Betohet kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni: Do t’i kryej detyrat me nder, besnikëri dhe në mënyrë të paanshme

Aktuale

Betohet kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni: Do t’i kryej detyrat me nder, besnikëri dhe në mënyrë të paanshme

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 10:28
Alban Hyseni.

E plotësuar (12:36) - Pas tetë vitesh qeverisje me komunën, sot Lutfi Haziri dorëzoi mandatin tek kryetari i ri i Gjilanit, Alban Hyseni, për të cilin tha se do të jetë edhe kryetar i tij e të cilin do ta mbështesin.

Pas pran-dorëzimit të detyrës së kryetarit, Haziri u shpreh i lumtur për shërbimin e tij për 13-vite në Gjilan, në kohë të ndryshme. Me ç’rast ai uroi Hysenin duke thënë se ai tani do të jetë kryetari i tij. 

Haziri: Alban Hyseni do të jetë edhe kryetari im 

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që pas një shërbimi më shumë se 13-vite në Komunë të Gjilanit në kohë të ndryshme, sot po e përfundoj mandatin e dytë të rregullt dhe po e dorëzoj te kryetari i zgjedhur, tek kryetari i komunës sonë i cili ka me qenë kryetari i gjithëve duke përfshirë edhe kryetar i imi. Me realizimin e detyrave i uroj kryetarit Alban Hysenit shëndet mbi të gjitha lutem që ta përcjellë suksesi. Një angazhim i tij personal dhe i ekipit të tij në lidership në Gjilan nënkupton ecje para jo stagnim, ecje para në zhvillim, ecje para në prosperim. Unë edhe ashtu kam marrë tash rruge tjetër politike që do të jem në funksion prapë të angazhimit tim, por i sigurova edhe i premtova në të njëjtën kohë që roli jonë ka me qenë konstruktiv dhe mbështetja ka me qenë e sinqertë dhe angazhimi jonë politik ka me qenë mbi bazë interesit të qytetit të komunës”, ka thënë Haziri.

Në konferencën e përbashkët me, Hyseni u shpreh se Haziri është një prej figurave politike që është identifikuar Gjilani. Megjithëkëtë ai theksoi se për shkak t nevojës është momenti që të sillet një fryme dhe një politikë e re e lidershipit në Gjilan. 

Hyseni: Haziri është një prej figurave politike që është identifikuar Gjilani

“Unë sapo kam pranuar detyrën e kryetarit të Gjilanit. Për mua është nder e kënaqësi e veçantë që pranimin dhe dorëzimin e detyrës e kemi bërë bashkë me kryetarin aktual të komunës që tash i uroj gjithashtu shëndet e shumë suksese në rrugëtimin e tij të vazhdueshëm në politikë. Zotëri Haziri është një prej figurave politike që është identifikuar Gjilani, Anamorava në te si lider i politikanëve. Ndërkaq tash në Gjilan edhe për shkak të nevojës edhe për shkak të kohës është momenti që të sjellim një fryme të re, një lloj politike të re të lidershipit në Gjilan”, ka thënë Hyseni.

Ndërkohë sot, Alban Hyseni dhe asamblistët e rinj u betuan gjatë ceremonisë se mbledhjes inauguruese. 

Hyseni para asamblistëve u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve pavarësisht se cilës parti i takojnë. 

***

 Alban Hyseni është betuar sot si kryetar i Komunës së Gjilanit, nga ku tha se për katër vitet e ardhshme do t’i kryejë detyrat me nder, besnikëri e në mënyrë të paanshme për gjithë gjilanasit pa dallime partie.

Hyseni në fjalën e tij të parë para asamblistëve të rinj u shpreh se ishte i pashmangshëm rotacioni për të sjellë frymë të re për banorët e Gjilanit. 

I pari i Gjilanit u zotua se do të jetë zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen e zgjidhen të gjitha problemet. 

Hyseni: Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re për banorët e Gjilanit 

“Rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisni e që reflektuan me votë, fillimisht me 17 tetor e pastaj definitivisht me 14 nëntor. Banorë të Gjilanit faleminderit për besimin tuaj që tashmë po e përkthejmë në bashkëqeverisje e gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat, shtresat, lagjet e fshatrat. Do të jem zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen e zgjidhen gjitha problemet të qytetit dhe fshatit, do të jem zëri që do të pasqyrojë barazinë në trajtimin e të gjithëve dhe tejkalimin e shqetësimeve tuaja që kanë të bëjnë në komunën tonë. Qasja jonë do të jetë e njëjtë dhe e përbashkët për të gjithë, përkrahës a po jo, mbështetës apo jo në zgjedhjet sapo kaluan. Kërkoj nga ju vetëm durim e bashkëpunim që të bëhemi të gjithë faktorë të ndryshimit të komunës sonë e të kontribuojmë secili në zhvillimin e Gjilanit tonë”,tha Hyseni pas betimit si kryetar i Komunës së Gjilanit. 

Hyseni kërkoi nga asamblistët e rinj të Kuvendit Komunal të Gjilanit që të kenë përgjegjësinë dhe detyrimin e përfaqësimit të drejtë dhe të denjë të çdo qytetari pa dallime partiake. Ai ka theksuar se zinxhiri zhvillimor, funksionalizimi lokal e kultura e transparencës do të jenë togfjalët që do ta karakterizojnë qeverisjen e tyre. 

Hyseni: Puna jonë është e përbashkët dhe jo e interesave personale

“Keni përgjegjësinë dhe detyrimin e përfaqësimit të drejtë e të denjë të çdo qytetari pa dallime partiake a pa anësi. Për çdo proces që do të ndërmarrim do të jetë i bashkimit e jo i ndarjes mes nesh. Këtu puna jonë është e përbashkët dhe nuk është e interesave personale. Këtu puna jonë është e ndershmërisë nuk është e përfitimit vetjak, këtu puna jonë është profesionalizmit dhe e arritjes së vetëm një qëllimi, mirëqenies e zhvillimit për banorët e Gjilanit[...]Zinxhiri zhvillimor, funksionalizimi lokal e kultura e transparencës do të jenë togfjalëshi që do të karakterizojnë qeverisjen tonë".

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të ri Komunal të Gjilanit, ishte edhe Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili poashtu u zotua se do të kenë bashkëpunim me këtë komunë sikurse edhe me komunat e tjera. 

Krasniqi: Zotohem se do të kem bashkëpunim me ju dhe me komunat tjera 

“Si ministër i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal zotohem për bashkëpunim me komunën tuaj ashtu sikurse me komunat e tjera të Republikës së Kosovës. Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal është ministri e linjës me të cilat ju do të bashkëpunoni, aktet e komunës do të vijnë tek ne për verifikim dhe zotohem që do të jem profesional si ministër dhe Ministri dhe të bashkëpunojmë në mënyrë që qytetarët e Gjilanit dhe komunave tjera të kenë shërbime të mira”,tha Krasniqi. 

Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin. 

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave. 

Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.

Kujtojmë që Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve.

Megjithatë, Hyseni edhe në raundin e parë, pra më 17 tetor kishte më së shumti vota. Ai arriti të fitojë besimin e 19 mijë e 57 qytetarëve, ndërsa Haziri kishte marrë besimin e 18 mijë e 546 qytetarëve. 

E ditë më parë Hyseni dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit”, shkroi Hyseni në “facebook”. 

Haziri u pasua nga kandidatja për kryetare të Gjilanit, nga radhët e Partisë Demokratike, Leonora Bunjaku, që mori 3 mijë e 518 vota. 

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nazim Gagica arriti të sigurojë 1 mijë e 42 vota.

****

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të ri Komunal të Komunës së Gjilanit, është betuar kryetari Alban Hyseni.

Hyseni është betuar duke thënë se do t’i kryejë detyra do t’i ushtrojë kompetenca si kryetar me nder e besnikëri dhe në mënyrë të paanshme. 

“Unë betohem që do t’i kryejë detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si kryetar i Komunës së Gjilanit me nder, besnikëri në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për gjithë”, u betua Hyseni. 

Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin. 

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave. 

Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.

Kujtojmë që Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve.

Megjithatë, Hyseni edhe në raundin e parë, pra më 17 tetor kishte më së shumti vota. Ai arriti të fitojë besimin e 19 mijë e 57 qytetarëve, ndërsa Haziri kishte marrë besimin e 18 mijë e 546 qytetarëve. 

E ditë më parë Hyseni dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat