​Studentët e Edukimit duan dy provime në afatin e nëntorit, Fakulteti: E pamundur për arsye logjistike

Aktuale

​Studentët e Edukimit duan dy provime në afatin e nëntorit, Fakulteti: E pamundur për arsye logjistike

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 12:43
​Studentët e Edukimit

Studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës kanë vendosur të bojkotojnë ligjëratat për arsye të vendimit të këtij institucioni që në afatin e nëntorit të mbahet vetëm një provim duke kërkuar respektimin e vendimit të Senatit që të mbahen dy provime. Nga Fakulteti thonë se deri te vendimi për të mbajtur vetëm një provim ka ardhur për arsye logjistike.

Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Albin Hoxha ka thënë se janë të zhgënjyer me vendimin e Fakultetit të Edukimit për një provim, pasi të gjithë fakultetet e tjera po respektojnë vendimin e Senatit.

Hoxha: Jemi të zhgënjyer me vendimin e Fakultetit të Edukimit

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e menaxhmentit të Edukimit, që afati i nëntorit të mbahet me vetëm një provim, kërkesa jonë është të mbahet me dy provime. Por pasi që kërkesa jonë nuk është realizuar ne kemi vendosur të bojkotojmë ligjëratat derisa të ndryshohet ai vendim dhe të vendoset se afati i nëntorit të mbahet me dy provime siç është vendimi i Senatit dhe po e respektojnë edhe fakultetet tjera [...] Pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe tubimeve të tjera në Fakultetin e Edukimti të mos përdoret pandemia si arsye shtesë. Ne bazohemi në vendimit e senatit që ceket se deri në dy provime janë të lejuara për mbajtjen në këtë afat”, tha Hoxha.

Prorektorja e këtij fakulteti, Blerta Perolli-Hoxha, tha se vendimi për mbajtjen e një provimi në afatin e këtij muaji ka ardhur për arsye logjistike. Duke qenë se ligjëratat kanë nisur me vonëse për arsye të pandemisë, Perolli-Hoxha tha se ta gjithë orët e tetorit po zëvendësohen e kanë bërë të pmaundur mbajtjen e provimit të dytë.

Perolli-Hoxha: E kemi të pamundur nga ana logjistike organizimin e provimit të dytë

“Në fakultetin tonë është marrë vendim që, duke qenë se lejohen deri në dy, të mundësojmë një provim për studentët në këtë afat plotësues. Fakulteti ynë ka një numër jashtëzakonisht të madh të studentëve, siç e dini për shkak të situatës me pandeminë, mësimi ka nisur me vonesë, do të thotë gjatë muajit nëntor na është lejuar nga senati t’i zëvendësojmë të gjitha orët e tetorit, marr parasysh numrin e madh të studentëve, duke marrë parasysh numrin e madh të programeve që i kemi aktualisht, d.m.th është logjistikisht e pamundur që të mundësojmë mbajtjen e provimit të dytë”, deklaroi prorektorja.

Perolli-Hoxha nuk pajtohet se po cenohët ndonjë e drejtë e studentëve duke qenë se në Fakuletin e Edukimit aplikohet kryesisht vlerësimi formativ dhe nuk fokusohet vetëm në afatet e provimeve.

“Vlerësimi behet gjatë gjithë lëndës gjatë gjithë semestrit dhe jemi të orientuar drejt ngritjes së cilësisë në këtë aspekt, nuk është se e kemi kufizuar ndonjë të drejtë të studentit sipas vendimit të Senatit lejohen deri në dy ne kemi mundësuar një provim, ngase është ngarkesa jashtëzakonisht e madhe gjatë javës dhe e kemi lënë gjatë vikendit të mbahen këto provime”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat