Media e Brukselit: Kosova reagon ashpër pasi politikani serb e mohoi masakrën e Reçakut

Aktuale

Media e Brukselit: Kosova reagon ashpër pasi politikani serb e mohoi masakrën e Reçakut

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 09:17
Homazhe në nderim të viktimave të luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, i cili ditë më parë Masakrën e Reçakut e quajti gënjeshtër dhe vrasjen e civilëve shqiptarë një falsifikim.

Kështu e nis shkrimin Euractiv, një media me qendër në Bruksel, ku theksohet se Vulin ka deklaruar se masakra e shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Osmani lidhur me këtë ka thënë se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vulini si besnik i tij.

“E vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, ka thënë Osmani.

Mohimi i masakrës së Reçakut nga zyrtarë të qeverisë së Serbisë ka nxitur reagime të ashpra edhe te BE-ja dhe SHBA-të, të cilët janë kundërpërgjigjur duke thënë se masakra e Recakut është një mizori e dokumentuar mirë, theksohet tutje në shkrim.

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se “masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999-n”.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Peter Stano.

Image
Ish-diplomati amerikan, William Walker, ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra në janar të vitit 1999

Reagim pati edhe nga ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra në janar të vitit 1999. William Walker, që në atë kohë kryesonte misionin vëzhgues të OSBE-së, u shpreh, se “përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë”.

Përveç Reçakut, Serbia e ka mohuar edhe gjenocidin e Srebrenicës, ku trupat serbe vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat