Përdorimi i nofkave “çun” e “Kamish”, debatojnë Konjufca e Reçica

Aktuale

Përdorimi i nofkave “çun” e “Kamish”, debatojnë Konjufca e Reçica

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 13:39
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 14:45) - Amendamentet e propozuara nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu nuk po marrin mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili pyeti deputetin se a ka ndonjë projekt që i ka vetëm gjashtë shifra.

Por përdorimi i nofkës “Kamishi” nga ana e Konjufcës ka ngallë reagimin e deputetit të PDK-së Elmi Reçica, të cilit më herët Konjufca i kishte kërkuar të ketë kujdes me fjalët pasi kishte quajtur ministrin e Financave “çun”.

Konjufca: Kamish, a ke ndonjë projekt që i ka veç gjashtë shifra apo vetëm përmbi

“A ke ndonjë projekt Kamish që i ka veç gjashtë shifra apo vetëm përmbi. Veç pak z. Reçica se deputeti vet ka dalë këtu në foltore dhe e ka konsideruar nder nofkën që e ka pasur gjatë. Nuk e pata, është qasje respektuese, ndoshta deputeti Haxhiu e pranon këtë”, tha ai.

Ndaj kësaj reagoi deputeti i PDK-së Elmi Reçica, që tha se edhe ai e kishte për respekt kur iu drejtua ministrit Hekuran Murati me emrin “çun”.

Reçica: Edhe unë e pata në shenjë respekti për ministrin tuaj kur e quajta “çun”

“Edhe unë e pata në shenjë respekti për ministrin tuaj kur e quajta ‘çun’, me i thënë ‘plak’ është keq, a me i thënë ‘çun’ është mirë”, tha ai.

Por, që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sërish reagoi duke thënë se “çun” është kualifikim me prapavijë.

Konjufca: Është kualifikim me prapavijë

“’Çun’ nuk është nofkë, është kualifikim me prapavijë”, tha ai.

​Deputeti Reçica e quan ‘çun’ ministrin Murati, i reagon Konjufca

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2022 në lexim të dytë, përkatësisht për amendamentin numër 13 pati përplasje ndërmjet deputetit Elmi Reçica dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, e ku pastaj u përfshi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Derisa e ka kundërshtuar amendamentin 13 që parasheh ndarjen e 150 mijë euro për restaurimin e shkollës “Gjon Sereqi” në Ferizaj, deputeti Reçica ministrin Murati e ka quajtur “çun i ri” dhe i ka kërkuar që mos të bëjë politikë për këtë shkollë.

Reçica: Ministri Murati si çun i ri nuk duhet të bëjë politikë për shkollën

“Nuk po bëjmë këtu politikë, edhe ministri është mirë si çun i ri që është, mos me bë politikë me këtë çështje. Nuk është mirë me bërë politika, ka qenë dashur në aspektin financiar me sqaruar atë çështje… Duhet me pas konsideratë që Agim Aliu, me atë projekt, jo për parking, por për parqe që i mungojnë qytetit e ka fituar garën zgjedhore qysh më 17 tetor. Kjo është esenca".

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, kryetari Konjufca, i cili tha se Murati është ministër.

Konufca: Statusi i Muratit është ministër, jo çun

“Statusi i Hekuran Muratit është ministër, jo çun”, theksoi Konjufca.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se restaurimi i shkollës “Gjon Sereqi” është i arsyeshëm, jo siç propozon PDK-ja që me rrëzimin e kësaj shkolle të bëhet një parking.

Murati: Të ruhet shkolla, jo të bëhet xhungël

“Projekti që u përmend nga deputeti Reçica, për rrënimin e shkollës është ardhur kryesisht si rezultat i ndërtimit apo i betonimit rreth e rreth shkollës me ndërtesa, të lejuara që të ndërtohen dhe ta bllokojnë të gjithë hapësirën aty nga vet komuna. Megjithatë, me dijeninë që kam, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë këtë objekt e ka futur apo e ka vlerësuar si trashëgimi kulturore dhe synimi është që të restaurohet dhe të mbrohet, pasi që bëhet fjalë për shkollën më të madhe në Kosovë, që ka qenë që prej para luftës. Pra, të ruhet si trashëgimi kulturore, e jo të rrënohet e të akomodohen për parkingje, për xhungël që është krijuar në komunë”, theksoi Murati.

Kuvendi po vazhdon shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat