​Jashari takon të rinjtë e Skenderajt, premton 1 mijë vende pune

Aktuale

​Jashari takon të rinjtë e Skenderajt, premton 1 mijë vende pune

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 21:27
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e kësaj komune, të cilëve u ka premtuar se do të vazhdojë angazhimin për të krijuar vende pune e perspektivë për ta.

Jashari ka premtuar se në nëse do të merr besimin për mandatin e dytë do të krijojë mbi 1 mijë vende të reja të punës për të rinjtë e komunës.

Jashari: Do të hapen mbi 1 mijë vende të reja të punës

"Gjatë mandatit tim të ardhshëm do të kujdesem maksimalisht për të krijuar vende te reja të punës për ju përmes investimeve vendore e ndërkombëtare në parkun e biznesit ku do të hapen mbi 1 mijë vende të reja të punës", tha ai.

Para të rinjve të Skenderajt, Jashari ka prezantuar edhe disa projekte që synon t'i realizojë gjatë mandatit të dytë.

Jashari: Do të ndërtojmë stadiumin me kapacitet prej 4 mijë e 500 ulëse

"Stadiumi që prezantuam do të ndërtohet në bashkëfinancim mes komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Kulturës, do të ketë një kapacitet prej 4 mijë e 500 ulëse...krahas stadiumit do të ndërtojmë edhe pishinën gjysmë olimpike, salla sportive në secilën shkollë dhe në secilin fshat. Madhështisë së qytetit tonë do t'i shtohet edhe objekti multifunksional ku do të vendoset qendra rinore, salla të trajnimit, salla të konferencave dhe hapësira për organizatat joqeveritare. Do të vendoset edhe biblioteka e qyteti me salla moderne të leximit si dhe muzeu historik, ku do të ruhen dhe do të prezantohen vlerat tona kombëtare, si dhe lufta e shenjtë e UCK-së", tha ai.

Jashari tha se duke qenë të bashkuar do ta arrijnë ta jetësojnë amanetin dhe idealin e brezave të tërë të rënë për liri e pavarësi.

Mbështetje atij i ka dhënë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, i cili tha se për zgjedhjet në Skenderaj është e interesuar edhe Serbia.

Ai i ka kërkuar bashkëpartiakut të tij, kandidatit të PDK-së për kryetar të Skenderajt që të tërhiqet nga gara, derisa tha se asnjë nga liderët politikë deri më tash nuk ka rivalizuar me familjen Jashari.

Haxhiu: Fadil Nurën e ftoj që të tërhiqet nga gara

"Për zgjedhjet në Skenderaj nuk janë të interesuar vetëm disa analistë në Prishtinë me ditë kush fiton. Më shumë se analistët në Prishtinë është i interesuar Beogradi me ditë kush po fiton në Skenderaj, a ka heq dorë Drenica prej vlerave dhe idealeve të UCK-së komandantit legjendar Adem Jashari...E kam një porosi për kolegun tim Fadil Nura, e ftoj që të tërhiqet nga gara me dinjitet, humbjen e ka të garantuar dhe le ta ruan dinjitetin...Asnjë lider politik nuk ka rivalizuar asnjëherë me familjen Jashari, as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj, as Fatmir Limaj, asnjë që vijnë nga UÇK nuk kane rivalizuar me Jasharajt, por kanë rrugëtuar bashkë me ta", tha ai.

Haxhiu tha se vota për Bekim Jashari është votë për UÇK-në dhe për bashkëluftëtarët në Hagë, pasi sipas tij sa më e fortë UÇK në Kosovë aq më të fortë do të jenë ata në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat