Dënimet dhe kohëzgjatja e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së? Flet avokati i Speciales

Aktuale

Dënimet dhe kohëzgjatja e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së? Flet avokati i Speciales

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 20:05
Gjykata Speciale

Po bëhen gati një vit, kur ish-krerët e luftës së UCK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u arrestuan nga Specialja nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Hagë, procesi i gjykimit do të nisë në muajin e ardhshëm edhe për dy ish-udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

E më 20 të këtij muaji, procesi i parë gjyqësor që nisi është i ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, në një prononcim tha secili rast e ka rrjedhën e vet derisa ende disa raste janë në fazën e përgatitjes përmes konferencave statusore.

 “Rastet e inicume pranë gjykatës speciale janë raste të cilat nuk janë të iniciuara në të njëjtën kohë. Secili rast e ka rrjedhën e vet, dhe për rrjedhojë rasti i presidentit Thaçi, e Kadri Veselit dhe të tjerëve është në fazën e përgatitjes përmes konferencave statusore”.

E sa i përket kohëzgjatjes së këtyre proceseve gjyqësore, avokati Qerkini tha se ajo varet nga numri i dëshmitarëve të involvuar në atë rast si dhe nga provat materiale.

Kohëzgjatja e një procesi gjyqësorë varet nga shumë faktorë. Varet prej numrit të personave të akuzuar, sepse nëse numri i personave të akuzuar është më i madh atëherë konsiderohet se merr më shumë kohë trajtimi i rastit, pastaj varet nga numri i dëshmitareve, varet nga provat materiale, nga ajo se cilat fakte do të konsiderohen kontestuese mes palëve dhe cilat jokontestuese, sepse për faktin jokontestuese nuk ka nevojë mu administru prova, këto janë dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në kohëzgjatjen e një procesi”, tha ai.

Në rast të shqiptimit të dënimeve, në rast të vërtetësisë së akuzave, sipas Qerkinit, do të ketë probleme juridike.

Ai thotë se në kohën kur pretendohet se janë kryer këto vepra penale ka qenë në fuqi kodi penal i ish-Jugosllavisë i cili maksimalisht dënimin e ka parë për këto vepra deri në 20 vjet ndërkaq tani në fuqi është ligji që parasheh dënim deri më burgim të përjetshëm.

Këtu është një farë dileme, se ata e kanë paraparë me ligj dmth dënimet qysh e parasheh ligji deri dënim me burgim të përjetshëm, por tani është një problem se në fuqi ka qenë kodi penal i ish- Jugosllavisë i cili maksimalisht dënimin e ka parë për këto vepra deri në 20 vjet. Për mendimin tim, këto munden me pas problem juridik se thjesht avokatët nuk kanë bazë me i argumentu që duhet mu zbatu kodi penal i cili ka qenë në fuqi kur pretendohet se janë kry veprat”, tha ai.

 Sa do të zgjasë gjykimi ndaj Salih Mustafës? Flet avokati i Speciales

Avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, tha se është planifikuar që rasti ndaj Salih Mustafës të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Është planifikuar që rasti ndaj Sali Mustafës të zgjat deri ne dhjetor të këtij viti, sepse Sali Mustafa është i vetëm, dmth se nuk është me bashkë të pandehur dhe numri siç kemi parë i dëshmitarëve nuk do të jetë  i madh ndërsa edhe seancat do të jenë intensive”, tha Qerkini.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihet edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat