Në Beograd mbahet takimi i “Ballkanit të hapur”

Aktuale

Në Beograd mbahet takimi i “Ballkanit të hapur”

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 11:58
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq(në mes), kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama(majtas), dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov. Takimi i nismës "Ballkani i hapur", po mbahet në Beograd, 4 nëntor 2021.

Në Beograd, më 4 nëntor, po mbahet takimi i nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nikoqir kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov.

Kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk merr pjesë ashtu siç ishte planifikuar më parë, sepse, ndërkohë ka paralajmëruar dorëheqjen, për shkak të rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.

Vuçiq, Rama dhe Zaev janë nismëtarët “Ballkanit të hapur”, që fillimisht quhej “Mini Shengen”.

Çfarë është “Ballkani i hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri tashmë në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku - pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Qeveria pa koment për takimin e "Ballkanit të hapur"

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur që të komentojë takimin që po zhvillohet në Beograd të Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar disa pyetje në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i takon këtij takimi, si dhe mbështetjes që disa shtete perëndimore i kanë dhënë së fundi kësaj iniciative.

Por, në qeveri kanë thënë se “nuk jemi pjesë e kësaj nisme, ndaj nuk do t’i komentojmë zhvillimet e këtyre ditëve”, duke shtuar se qëndrimet e Qeverisë së Kosovës kundër kësaj iniciative “tashmë janë të njohura”.

A po humb Kosova nga refuzimi i “Ballkanit të hapur”?

Në Prishtinë, profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, thotë se nisma “Ballkani i hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Duke qenë pjesë e nismave të tjera më të fuqishme, sipas profesorit Mustafa, Kosova nuk humb asgjë nga refuzimi i “Ballkanit të hapur”.

“Serbia, derisa promovon lëvizjen e lirë të mallrave, ajo shfaq pengesa të mëdha në tregtimin me Kosovën - po i pengon sportistët, nuk po sillet në bazë të marrëveshjeve të Brukselit dhe ka një seri pengesash që bën në tregti me Kosovën, por sigurisht edhe me vendet e tjera, sigurisht sepse ajo praktikon edhe një subvencionim të sektorëve të caktuar sikurse është industria e qumështit apo të tjerat, kështu që e deformon edhe tregtinë e lirë në rajon”, vlerëson ai.

Profesori Mustafa thotë se nisma “Ballkani i Hapur” mund të shndërrohet në një nismë të izoluar që mund të mbetet me vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore si pjesëtare.

Zgjidhja më e mirë për të arritur hapjen e tregut në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas profesor Mustafës, është ai që njihet si Procesi i Berlinit e që është një nismë e udhëhequr nga Gjermania me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, e që ka mision ndihmën ndaj këtyre shteteve në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në BE.

“Janë të mirëseardhura lehtësimi i tregtisë, evitimi i barrierave, tregtia e lirë, konkurrenca e lirë, por këto sigurohen nëpërmes Procesit të Berlinit dhe ku ekziston një asistencë e vendeve më të fuqishme evropiane dhe në atë drejtim edhe relativizohen konfliktet politike dhe mund të arrihen rezultate më të mëdha”, shprehet profesor Mustafa.

Procesi i Berlinit, i nisur nga kancelarja Gjermane, Angela Merkel në vitin 2014, mes tjerash synonte që fillimisht të lidhte mes vete gjashtë vendet në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

Qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës për “Ballkanin e hapur”, ka qenë se nga kjo nismë do të përfitonte vetëm Serbia dhe se përmes saj (nismës) i hapet rrugë ndikimit nga Rusia dhe Kina.

"‘Ballkani i hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina, si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës....”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 gusht 2021, pasi Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut vendosën ta ndryshonin emërtimin e iniciativës nga “Mini-Shengen” në “Ballkani i hapur”.

Kjo nismë, përplasi edhe Kosovën me Shqipërinë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, muajt e kaluar e ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, po merret me teori konspirative në vend që të jetësojë bashkëpunimin.

Në Shqipëri ftojnë Kosovën të bëhet pjesë e “Ballkanit të hapur”

Por, për dallim prej qëndrimeve kundërshtuese në Kosovë për nismën “Ballkani i hapur”, në Shqipëri mendojnë se kjo do të ishte një mundësi e mirë për avancim të lirisë së lëvizjes, si dhe tregti pa pengesa në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, thotë Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.

“Si qytetar shqiptar dhe si ekonomist, besoj shumë se sa më shumë që liberalizohesh, aq më mirë është, se sa të qëndrosh në ndasitë e vjetra”, thotë Cocoli.

Megjithatë, Cocoli nuk është optimist se në një të ardhme të afërt do të funksionalizohet në tërësi nisma “Ballkani i hapur”.

“‘Ballkani i hapur’ është një proces që edhe drejtuesit e Bashkimit Evropian janë të rezervuar për ta mbështetur, pra sërish era çon ujë në mullirin e Procesit të Berlinit që e dimë të gjithë që është hapja dhe Procesi i Berlinit të dërgon në një komunitet rajonal, në një tregti rajonale sa më të hapur dhe me më pak barriera burokratike”, shton Cocoli.

Ideja e “Ballkanit të hapur” për herë të parë u prezantua në qytetin e Novi Sadit në Serbi më 10 tetor të vitit 2019.

Në lansimin e kësaj iniciative morën pjesë liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Që nga ajo kohë kanë ndodhur disa takime ndërmjet këtyre tri shteteve pjesëmarrëse porse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina refuzojnë të bëhen pjesë e tyre.

Në një takim që u mbajt në Shkup në muajin korrik të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, asokohe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t'i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 t’i heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.

Kosova kishte marrë zotime se do të bëhej pjesë e “Ballkanit të hapur” edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua në muajin shtator të vitit 2020.

“Ballkani i hapur” nuk është iniciativa e vetme që bën bashkë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin i Zi dhe Serbinë.

Në vitin 2006, këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për eliminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat