Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës: Më vonë e kam kuptuar që i akuzuari është përgjegjës i BIA-s

Aktuale

Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës: Më vonë e kam kuptuar që i akuzuari është përgjegjës i BIA-s

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 11:26
Salih Mustafa

(E plotësuar 16:54) - Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka thënë se gjatë periudhës së luftës nuk ka qenë në dijeni se kush është në krye të njësisë BIA, por sipas tij më vonë e ka mësuar që ai është Salih Mustafa. Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ka njohur dy persona me emrin “Cali”.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia në përpjekje për të sqaruar deklaratat e dëshmitarit e ka pyetur atë disa herë rreth personit të cilin ai ka thënë se e ka takuar në oborrin e shtëpisë së tij, që sipas tij e mbante nofkën “Cali”.

Sipas dëshmitarit, pas lirimit nga objekti ku pretendon të jetë mbajtur në Zllashë, në oborrin e shtëpisë së tij kanë qenë pjesëtarë të njësisë BIA dhe një person i cili i është prezantuar si “Cali”.

Dëshmitari i ZPS-së ka thënë se nga të tjerët ka dëgjuar se ai e ka emrin Salih dhe sipas tij ai ka thënë se është udhëheqës i atij grupi që ishte në oborrin e shtëpisë së tij.

Gjykatësja Foglia: Sot në mëngjes thatë që personi që erdhi në oborrin tënd ishte Cali që ishte përgjegjës i Zllashit, kjo është ne faqen 95, rreshti 3 deri 7 të transkriptit, a është e saktë kjo?

Dëshmitari: Kam thënë që ai është prezantuar Cali përgjegjës i atij grupit që kanë qenë në oborrin tim, nëse është fjala për atë person të njëjtin.

Gjykatësja Foglia: Ai person që ishte i pranishëm që ishte në oborrin tënd me emrin Cali që ishte përgjegjës i këtij grupit të BIA-s, do ta bëjë tani pyetjen, a ishte ai përgjegjës i BIA-s?

Dëshmitari: Nuk e di, ai tha i këtij grupi jam përgjegjës, nuk e di as kush ka qenë BIA kur ka treguar ai në atë kohë, nuk di më tepër as për atë grup, vetëm e prezantova atë që e kam mbajtur mend. Unë nuk e kam pyetur as çfarë grupi është as çfarë pune kryen se nuk më ka interesuar.

Gjykatësja Foglia: Ai person që erdhi të shtëpia jote me atë grup njerëzish me njerëz të BIA-s ai vet të tha që është Cali dhe ai person pra Cali tha që megjithatë personi që është përgjegjës për BIA-n është një Cali tjetër, këtë po thoni ju, dhe ju iu përgjigjet prokurorit që kjo është e saktë.

Dëshmitari: Po ama unë e kam kuptuar vonë këtë tek vonë që ai është përgjegjës i këtij grupi, dikur shumë vonë e kam kuptuar, jo në atë kohë.

Gjykatësja Foglia: Ka diçka që nuk e kuptoj ndoshta është dhe koincidencë, pra ajo që po thoni ju, personi që erdhi në oborrin tënd ishte Cali dhe ai grup njerëzish ishte prej BIA-s, a është e saktë kjo? Dhe i njëjti person tha që ka edhe një person tjetër të quajtur Cali që është përgjegjësi i BIA-s?

Dëshmitari: E kemi diskutuar me prokurorin këtu që pastaj më vonë unë e kam marrë vesh që ky personi që akuzohet këtu është përgjegjës i BIA-s, se nuk e kam ditur kush është përgjegjës i BIA-s. Ai personi që ka qenë tek unë ka thënë që unë jam përgjegjës për këtë grup të BIA-s, për këtë grup që ka qenë me të aty.

Dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë i cili mban kodin W04669 ka përfunduar me pyetjet e trupit gjykues.

Ai pretendon se është mbajtur në një ahur në Zllashë ku sipas tij është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së.

Në fund të seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai ka thënë se për këto ngjarje nuk i ka treguar as familjes së tij.

Dëshmitari: Uroj të marrin dënimin e merituar të gjithë ata që kryen krime

“Unë as familjes sime nuk i kam treguar për këtë çështje mirëpo ka ardhur koha pas 22 vitesh, që është shqetësuese për Kosovën, në vend se vet t’i zgjidh çështjet në vendin e vet, në një kohë shumë të shpejtë, ata nuk kanë qenë në gjendje dhe ende nuk janë dhe kjo është shqetësuese për mua, për të ardhmen e familjes sime dhe për të ardhmen e personave të drejtë që punojnë për vendin. Ndërsa unë do të jem bashkëpunues çdo herë me ju edhe në të ardhmen për çdo gjë që më kujtohet dhe juve ju nevojitet... Uroj që të kryhet sa më shpejtë, të gjitha rastet të zbardhën, të gjithë personat të marrin dënimin e merituar varësisht se çfarë vepre kanë kryer ata”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të vazhdojë të mërkurën më 17 nëntor.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi ndaj mustafë/Dëshmitari i ZPS-së tregon periudhën kur sipas tij është liruar nga objekti i mbajtjes në Zllashë

Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës sot u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues dhe avokatit mbrojtës të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se është dërguar me veturë në një objekt në Zllashë ku sipas tij është mbajtur për disa ditë. Sipas tij, aty është pritur nga një person me beretë.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e ka pyetur dëshmitarin se çfarë ngjyre ka pasur bereta e personit që ai thotë se e ka pritur kur e kanë dërguar në Zllashë, por përgjigja e tij nuk është dëgjuar në transmetimin që ofrohet nga Dhomat e Specializuara.

Trupi gjykues kërkuar nga dëshmitari që të përgjigjet rreth periudhës kur dëshmitari pretendon se është mbajtur në një ahur në Zllashë.

Dëshmitari i mbrojtur, i cili mban kodin W04669, ka thënë se gjë kohës së mbajtjes janë ushqyer vetëm me buke dhe supë, derisa për të pirë ka thënë se kanë pasur ujë.

Dëshmitari: Në objektin e mbajtjes kemi pasur vetëm tre batanije

“Kanë qenë dy-tre batanije, më kujtohet e kanë mbuluar viktimën që e kanë maltretuar, ia ka dhënë njëri batanijen e vet, njëri prej kolegëve prej atyre personave që kemi qenë aty. Aty më kujtohet që ka pasur batanije por jo të mjaftueshme për të gjithë që kemi qenë. Me siguri kanë qenë dy ose tri përderisa i kanë dhënë edhe atij që e kanë pru te ne një, është dashtë për t’u mbuluar me batanije të tjetërkujt”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa pasi e kanë liruar, dëshmitari ka thënë se nuk ia kanë kthyer ditarin e shënimeve të cilin sipas tij fillimisht ia kanë konfiskuar.

Dëshmitari: Nuk ma kanë kthyer ditarin e shënimeve pas lirimit

“Pash vendin e njëjtë që na kanë pru, gjelbërim, bari përreth, malet afër, m’i kanë kthyet gjërat e mija që i kam pasur përveç që m’i ndaluan dy gjëra, thikën dhe ditarin e vogël, ditar më të vogël se shuplaka e dorës, tjerat gjëra m’i kanë kthyer, më kanë thënë je i lirë, vazhdo dhe kam shkuar në shtëpi këmbë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Dëshmitari ka thënë se ka pasur një “gardh” të vogël rreth 30 metra larg vendit ku pretendon se është mbajtur. Sipas tij aty nuk ka pasur portë të oborrit përveç asaj të objektit.

Paraprakisht, dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, Julius Von Bone i cili e ka pyetur rreth periudhës së bombardimeve të NATO-s në Prishtinë ku dëshmitari ka thënë se nuk e mban mend me saktësi muajin apo datën e bombardime.

Avokati-dëshmitari: Pyetje-përgjigje

Avokati Von Bone: A e dini nëse në vitin ’99 Prishtina a ka qenë bombarduar nga NATO apo jo?

Dëshmitari: Pyetje e përgjithshme, po, atë krejt e dinë.

Avokati Von Bone: Muaj apo datën kur ka ndodhur, a e di?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet data e saktë, muaji ka qenë diku prill, prill a mars nuk jam i sigurt.

Avokati Von Bone: Stërvitja që ke bërë ti atëherë, ka ndodhur apo është bërë përpara bombardimit të Prishtinës apo pas?

Dëshmitari: Më duket para, për shkak se edhe borë ka pasur atje.

Avokati Von Bone: Pa përmendur emra, por erdhi një moment dhe të dhanë urdhër të hipje në një veturë, folëm për këtë, në atë moment, apo ky moment më saktë, ishte përpara apo pas bombardimit që NATO i ka bërë Prishtinës?

Dëshmitari: Me Prishtinën nuk i di lidhjet, por në Kosovë ka bombarduar më herët. Ajo kohë kur kam shkuar atje, nuk e di kur me ndërlidh me Prishtinën, nuk mund ta ndërlidh nuk di, nuk më kujtohet.

Avokati Von Bone: A mund ta ndërlidhesh me një moment tjetër kohor, pra momentin kur të thanë hip në veturë, a e lidh dot me një moment tjetër kohor, apo me ndonjë ngjarje tjetër?

Dëshmitari: Në pranverë të hershme, kur kam përfunduar, kur kam shkuar atje, që më kanë ndalu.

Avokati Von Bone: Zotëri dëshmitar, erdhi një moment dhe të liruan nga ai vendi ku të kanë mbajtur të ndaluar dhe nëse më kujtohet paka a shumë dikush hapi portën dhe tha shkoni tani, pak a shumë, kështu?

Dëshmitari: Po.

Pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës kanë vijuar në seancë të mbyllur pas së cilave dëshmitari ka thënë se me Fatmir Sopin e Sejdi Veselin i ka takuar në përudhën kur ka shkuar për ushtrime për t’u kyçur në UÇK. Ai ka thënë se në një odë janë bërë diskutime për çështjet politike të asaj kohe. Ndërsa pas stërvitjeve, ka thënë se me Fatmir Sopin ka pasur përshëndetje.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

​Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës: Mosparaqitja para drejtësisë e personave që kryen krime më ka shkaktuar stres

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Derisa u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se vazhdon të ketë stres, nervozë e lodhje si pasojë e asaj që thotë të ketë përjetuar në një qendër ndalimi në Zllashë.

Dëshmitari që mban kodin W04669, i cili ka thënë se është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së në Zllashë, pretendon se nga të njëjtit persona janë kryer krime të mëdha.

Dëshmitari: Personat qe kanë kryer krime nuk janë paraqitur para drejtësisë që 22 vite, kjo më ka shkaktuar stres

“Të unë ka shkaktuar stres, nervozë, lodhje nga energjia për t’u marrë me atë çështje, dhe po ashtu mos paraqitja para drejtësisë që 22 vite të personave për krime të ndryshme të të njëjtit lloj edhe më të mëdha që kanë ndodh, se i imi është i vogël në krahasim me ato çka kam parë unë si dëshmitar, në rastin konkret që e theksuam më herët dhe raste tjera që po shihen që janë të ditura për publikun”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Avokatja e viktimave, Anni Pues e ka pyetur dëshmitarin se si ndjehet pasi ishte “i arrestuari i UÇK”, ndërsa ai ka thënë se ishte nën arrest nga një grup njerëzish duke shtuar që trajtimi ndaj tij ka qenë i padrejtë dhe i palogjikshëm.

Dëshmitari: Në Zllashë jam arrestuar nga disa persona

“Në aspektin e përgjithshëm unë isha arrest nga disa persona atje që çdo vend mund të ketë personi të mirë e të keq dhe në momentin kur unë jam ndaluar atje më është dukur e palogjikshme për shkak që nuk e ndjeja të fajshëm për asgjë. Në momentin kur kam parë aty viktimën ne kemi ndjerë një lloj frike të madhe për shkak se ne nuk e dinim realitetin pse po ndodh ashtu, ne nuk ishim të armatosur asnjeri prej neve, ata ishin të armatosur, nuk më ka shkuar mendja ndonjëherë t’i kundërvihem atyre, vetëm të lëmë fatin tonë në duar të tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Sipas dëshmitarit, me personat për të cilët thotë se e kanë mbajtur në qendër ndalimi, kanë pasur probleme edhe disa kolegë të tij por jo të tilla si arrestimi.

Gjatë dëshmisë së tij, W04669 ka thënë se ndalimi i tij ka qenë jo i ligjshëm dhe jo njerëzor.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtëses së viktimave, dëshmitari po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës së Salih Mustafës, Julius Von Bone.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat