Mesazhet e qarta të BE-së për takimin e 15 nëntorit në Bruksel, përmendin veriun e Kosovës dhe situatën alarmuese në Bosnje

Aktuale

Mesazhet e qarta të BE-së për takimin e 15 nëntorit në Bruksel, përmendin veriun e Kosovës dhe situatën alarmuese në Bosnje

Nga: N. Sh. Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 15:46
Policia e Kosovës në veri

Në takimin e 15 nëntorit në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe fokusi do të jetë në zbatimin e asaj që Beogradi dhe Prishtina janë zotuar më parë në negociata.

Kështu shkruajnë mediat serbe, që sipas tyre fokusi duhet të kthehet në zbatimin e obligimeve ende të paplotësuara nga dialogu.

“Duhet të përmirësohet atmosfera përmes lëvizjeve konkrete pozitive dhe të punohet në përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, dhe rrjedhimisht në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë", thuhet në një dokument në të cilën thirren mediat serbe, përcjell gazeta “Bota sot”.

Sipas këtij dokumenti, atmosfera e dialogut Kosovë-Serbi është e komplikuar dhe nuk ka pasur asnjë përparim muajt e fundit.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për targat thuhet se ka treguar se "dialogu mund të japë rezultate" veçanërisht kur mbështetet nga "mesazhe të qarta nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në".

Teksti i dokumentit bën thirrje për mbështetje për përpjekjet e bëra nga ndërmjetësit e BE-së, Josep Borel dhe Miroslav Lajçak në dialog, por gjithashtu u bën thirrje vendeve anëtare të "angazhohen me Beogradin dhe Prishtinën në një nivel të lartë".

“Të dyja palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të arrijnë rezultate pozitive, duke përfshirë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme dhe retorika përçarëse, veçanërisht kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës”, përfundon teksti.

Në takimin e 15 nëntorit në Bruksel, Këshilli i BE-së do të diskutojë situatën e përgjithshme dhe angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe diskutimet mbi "situatën gjithnjë e më të vështirë në Bosnje" dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat