​Latifi vendos prioritet sistemin informativ shëndetësor dhe atë të sigurimeve shëndetësore

Aktuale

​Latifi vendos prioritet sistemin informativ shëndetësor dhe atë të sigurimeve shëndetësore

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 18:07
Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, për herë të parë pas marrjes së detyrës, për më shumë se dy orë ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Latifi ka renditur shtatë shtyllat kryesore përmes të cilave synon të përmirësojë sistemin shëndetësor. Ai tha se synim kryesor ka vendosur Sistemin Informativ Shëndetësor, avancimin teknologjik mjekësor dhe sistemin e sigurimeve shëndetësore, por nuk dha asnjë afat se kur qytetarët do të kenë sigurime shëndetësore.

Qysh në fillim të raportimit të tij ai theksoi se arsye pse është kthyer nga Amerika për të kontribuar në sistemin shëndetësor është që t’ia kthejë borxhin Kosovës për përgatitjet e tij edukativo-arsimore që ka zhvilluar në vend.

Ai ka propozuar një decentralizim të spitaleve rajonale në mënyrë që QKUK të mos ngarkohet.

Latifi: Kemi nevojë për decentralizim të sistemit shëndetësor dhe fuqizim të spitaleve rajonale

“Çka unë mendoj me këtë përvojën time shumë të gjatë më pak se 1 muaj mendoj se ne duhet të koncentrohemi në shtatë shtylla kryesore këto shtylla jonë: Sistemi Informativ Shëndetësor dhe avancimin teknologjike mjekësore, Sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe i Fondit Shëndetësor, Reformimi i agjencive kombëtare të MSH-së dhe ndoshta shtimi i një agjencie tjetër... Numër pesë kam përshtypjen se kemi nevojë për decentralizim të sistemit shëndetësor dhe fuqizimin e spitaleve rajonale. Ne ngarkojmë QKUK edhe me çështje dhe operacione dhe sëmundjet më të vogla të cilat do të duhej të trajtoheshin në spitalet rajonale. Numër 6 integrimi i kapaciteteve akademike dhe klinike dhe reformimi i sistemeve shkencore”, tha Latifi.

Qëllimin për decentralizimin e sistemit shëndetësor dhe fuqizimin e spitaleve regjionale e ka përshëndetur deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj i cili u interesua të di më shumë për njohjen e certifikatës të vaksinimit dhe funksionalizimin e Spitalit të ri Pediatrik.

Për funksionalizimin e këtij spitali, ministri Latifi tha ka biseduar me hisedarët dhe se shumë shpejt do të jep përgjigje për këtë çështje.

Latifi: Nuk kemi me lënë asnjë gur pa rrotulluar për ta gjetur zgjidhjen sa më shpejt

“Unë besoj se shumë shpejt mund me iu përgjigjur se kur mund ta hapim. Tash nuk mundem me iu thënë se kur do ta hapim, por nuk kemi me lënë asnjë gur pa rrotulluar për ta gjetur zgjidhjen sa më shpejt”, tha ai.

Ndërsa për njohjen e pasaportat e vaksinës nga BE-ja, ministri Latifi tha se edhe kjo çështje do të rregullohet, duke mos dhënë ndonjë kohë të caktuar.

Latifi: Jemi të interesuar ta zgjidhim çështjen e njohjes së certifikatave të vaksinës

“Pasaporta e vaksinës është gati e njëjtë, është më pak problematike që të zgjidhet. Ne e kemi një përfaqësues të Bankës Botërore që është duke punuar. Besoj që edhe kjo do të bëhet shpejt, por nuk mund të tregoj se kur do të bëhet. Kur kam biseduar me personelin që është duke kryer këtë punë, ata më kanë thënë deri dy javë. Kjo ka qenë para një jave, dhe nuk jam i sigurt kur do të ndodhë. Unë jam absolutisht i interesuar. Edhe kryeministri dhe presidentja janë të interesuar që kjo të kryhet sa më shpejt”, tha ministri Latifi.

Ministri i Shëndetësisë nuk ka mund të jep datë as për SISh e as për Sigurime Shëndetësore për shkak se, siç tha ai, nevojitet punë e madhe dhe grupet punuese duhet të bëjnë analiza se çka ka shkuar mirë e çka keq.

Latifi: S’mund të them vitin e ardhshëm do të kemi sigurime shëndetësore

“Menjëherë pas Vitit të Ri, të mbledhim një grup dhe të ulemi dhe të bisedojmë se çka mund të bëjmë dhe çka nuk mund të bëjmë. Tash nuk mund të them se vitin e ardhshëm ose vitin tjetër do të kemi sigurime shëndetësore, por jam shumë i sigurt se do të jetë jashtëzakonisht vështirë që në vitin e ardhshëm të kemi sigurime shëndetësore. Ta them me sinqeritetin më të madh nëse nuk kemi sigurime shëndetësore. Ne kemi dëmtuar jashtëzakonisht popullin. Këta që paguajnë jashtë sigurimeve shëndetësore është një numër i tmerrshëm”, tha ai.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e PDK-së Bekim Haxhiu derisa u shpreh i hapur për bashkëpunim me ministrin Latifi nga ai kërkoi të di se ka strategji për vaksinim për vitin 2022. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka dështuar në avancimin e agjendës legjislative të paraparë për vitin 2021.

Haxhiu u interesua të di se Kosova a ka kapacitete për diagnostikimin e variantit Omicron për çka shprehu edhe dyshimet se mos këto rastet e shumta me gripin sezonal janë omicron.

Haxhiu: A ka Kosova kapacitet për të diagnostikuar variantin e ri Omicron

“A ka Kosova sipas informacioneve të tanishme kapacitet të nevojshme për të diagnostikuar variantin e ri Omicron dhe këto 15 mijë raste të lajmëruar si grip sezonal bazuar në simptomatologji duket se janë simptomatologji e njëjtë me variantin Omicron. A ke kërkuar ndonjë llogari nga përgjegjësit, se mos kemi të bëjmë me rastin se nuk është grip sezonal, por kemi raste të Omicron dhe po na fshihen, sepse nuk kemi kapacitet diagnostikuese. A do të kërkoni llogari nga vartësitë tuaj për dështimin e planit të vaksinimit, sepse qeveria ka premtuar 60% të vaksinimit deri në fundvit dhe sipas statistikave të tanishme të Universitetit John Hopkins... dhe sipas këtyre statistikave rezulton se nuk Kosovë janë vaksinuar deri më tani me dy doza 43.28%? Ndonëse edhe ai premtim për 60% për fundvit nuk ishte për ndonjë lëvdatë, sepse kur duhet të ishte një plan më dinamik, por edhe ky plan i vaksinimit ka dështuar dhe si a keni ndonjë strategji për vitin 2022, se tash a do të planifikojmë, sepse tash ai plani i veprimit i MSH-së ka qenë deri më 31 dhjetor 2021 dhe kishte mbetur që bazuar në situatë pandemike të bëhej një plan tjetër, a keni ndonjë plan të veprimit të vaksinimit për vitin 2022?”, tha Haxhiu.

Pyetjeve dhe vlerësimeve të deputeti Haxhiu ministri i Shëndetësisë iu përgjigj duke thënë se procesi i vaksinimit është ndër sukseset e Kosovës në luftën e pandemisë COVID-19.

Ndërsa, tregoi se Kosova nuk ka kapacitete që të identifikojë variantet e reja të COVID-19, por shtoi se është informuar nga IKSHP se janë në përfundim të një qendre që do të merret me këto aspekte.

Lidhur me planin për vaksinimin anitCOVID gjatë 2022, ministri Latifi u shpreh se do t’i intensifikojnë veprimet.

Latifi: Nëse Kosova ka bërë diçka mirë në COVID, ka bërë vaksinimin

“Jo, sot nuk kemi. Mua më kanë thënë nga Instituti se janë në përfundim e sipër të një qendre ku mund t’i identifikojnë Omicron gjenetikisht. Tash për tash ne i dërgojmë të gjitha mostrat që janë COVID pozitiv në Gjermani çdo dy javë. Unë kam kërkuar që kjo të bëhet çdo javë, që të mos kemi hapësirë që me pa dikush COVID edhe ne pas dy jave ta dëgjojmë se ky ka qenë Omicron. Nëse Kosova ka bërë diçka mirë në COVID, është ajo që ka bërë vaksinimin”, theksoi ai.

Pyetje të shumta nga anëtarët e Komisionit për Shëndetësi ministritë të Shëndetësisë, Rifat Latifi iu adresuan edhe për strategjinë për shëndetësi dhe planin legjislativ. Për këtë të fundit Latifi tha se fillimisht duhet të krijohet strategjia e pastaj të adapotohen ligjet.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka ngritur si shqetësim njohjen e certifikatave të vaksinimit. Ai fajësoi qeverinë duke thënë se kjo mosnjohje ka ardhur si pasojë e skandaleve të verës të këtij viti me testet PCR.

Zemaj: Kjo mosnjohje ka ardhur si pasojë e skandaleve me testet PCR

“Certifikata e vaksinimit është tejet imediate për qytetarët e Kosovës. Kjo ka ardhur si pasojë e skandaleve të verës së këtij viti me testet që kanë udhëtuar jashtë shtetit. Shumë shtete perëndimore e kanë futur Kosovën në lista të zeza për shkak të lëshimit të raporteve fals në numër të madh, e cila ka sjellë pasoja edhe në shtete evropian për shpërndarje të infeksionit. Në shtator 2020, ne kemi avancuar në njohjen e testeve PCR që ka qenë një avancim nga Instituti Robert Koch për vlerësimin e tyre, të cilët kanë qenë këtu dhe testet e Kosovës janë njohur në gjithë botën. Tash ky është rikthim prapa, nëse ju nuk intervenoni shpejt në kontakte në biseda në trajtim të këtij sektori problemi i certifikatave të vaksinimit, do ta izolojë Kosovën në lëvizje të tyre dhe kjo fillon nga janari i vitit 2022. Ju e dini këtë që dy shtete janë, Kosova dhe Bosnja në Ballkanin Perëndimor, që janë të sanksionuara me mosnjohje të certifikatave të vaksinës”, tha Zemaj.

Pas kësaj reagoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku që vjen nga partia në pushtet e cila tha se asnjë test i bërë në institucionet publike nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje. Sipas saj rezultatet e testeve të bëra në institucionet private të licencuara nga vetë Zemaj sa ishte ministër kanë qenë ato që kanë ngjall dyshime në vendet e jashtme.

Kollçaku: Asnjë test i bërë në institucionet publike nuk është vënë në pikëpyetje jashtë

“Asnjë test i bërë në institucione publike nuk është vënë në pikëpyetje jashtë Kosovës. Shumica e këtyre institucioneve të cilat i apostrofon ti janë licencuar në kohën kur ke qenë ti (ministër) dhe keni dhënë normë të testohen privatisht dhe nëse ka pasur, është punë e inspektorëve shëndetësor që duhet t’i vendosim para ligjit, nuk është mirë të flitet kështu”, tha ajo.

Përplasje pati përsëri në mes të kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, Fatmire Kollçaku dhe Armend Zemajt nënkryetar i këtij Komisioni kur ky i fundit e këshilloi ministrin Latifi që të mos e shpallë të përfunduar pandeminë COVID-19 ashtu siç tha ai se ka bërë edhe kryeministri.

Përplasja Zemaj-Kollçaku: Dikush krijoi komoditet se virusi ka kaluar

“Dikush para teje e ka krijuar komoditetin duke përfshirë edhe kryeministrin se në pjesën e parë të këtij viti ose në pjesën pa hyrë në verë se virusi ka kaluar me këtë qeveri, por pasojat ka qenë të mëdha, por pasojat kanë qenë të mëdha... Kollçaku: Në asnjë rast kryeministri nuk ka deklaruar ka thënë e ka menaxhuar mirë nuk ka thënë se ka përfunduar kurrë.. .Zemaj: Ekzistojnë transkriptet, deklaratat publike, nuk e di privat, se nuk kam kontratë, nuk e di se çka iu ka thënë ju, por iu ka thënë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës. Unë e mora që ministri mos ta bëjë të njëjtën”, ishte kjo përplaja ndërmjet Zemajt e Kollçakut".

Ministri Latifi nga Komisioni për Shëndetësi u pyet edhe për specializantët për çka tha se është i interesuar ta zgjidhë problemin e tyre. Ndërsa, për pagat e stafit shëndetësor në nivel vendi, ai tha se nëse paguhen mjekët kaq pak, atëherë nuk mund të kërkohen shërbime të jashtëzakonshme nga ta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat