Çfarë kishte bërë gjatë ditës 17-vjeçari që u vra sot në Gllogjan? Flet koordinatori i shkollës

Aktuale

Çfarë kishte bërë gjatë ditës 17-vjeçari që u vra sot në Gllogjan? Flet koordinatori i shkollës

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 00:46
Foto ilustrim

Koordinatori i Shkollës së Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë, Arben Sufaj, ka ndarë me shikuesit e emisionit A23 në ATV informacionet se si e ka kaluar ditën sot, 17-vjeçari nga Gllogjani, i cili mbeti i vrarë nga një sulm i armatosur derisa po shkonte nga shkolla në shtëpi.

Sufaj ka treguar se ditën e premte ai bashkë me shokët e klasës dhe mësimdhënësit kanë qenë për vizitë studimore në Malishevë për t’u kthyer në Gjakovë kah ora 13:30.

Ai e përshkruan 17-vjeçarin si nxënës shembullor, shumë të urtë e të sjellshëm gjersa shton se është trishtuar kur ka kuptuar lajmin për vdekjen e tij.

“I ndjeri, nxënësi i shkollës sonë, sot ka qenë në shkollë dhe ka qenë në një vizitë të Malishevë, si vizitë studimore do të thotë me klasë. Ai është kthyer kah ora 13:30 në shkollë përsëri dhe e ka vazhduar udhëtimin e tij në vendlindje, Gllogjan. Lajmi për ne si staf i shkollës dhe si kolektiv ka qenë i trishtë, ka qenë nxënës shembullor, shumë i urtë e i sjellshëm me gjithë stafin e shkollës pa përjashtim,” –  u shpreh Sufaj.

“Ai vazhdimisht ka udhëtuar prej Gllogjanit në Gjakovë, e kam pa. Në ora 8 ky ka udhëtuar për Malishevë me disa mësimdhënës dhe është kthyer nga atje në ora 1:30 / 2:00 përsëri në shkollë dhe ka vazhduar përsëri me udhëtimin e tij për Gllogjan,” – tha tutje ai.

Kujtojmë se në orën 19:00 të së premtes u raportua për sulm të armatosur që u krye në mes të fshatrave Shaptej dhe Gllogjan. Një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar, ku si rezultat kanë vdekur 3 persona dhe një është plagosur.

I vdekur në vendin e ngjarjes ka mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit dy prej të cilëve, vajzë dhe djalë të moshës 16-17-vjeç, vdiqën në Spitalin e Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat