Bajrami pyet Kurtin e Nagavcin: kur do të fillojë mësimi online nëse s’do të hapen shkollat?

Aktuale

Bajrami pyet Kurtin e Nagavcin: kur do të fillojë mësimi online nëse s’do të hapen shkollat?

Nga: M.L. Më: 22 shtator 2021 Në ora: 20:53
Foto e postuar nga ish ministrja Bajrami, mars 2020

Ish ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami ka bërë thirrje për rikthimin e mësimit online nëse nuk hapen shkollat.

Ajo ka shkruar në FB se të gjithë prindërit po kërkojnë llogari lidhur me mbylljen e shkollave dhe çerdheve.

““Nëse s’i hapni shkollat, mbajeni mësimin online. Nuk ka prind në Kosovë që nuk po kërkon llogari nga kjo Qeveri që ka mbyllur shkollat e çerdhet. E gjatë verës vallëzonin nëpër dasma e ahengje dhe e sollën gjendjen ku jemi sot. Si prind, si deputete e Republikës, si qytetare e këtij vendi po pyes Ministren e Arsimit dhe Kryeministrin se kur do të fillojë mësimi online nëse s’do të hapen shkollat? Për të satën herë jua përkujtoj se kur janë mbyllë shkollat më 11 mars vitin e kaluar mësimi online ka filluar pas një javë. Çka po ndodh tash?”, pyeti Bajrami.

Ajo i bëri thirrje qeverisë që nga “fondi për ringjallje ekonomike” të ndajë buxhetin e nevojshëm për blerje të materialeve digjitale nga institucionet private.

“Janë disa institucione të cilat përmbajtjet mësimore të aprovuara nga MASHTI i kanë digjitalizuar, madje këto përmbajtje janë shumë të avancuara dhe do të ju ndihmonin nxënësve dhe mësimdhënësve edhe në rrethana normale të zhvillimit të procesit mësimor. Mos të harrojmë se qeveria që dy dekada blen libra dhe për çdo vit për këtë qëllim shpenzohen mbi 10 milionë euro”, u shpreh ajo.

Bajrami theksoi se Qeveria tani ta ndajë buxhetin dhe të blej materialet digjitale.

“Më mirë me mësim online se sa të mos ketë fare mësim”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat