Rihapet terminali doganor në Trepçë, Kurti: Ky është vetëm fillimi

Aktuale

Rihapet terminali doganor në Trepçë, Kurti: Ky është vetëm fillimi

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 07:34
Albin Kurti

(E plotësuar 11:28) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me bashkëpunëtorë, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e rifunksionalizimit të terminalit doganor në kompleksin e “Trepçës” në Mitrovicë.

I pari i Qeverisë tha se rihapja e terminalit është një e arritur e cila ndihmon shtetin e Kosovës, qeverinë, ndërmarrjen “Trepça” dhe doganat e Kosovës e në veçanti të bërit biznes.

Kurti ka theksuar se tash e sa vite padrejtësisht kjo hapësirë i privuar “Trepçës” për terminal doganor, për çka shton se me ç’rast kanë humbur bizneset dhe “Trepça”, ndërsa ka fituar një privat.

Kurti: Padrejtësisht kjo hapësirë i është privuar ‘Trepçës’ dhe i është dhënë një privati

“Sot është një ditë tejet e rëndësishme për të gjithë neve. Është një e arritur e cila na ndihmon të gjithëve, edhe shtetin e Kosovës e ‘Trepçën’, edhe doganat e Kosovës e Qeverinë e Kosovës, por në veçanti ndihmon të bërit biznes. Pra, për bizneset një kosto e panevojshme hiqet dhe në këtë mënyrë ato do të mund të funksionojnë më mirë, më lirë edhe për të mirën e tyre, por edhe të qytetarëve të vendit tonë. Nga viti 2003 deri më 2014 terminali doganor ka qenë në hapësirë e ‘Trepçës’. Padrejtësisht dhe çuditërisht kjo hapësirë i është privuar ‘Trepçës’ për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së ‘Trepçës’. Me ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur ‘Trepça’ dhe ka fituar një privat. Shtatë vjet më vonë, ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e ‘Trepçës, po e rikthejmë në ‘Trepçë’ atë që gjithmonë i ka takuar ‘Trepçës dhe në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vitesh’”, ka thënë Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se sot është një ditë ku me një veprim, do të ketë shumë përfitues.

Ai potencoi se ky është vetëm hapi i parë, dhe deri në gjysmën e vitit të ardhshëm do të shtrihen terminale të tilla shtetërore në tërë territorin e Kosovës.

Murati: “Trepçës” do t’i kthehet aktiviteti primar

“Pra siç e theksoi kryeministri, është një ditë ku me një veprim të tillë ka shumë përfitues. Për ‘Trepçën’ kjo nënkupton fitim, megjithatë kjo është një e hyrë komplementare për ‘Trepçën’, sepse siç e kemi diskutuar edhe më herët, ‘Trepçës’ do t’i kthehet aktiviteti primar, pra do të investohet në aktivitetin primar. Ne tashmë kemi ndarë buxhet, në mënyrë që ‘Trepça’ të funksionojë sipas aktivitetit që ka, si minierë dhe si shkritore, në mënyrë që të rikthehet si motor i zhvillimit ekonomik të vendit. Siç e theksoi edhe kryeministri, ky është vetëm hapi i parë, dhe deri në gjysmën e vitit të ardhshëm do të shtrihen terminale të tilla shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Murati.

Ndërkaq, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, është shprehur se është kënaqësi të shihet rikthimi i rolit të ndërmarrjeve publike në të mirë të interesave të qytetarëve dhe bizneseve lokale

Rizvanolli: Kënaqësi të shohim se ndërmarrjet publike po kthehen në interesa të qytetarëve

“Është kënaqësi të shohim një rikthim të rolit të ndërmarrjeve publike përtej rolit të tyre industrial, dhe të shohim se ndërmarrjet publike dalë ngadalë po i kthehen funksionit të punës në të mirë të interesave të qytetarëve dhe bizneseve lokale”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, drejtori i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, duke falënderuar kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës për përpjekjet dhe angazhimin e tyre në këtë drejtim, tha se kjo është shumë e rëndësishme për sfera të shumëfishta sa i përket shtetit të Kosovës.

Llugaliu: Rihapja e terminalit doganor në “Trepçë” është me rëndësi për dimensione të shumëfishta

“Unë jam shumë mirënjohës për kryeministrin dhe qeverinë për përpjekjet e jashtëzakonshme për të mundësuar fillimin e një procesi të rëndësishëm. Kjo është shumë me rëndësi për dimensione të shumëfishta”, ka thënë Llugaliu.

***

Me një ceremoni solemne, është bërë rihapja e terminalit doganor në Mitrovicë te kompleksi i Trepçës.

Të pranishëm ishin në këtë ceremoni kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli e drejtori i Përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu.

Kurti tha se padrejtësisht është larguar ky terminal, për t’iu dhënë një biznesi privat.

Ai ka shtuar se me rihapjen e terminalit përfiton ekonomia e vendit.

“Sot është ditë me rëndësi për neve, është një arritje edhe për Kosovën, Trepçën dhe për ekonominë në përgjithësi, e në veçanti ndihmon të bërit biznes dhe hiqet një kosto e panevojshme për ta”.

“Nga viti 2003 padrejtësisht e çuditërisht, kjo hapësirë është larguar nga Trepça dhe iu është dhënë një biznesi privat dhe në këtë mënyrë ka humbur Trepça dhe ka fituar një privat. 7 vjet më vonë, ne po e rikthejmë atë që i ka takuar çdo herë Trepçës. Aso kohe, 24 punëtorë kanë punuar dhe kanë mbetur papunë pasi i larguan këtë terminal”, tha Kurti.

“Maunet që vijnë nga Bernjaka, nuk kanë nevojë të kalojnë nëpër qytet por ndalën këtu dhe nuk do të krijohen kolona të gjata. Pra të gjithë janë fitues nga kjo hapje”, tha ai.

Mirënjohës për rihapje të këtij terminali, u shpreh drejtori i Doganës Agron Llugaliu, duke e konsideruar si hap shumë të rëndësishëm për ekonominë edhe bizneset.

“Jam shumë mirënjohës nga Qeveria që ka bërë gjithçka për rihapjen e këtij terminali. Rihapja e saj është me rëndësi në dimensione të ndryshme dhe për ekonominë dhe bizneseve, sepse iu mundëson kosto më të ulët”.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u zotua edhe për investime të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, duke theksuar se Trepça është prioritet i Qeverisë.

Ministri i Financave dhe Tranafereve, Hekuran Murati, tha se deri synojnë që vitin e ardhshëm të hapen në tërë Kosovën terminale të tilla.

“Në aspektin biznesor, ky është hapi i parë dhe deri në gjysmën e vitit të ardhshëm, do të shtrihen terminale të tilla në tërë Kosovën”, tha Murati.

Rihapet Terminali Doganor në Trepçë, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

Kurti në deklaratë për medie pas rihapjes së Terminalit Doganor në kompleksin e “Trepçës”

Është bërë riihapja e Terminalit Doganor në kompleksin e Trepçë.

Sot rihapet Terminali Doganor në Trepçë

Sot do të bëhet rihapja e Terminalit Doganor në kompleksin e Trepçë.

Në ceremoninë e rihapjes do të merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përveç tij, do të marrin pjesë edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu dhe menaxhmeti i Trepçës.

Ceremonia mbahet në ora 9:00, në kompleksin e Trepçës (hyrja nga qyteti).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat