të njëjtat grupime politike ishin në Kuvend legjislaturën e kaluar, kur vetë draftuan dhe prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Në atë projektligj Neni 3, pika, 1.11 vlerë e luftës është shënuar: Arkiva e UÇK-së.

Arkivën e UÇK-së nuk e aktualizoi Zëvendës Kryeministri Bislimi, atë e definuan ata që draftuan projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Dje e sot, mund të bërtasin, mund të ofendojnë, por mbi të gjitha, duhet të tregojnë, për cilën arkivë si vlerë të luftës e kishin fjalën kur draftuan projektligjin?! Projektligji është dokument zyrtar dhe publik në momentin kur dorëzohet për procedim në Kuvend.

A kanë menduar sponzorizuesit e projektligjit se të tjerët e lexojnë projektligjin dhe do të kërkojnë informata shtesë për të? Nëse UÇK-ja nuk ka arkiva, pse është listuar arkiva si vlerë e luftës në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së?

Apo nëse ka arkivë dhe arkiva e UÇK-së ka të bëjë me plane të rezistencës ushtarake, përgatitje me armatim, mobilizim të popullatës për mbrojtje nga agresori policor dhe ushtarak serb, atëherë nuk ka nevojë për fushatë politike sot, por për zbardhje të fatit të pagjeturve. E për zbardhjen e fatit të tyre, nuk ka dyshime askush se krejt çfarë na duhet janë arkivat e shtetit Serb për krimet e tyre në Kosovë. Dhe nëse është arritur marrëveshja dhe ajo marrëveshje zbatohet për të hapur ato, atëherë mund të besojmë se do të ketë përparim në zbardhjen e fatit të pagjeturve përfundimisht pas 22 viteve.

E nëse UÇK-ja nuk kishte arkivë, le të përgjigjen ata që e shënuan atë si vlerë të saj në projektligj, për çka e kishin fjalën.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat