LIVE: Përplasje mes pozitës e opozitës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Aktuale

LIVE: Përplasje mes pozitës e opozitës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 09:02
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 20:16) -  ​​Deputetët miratojnë mbi 10 projektligje

Mbrëmjen e sotme, deputetët kanë miratuar 12 projektligje, prej këtyre tetë janë për shëndetësi.

Kuvendi i Kosovës ka votuar 55 amendamentet dhe projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Po ashtu, 12 amendamente për Projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve. Deputetët e shumicës kanë votuar edhe për 17 amendamentet dhe Projektligjin për Dizajn Industrial.

Me 57 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, Kuvendi e ka miratuar projektligjin dhe 29 amendamentet për Patentë Shoferë.

Në mesin e tyre janë miratuar edhe projektligjet për Shëndetin Riprodhues, Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, në lexim të dytë dhe të Shërbimin Mjekësor Emergjent, për Kontrollin e Duhanit, Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, Ndërprerjen e Shtatzënisë, Gjakun dhe Përbërësit e Gjakut dhe për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve të Kosovës në Sistemin Shëndetësor. 

Nuk ka kuorum për marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të votuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit - Nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurinë e ujit. Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Deputetët kanë votuar edhe për shmangien e afateve për shqyrtimin e projektligjit për marrëveshjes ndërkombëtare me BE në programin Programin e Bashkimit Horizon Europe.

Konsideroj që nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të votave, sepse një pjesë e deputetëve nuk ka votuar. Pra i kemi 67 vota për, katër vota kundër dhe asnjë abstenim. Si e tillë nuk ka pasur kuorum”, ka njoftuar kryetari i Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. .

Organi më i lartë legjislativ ka votuar edhe për shmangien e afateve për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe - Korniza e Programit për kërkimin dhe inovacionin.

Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se me këtë marrëveshje Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota krahas 17 vendeve të tjera jo anëtare të BE-së. Ky program, siç tha ajo, ka buxhet të përgjithshëm prej 95,5 miliardë euro dhe është shtatë-vjeçar. Nuk ka pasur vota të mjaftueshme as për amendamentet e kësaj marrëveshje, kështu është pamundësuar votimi i marrëveshjes.

Kuorum nuk ka pasur as për marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian Evropa kreative (2021-2027) 

***

Me përplasje mes pozitës e opozitës po vazhdon edhe pjesa e dytë e seancës së Kuvendit të Kosovës, e shkak është mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga partitë opozitare. Partitë opozitare po e akuzojnë pozitën se të njëjtat marrëveshje i kishte kundërshtuar sa kishte qenë në opozitë.

Në Kuvend po diskutohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit - Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro.

Murati: Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro

Me qëllim të forcimit të menaxhimit të sigurisë së ujit dhe përmirësimin e sigurimit të ujit në pellgun e Moravës ne si Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve, pra kemi arritur dakordim me Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për marrëveshjen e programit ‘Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit’. Marrëveshja financiare ndërkombëtare kap vlerën totale të kredisë prej 25.1 milionë euro”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se të njëjtën marrëveshje pozita e tanishme kishte refuzuar ta votonte kur kishte qenë në opozitë.

Tahiri: Ministri i Financave në atë kohë e arsyetonte pse të mos miratohet kjo marrëveshje

Më kujtohet tash ministri i Financave, në atë kohë kryetar i Komisionit për Buxhet, e arsyetonte pse nuk duhet me u votu një marrëveshje e tillë. Pra, qytetarët e Gjilanit do të kishin filluar me pa ndoshta përmirësime ose implementimin e kësaj shumë më herët... Ne do të përmbahemi nga votimi. Mirëpo është më rëndësi ta dimë çka ka ndodhur që në atë kohë në opozitë si kryetar i Komisionit dhe tash ministër ka ndryshuar qëndrimin në raport me këtë marrëveshje”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se e njëjta marrëveshje është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa i bëri thirrje ministrit Murati që të deklarohet se a ka gabuar në atë kohë që e ka kundërshtuar.

Hoti: Atëherë as ne nuk i kemi pas 80 vota, as ju nuk i keni sot 80 vota

E keni kundërshtuar për faktin nëse ju citoj drejt që pak më shumë se 50 përqind e kësaj kredie prej 25 milionë euro shkon për trajnime, për ngritje të kapaciteteve dhe më pak se 50 përqind shkon për investime kapitale. Tani unë nuk i jap vetës të drejtë a është mirë apo jo se ekspertët e fushës e kanë vlerësuar, e kanë negociuar dhe e kanë pa arsyeshmërinë që na duhet një marrëveshje e tillë. Ju atëherë e keni kundërshtuar dhe tash prej se keni marrë detyrën si ministër i Financave keni pasur plotësisht të drejtë që të ktheni mbrapa këtë marrëveshje dhe ta rinegocioni edhe ta sillni në termat që ju mendoni që duhet me qenë. Atëherë as ne nuk i kemi pas 80 vota, as ju nuk i keni sot 80 vota, pra duhet të bindet opozita për arsyeshmërinë e atij qëndrimi që keni mbajtur. Nëse mendoni që keni gabuar ju nuk po e thoni, por duke qenë se e keni pru të njëjtën marrëveshje kjo në mënyrë indirekte kupton që e keni mbajtur një pozicion gabim atëherë”, tha ai.

Kritika drejtuar partive opozitare ka adresuar deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se partitë opozitare nuk po i mbështesin projektet që përfitojnë studentët, profesorët dhe FSK-ja.

Abrashi: Kthetrat e opozitës janë drejtuar nga qytetarët e Gjilanit

Kthetrat e opozitës janë drejtuar nga qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës. Është më të vërtetë për keqardhje që kjo opozitë sot është zgjuar nga gjumi me një dell aq destruktiv, nuk e di se çka ju ka bë aq keq Kosova saqë me ardhë me bë dëm në këto përmasa”, tha ai.

Ai tha se arsye se pse në atë kohë i kanë kundërshtuar këto marrëveshje ka qenë jolegjitimiteti i qeverisë Hoti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që në kohën kur është iniciuar kjo marrëveshje ka qenë ministre e Financave.

Ajo ka përmendur të gjitha veprimet që LVV kishte bërë në Kuvendin e Kosovës kur kishte qenë në opozitë.

Bajrami: A ju kujtohet që keni thyer xhama të institucioneve i keni trembur investitorët e huaj

Me e quajt opozitën e sotme, me quajt LDK antiamerikane dhe destruktive përnjëmend duhet me pas kujtesë jashtëzakonisht të shkurtër. Nuk e di a i kujtohet z.Abrashi që ky Kuvend nga LVV sa herë është mbushur tym edhe flakë. A ju kujtohet që dy milionë kosovarë, qytetarët e këtij vendi i keni lënë pa viza, veç pse keni qenë opozitë për asgjë tjetër. A ju kujtohet se i keni gjuajt policët me të cilët sot po krenoheni që i keni shkatërruar 42 banda kriminale, i keni gjuajt me mollotov vetëm pse keni qenë dhe për asgjë tjetër. A ju kujtohet që keni thyer xhama të institucioneve, i keni trembur investitorët e huaj, vetëm pse keni qenë në opozitë. Ju e dini pse sot ne po refuzojmë për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Asaj i ka reaguar deputeti i LDK-së, Artan Abrashi, i cili tha se si parti thirren në antiamerikanizëm edhe kur kanë rrëzuar një qeveri në mes të pandemisë.

Abrashi - Baramit: Ju thirreni në proamerikanizëm kur keni dashur Ujmanin me ia fal Serbisë

Znj. Bajrami ju thirreni në proamerikanizëm kur keni dashur Ujmanin me ia falë Serbisë, ju thirreni në amerikanizëm e proamerikanizëm kur keni dashur me bë Zajednicën serbe në Kosovë, ju thirreni në amerikanizëm kur ju keni humbur territor Republikës së Kosovës. Jeni thirrur në amerikanizëm kur e keni rrëzu një qeveri legjitime në kohë të pandemisë, e jeni bë gazi i dynjasë. Por, nuk po thirreni në amerikanizëm kur fjala është me e kalu një marrëveshje ku përfitojnë nxënësi, studenti dhe profesorët e Republikës së Kosovës. Po kjo është hipokrizi bre e para e punës, e dyta LVV nuk e ka lënë Kosovën pa viza, po ju e keni lënë Kosovën pa 8 mijë e 200 hektarë tokë. Pra, kur e keni kaluar demarkacionin atë akt të turpshëm, të cilin historia më e re e Republikës së Kosovës do të ju mbajë mend. A e kaluat demarkacionin, ku janë vizat? Sa i përket gazit, keni qenë rrezik ekzistencial për Kosovën, e keni kanos vendin me instalim të një entiteti autonom serb ku në thelb ka pasur dhe ka zhbërjen e shtetit tonë”, tha ai.

Deputetit i ka reaguar sërish deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se është LVV ajo që nuk e ka njohur Kosovën deri dje.

Bajrami: Ju jeni sot ata të cilët po na flisni për zhbërjen e Republikës që nuk e keni njohur deri dje

Mos me pas qenë LDK nuk besoj që kishe pas shanse ti me u ulë në Kuvendin e Republikës. Ne nuk kemi nevojë me u thirr në amerikanizëm, ne bartim vulën e miqësisë me amerikanët, jeni ju ata të cilët po e keqpërdorni. Sa i përket gazit dhe dëmeve që i keni bërë këtij vendi jeni ju sot ata të cilët po na flisni për zhbërjen e Republikës që nuk e keni njohur deri dje, nuk e keni njohur flamurin, nuk i keni njohur institucionet”, tha ajo.

***

Përplasen Kusari-Lila dhe Tahiri në Kuvend

Me përplasje të ashpër po vazhdon seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës. Dallimet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kanë përplasur verbalisht shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ishte ky i fundit që e quajti gënjeshtare, Kusari-Lilën, e cila sipas tij nuk dinë të ndërtojë konsensus me partitë opozitare.

***

Tahiri: Kusari-Lila po gënjen

“Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, le që pa asnjë nivel profesional dhe kolegial del e gënjen këtu në foltore, por mundohet me përmbushë një agjendë të saj që në fakt nuk dinë me bërë. S’dinë me ndërtuar konsensus Mimoza Kusari....tash lyp konsensus prej neve dhe sillesh në formën më të ulët të mundshme si shefe e 61 deputetëve. Koalicionin në qysh me Listën Serbe e bërë”, tha ai.

Atij iu kundërpërgjigj shefja e deputetëve të LVV-së, duke i thënë se po fol kot.

Kusari-Lila: Nëse ka pas të pavërteta është dashur të debatohen dhe jo me fol kot

“Për gjuhën që e përdori zotëri Tahiri, s’po dua të sjell një standard të ri të keq. Nëse ka pas të pavërteta është dashur të debatohen dhe jo me fol kot”, tha ajo.

***

S’pati kuorum, nuk hidhet në votim memorandumi për programin “Fullbraight”

Në mungesë së kuorumit nuk u hodh në votim as shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit në mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prishtinë, Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright gjatë seancës së sotme parlamentare.

Arsyetimin për këtë marrëveshje e dha ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ndërsa, sjelljen e opozitës për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje a ka konsideruar si një qasje destruktive dhe jo etike që nuk e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë por qytetarët.

Abrashi: Qasja e opozitës është destruktive dhje jo etike dhe jo parimore

“Është pikërisht një kritik e tyre e cila është marr shumë seriozisht nga ne kur kanë thënë se agjenda legjislative e Kosovës nuk po plotësohet dhe duke u bazuar në këtë keni marr projektligjet jeni future në rend të ditës që ta plotësojmë këtë kërkesë që ishte pikërisht nga opozita dhe cili është arsyetimi i tyre se pse po i futni tash kur nuk kemi me I shqyrtuar dhe si rezultat I kësaj ne nuk do I votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare. Pra në njërën anë mundohen të paraqiten konstruktiv duke thënë se ne jemi këtu për t’iu ndihmuar dhe çka bëjnë refuzojnë marrëveshjet ku përfituesit kryesore do jenë qytetarët e Kosovës. Kjo qasje është destruktive dhje jo etike dhe jo parimore me këtë nuk po i bëjnë asgjë Lëvizjes Vetëvendosje nuk po I bon asgjë qeverisë me këtë po e dëmtojnë direkt qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Kurse, deputeti nga LDK, Armend Zemaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se askush nuk mund të luajë me arrogancën e numrave.

Zemaj: Askush nuk mundet të luaj me arrogancën e numrave

“Sa i përket asaj pjesës për miratim apo mosvotimit të marrëveshjeve, besoj u shtjerr ai debat, deputetët nuk kanë nevojë të mbajnë orë edukativo-arsimore dhe duhet të kuptohen dhe krejt çka duhet të merren për bazë dhe të jetë e arsyeshme është se askush nuk mundet në këtë vend të luaj me arrogancën e numrave kurdo dhe kudo qoftë”, theksoi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në seancë në ora 15:30. 

 

***

PDK: Ngrohja nuk është luks, po mungojnë veprime konkrete e të guximshme nga Qeveria

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj ka kritikuar Qeverinë se nuk mori asnjë masë për të adresuar problemin e rritjes së energjisë elektrike, e për çka kanë kërkuar që të marrin hapa urgjent në lidhje me këtë krizë.

PDK po kërkon që të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji.

Nikaj thotë se ndonëse vendimi për ndarjen e 20 milionë eurove për subvencionim të importit të energjisë ka qenë i duhur por që pas parasysh çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare këto mjete nuk mjaftojnë as për shtatë ditët e mbetura të këtij viti.

Nikaj: Nuk kemi qartësi deri kur do të zgjasë kriza energjetike

“Ashtu siç gjithë jemi dëshmitarë ditëve të fundit jemi përballuar me reduktime të pakontrolluar të energjisë elektrike, edhe më keq nuk kemi qartësi deri kur do të zgjasë një situatë e tillë edhe më pak cilat janë masat që po ndërmerren për me tejkalu këtë situatë. Vendimi i ditëve të fundit për ndarjen e 20 milionë eurove për subvencionim të importit të energjisë është vendim i duhur. Mirëpo këto mjete që kanë filluar të shpenzohen në raport me çmimet aktuale të energjisë në tregjet ndërkombëtare nuk mjaftojnë as për shtatë ditë e mbetura të këtij viti”, tha ai.

Nikaj në konferencën për medie nënvizoi se Qeveria nuk po ka guxim të marrë veprime konkretet, me ç’rast ka theksuar se ngrohja nuk është luks.

Nikaj: Të shpallet gjendje emergjente për furnizimin e energjisë elektrike

“Po mungojnë veprime konkrete e të guximshme nga Qeveria. Mbi të gjitha këto veprime të Qeverisë po bëhen në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Rritja e çmimit të energjisë, në një kohë të rritjes së përgjithshme të çmimeve, pa ofruar alternativa për ngrohje do të ketë ndikim katasftrofal në ekonomitë familjare të qytetarëve tanë. Sot ngrohja nuk është luks, nuk është komoditet vetëm për zyrën e kryeministrit dhe ministrave. Është nevojë dhe e drejtë elementare për secilin qytetar. Prandaj, është e domosdoshme që të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e Qeverisë për të intervenuar në treg. Të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetarët, të cilët të goditur nga pasojat e pandemisë do ta rendoheshin edhe më shumë”, theksoi Nikaj.

PDK po kërkon edhe që në mënyrë urgjente të ndahet një fond i furnizimit emergjent për vitin 2022 i cili ne vazhdimësi dhe varësisht nga prodhimi vendor si dhe nevoja për import do të garantonte furnizim të sigurte me energji për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Po ashtu kërkuan që të hiqet për periudhën e krizës tantiema ne qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht te ulet çmimi ne mënyrë qe efektet pozitive te barten tek qytetari, të ketë plan dhe transparencë ne orarin e ndaljes se furnizimit ne mënyrë qe qytetarët të jenë në gjendje të bëjnë planifikimet e aktiviteteve ditore. Tutje Nikaj në paraqitjen para medieve si hapa që do të duhet të ndërmarr Qeverisa ishte edhe senzibilizimi i krejt mekanizmave ndërkombëtarë dhe në veçanti BE që të kërkojë përgjegjësi nga Serbia në përgjegjësi e cila me bllokimin e linjave dhe pamundësinë e alokimit te kapaciteteve ndërkufitare po e vështirëson importin dhe po e rrit koston edhe ashtu të lartë të këtij importi në këtë periudhë.

PDK po kërkon edhe që të ndërmerren hapa të nevojshëm për të adresuar situatën me furnizim të energjisë në veri.

***

Propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për debatin për krizën energjetike është shtyrë për të martën, kur do të jetë edhe vazhdimi i seancës. Mocioni kaloi me 79 për, dy kundër dhe dy abstenime.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se u dakorduan që kjo pikë të jetë e para në vazhdimin e seancës të së martës më datën 28 dhjetor 2021.

Tahiri Debati për krizën energjetike do mbahet më 28 dhjetor 2021

“Ne si Grup Parlamentar e kemi thirrur debatin për krizën energjetike, menduam që ta vendosim këtë menjëherë pas marrëveshjeve ndërkombëtare, por pasi u dakorduam paraprakisht që kjo të jetë pika e parë në vazhdimin e seancës të së martës më datën 28 vendosëm që ta mbajmë debatin më 28, pra e tërheqim mocionin”, theksoi ai. 

 ​Kuvendi përfshinë në agjendën e sotme edhe 12 projektligje për lexim të dytë


Me propozim të mazhorancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përfshirë edhe 12 projektligje për lexim të dytë në agjendën e seancës së sotme plenare. Partitë opozitare e kundërshtuan këtë mocion procedural, ku kritikuan shumicën se me miratimin e këtyre projektligjeve po dëshiron të bëjë vetëm statistikë. Ndihmë pushtetit për përfshirjen e këtyre projektligjeve në rend të ditës i dhanë edhe deputetët e Listës Serbe.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se projektligjet kanë kaluar gjitha procedurat ligjore në Kuvend për të ardhur në seancë plenare.

Kusari-Lila: Mocioni ka të bëjë me përfshirjen në agjendë të ditës së sotme projektligje që janë të gatshme për lexim të dytë

“Mocioni ynë ka të bëjë me përfshirjen e agjendës së ditës së sotme projektligje që janë të gatshme dhe kanë kaluar procedurat dhe raportet që kanë ardh në seancë, janë projektligje në lexim të dytë. Tri projektligje kanë ardh nga komisioni për ekonomi, tetë projektligje nga komisioni për shëndetësi dhe një nga komisioni për mjedis”, tha ajo.

Por, kjo u kundërshtua ngashefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se këto projektligje duhet të procedohen në mënyrë të rregullt përmes Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri: PDK nuk e mbështet këtë mocion procedural

“PDK nuk e mbështet këtë mocion procedural dhe rrjedhimisht kërkojmë që të shkojnë në procedurë të rregullt që kryesia e Kuvendit të Kosovës t’i përcaktoj për seancën e radhës, Kam kërkesë edhe nga deputetët e PDK-së që kanë nevojë edhe për disa sqarime dhe konsultime shtesë dhe pastaj do i vendosim në kryesi dhe në seancën e radhës”, u shpreh Tahiri.

Më kritik u shpreh shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Dëshironi të bëni statistikë

“Pse sot, 50 pika rendi i ditës me u bërë sot. Nuk po e kuptoj pse. Statistikë me plotësuar statistikën vjetore që ne i bëmë 50 ligje për një ditë. Kurrë s’ka ndodh në histori të Kuvendit me i ka kaluar 50 ligje për një ditë”, tha ai.

Mos pajtim për përfshirjen e këtyre projektligjeve në rend të ditës shfaqi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Grupi parlamentar I AAK-së nuk e mbështet këtë pikë

“Grupi parlamentar i AAK-së nuk e mbështet këtë pikë ne diskutuam për gati 30 minuta që të hyjnë katër ligje dhe kjo nuk ndodhi e rrugës dhe e mbarë kishte me qenë që në këtë lexim të dytë të lexohet Ligji I Pagave I cili nuk është shtyrë për këta 10 muaj po nuk ndodhi ajo që ne kërkojmë është që debatin parlamentar që e kemi kërkuar për çështjen më të rëndësishme dhe më me urgjencë që është gjendja energjetike në vend kjo të trajtohet dhe për këtë u dakorduam që mos të hyjë në këtë seancë ashtu siç e pata kërkesë që të jetë pika e parë por që të diskutohet në seancën e 28 dhjetori të martën e ardhshme si pikë e parë e rendit të dytës”, theksoi ai

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka shprehur shqetësimin për ngjashmërinë e simptomave të gripit sezonal me ato të variantit Omicron të virusit Covid-19.

Haxhiu tha sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se pritet që ditëve në vijim të ketë rritje të rasteve me këtë virus.

Situata me pandeminë Covid-19 në muajin e fundit në vendin tonë ka qenë me tendencë të rritjes por ishte e qetë. Mirëpo, rreziku për përkeqësim të situatës i paralajmëruar nga ekspertët shëndetësor rezulton të jetë prezent në ditët në vijim dhe kjo po shihet nga shtimi i numrit të rasteve”, tha ai.

Haxhiu ka përmendur edhe numrin e lartë të qytetarëve të prekur me gripin sezonal.

Ai tha se situata me grip sezonal në spitale dhe në QKMF është alarmante.

Situatë më e rëndë në muajin e fundit ka qenë me gripin sezonal dhe ka kohë që sistemi ynë shëndetësor ka kaluar vetëm në kujdes për Covid-19 dhe janë anashkaluar sëmundjet e tjera, përjashtimisht rasteve urgjente. Për shkak të neglizhencës, mosvaksinimit dhe të keqmenaxhimit situata me gripin sezonal në spitalet tona dhe në QKMF është alarmante”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së konfirmoi se nga të dhënat e IKSHPK-së, nga 6 deri më 12 dhjetor janë shënuar mbi 6 mijë raste të qytetarëve që janë prekur me grip sezonal.

Sipas IKSHKP-së vetëm nga 6 dhjetori deri me 12 dhjetor janë shënuar mbi 6 mijë raste të gripit sezonal. Numri i rasteve me grip sezonal kalon 20 mijë raste. Simptomat e gripit sezonal dhe të variantit Omicron janë me simptomatologji të njëjtë. Pra, lodhje, dhimbje koke, dhimbje fyti, gërvishtje fyti. Dilemat e shumë qytetarëve sot që përballen me këto simptoma janë se a janë të prekur me grip sezonal apo të infektuar me variantin Omicron”, ka deklaruar Haxhiu.

***

Zemaj: Qeveria Kurti rriti koston buxhetore për trajtim jashtë vendit dhe uli furnizimin me barna

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19.

Kritika pati edhe për mosfunksionalizimin e spitalit të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fillim të mandatit tim si Ministër i Shëndetësisë u ballafaqova me një kërkesë të ndërprerjes së punimeve në spitalin pediatrik, kirurgjik i financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga ata të cilët ishin duke e ndërtuar këtë spital.Kërkesa ishte se për  nëntë muaj ishin ndërprerë punimet dhe arsyetimi i vetëm ishin punë inatesh politike, xhelozie me individë të caktuar”, tha ai.

Mbylljen e këtij spitali ai e quajti papërgjegjësi të madhe.

Kjo u zhbllokua, ecën punët dhe duket se spitali ishte drejtë përfundimit.Mbyllja e këtij spitali për arsye tenike është papërgjegjësi e madhe dhe duhet të kërkohet përgjegjësi nga ata që kanë përgjegjësi për funksionalizimin e këtij spitali, ndaj bëj thirrje nga këtu që sa më shpejtë”, tha Zemaj.

Ish-ministri tha se qeveria ka ulur shpenzimet edhe në furnizime me barna.

Kjo qeveri e ka rritur koston buxhetore për trajtim jashtë vendit dhe i ka ulur shpenzimet edhe në shërbime edhe në furnizime, por edhe në barna. Kjo është papërgjegjësi, prandaj një spital i tillë më kosto pothuajse me mbi 22 milionë tregon keqmenaxhimin dhe papërgjegjësinë për të marrë veprime konkrete”, u shpreh tutje Zemaj.

***

PDK i kërkon Qeverisë Kurti të shpallë gjendjen emergjente energjetike

Partia Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar Qeverisë Kurti të shpallë gjendje emergjente energjetike

Deputeti i partisë opozitare, Ferat Shala në seancën e sotme plenare tha se ekzekutivi po dështon në menaxhimin e krizës me energjisë.

Shala: Qeveria të shpallë gjendje emergjente të jashtëzakonshme energjetike

“I themi kryeministrit që duhet urgjentisht të lirojë nga detyra një pjesë të kabinetit të tij që mbulojnë sektorin e energjisë, të shpallë gjendje emergjente të jashtëzakonshme, mbështetur në legjislacionin në fuqi, të jetë transparentë para opinionit dhe qytetarët për transaksionet qeveritare që po bën”, tha ai.

Sipas tij, përgjegjësi kryesor për krizën energjisë është qeveria dhe assesi fajtor nuk janë qytetarët.

Shala: Përgjegjësi kryesor është Qeveria e Kosovës

“Përgjegjësi kryesor është Qeveria e Kosovës me gjithë sektorët dhe dikasteret që mbulojnë këtë sektor të energjisë. A i ka kryer detyrat dhe obligimet karshi kësaj krize, e themi me përgjegjësi të plotë se jo. Mungesa totale e një planifikimi të një situate të tillë, përkundër paralajmërimeve të hershme, mungesa mobilizuese ndërinstitucionale. Paaftësia e skajshme vendimmarrëse e kësaj qeverie, orientimi i tërë kapacitetit qeveritar drejtë identifikimit të zbulimit të ashtuquajturit fajtor historik, parti dhe qeveri të kaluara, procese dhe individ të caktuar, për të ardhur në përfundim final se fajtorë janë qytetarët që po kërkojnë shërbim dhe ngrohje gjatë stinës së dimrit. Kulmi i injorancës është ky konstatim”, tha Shala.

Krahas këtyre, ai tha se edhe ndarja e 20 milionë euro për KEK-un ishte pa bazë ligjore.

Haradinaj: Hiqeni orën policore, po ua vështirësoni pushimet mërgimtarëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fillim të seancës së Kuvendit, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta heqë orën policore pas ardhjes së mërgimtarëve për festat e fundvitit.

Haradinaj tha se ora policore është e pakuptimtë dhe nuk po aplikohet në asnjë vend tjetër.

Pse ndalesa nga mesnata në mëngjes. Nëse e marrim kohën që mërgimtarët rrinë në Kosovë, psh 2 javë, e nëse ia heqim orën policore, i bie që po rrinë një javë e gjysmë. Mërgimtarëve po ua vështirëson edhe kohën që po qëndrojnë”.

E lus ministrin e Shëndetësisë që ka ardhur nga Amerika t’i tregojë kryeministrit t’vet se ora policore nuk aplikohet në asnjë vend, që ka kufizime për shkak të pandemisë”, tha Haradinaj.

LVV mburret me qeverisjen në vitin 2021

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bugujevci, ka thurur lavde për punën e Qeverisë Kurti gjatë vitit 2021.

Gjatë seancës plenare në deklarimet jashtë rendit të ditës, Bugujevci tha se nën qeverisjen e Albin Kurtit është arritur shkalla më e lartë e vaksinimit kundër COVID-19 në rajon.

Në foltoren e Kuvendit, ajo tha se ekzekutivi po e godet krimin pa dallim etnie, derisa theksoi se këtë vit vendi ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik.

Bogujevci: Kosova gjatë këtij viti ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik

“Gjatë vitit që po lëmë pas ishim ne që siguruam dozat e vaksinën Pfizer dhe sot kemi shkallën më të lartë të vaksinimit të popullatës në rajon. Me këtë rast dua të falënderoj ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për punën që e ka bërë në këtë drejtim... Ishim ne që filluam mbështetjen për shtesat për lehonat dhe fëmijët dhe jo vetëm. Po fuqizojmë rolin e gruas dhe po ndihmojmë në krijimin e kushteve elementare për mirëqenien e fëmijëve. Ishim ne që po ndihmojmë bizneset në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe kemi nxitur një dinamikë më të shtuar të aktivitetit ekonomik në vend. Kosova këtë vit ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon, politika e subvencionimit po vazhdon ende... Ne po e godasim krimin pa dallim etnie dhe jemi në rrugë të mirë në miratimin e bazës ligjore edhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme”, tha ajo.

Deputetët diskutojnë sot për krizën energjetike në Kosovë.

**

Sot do të mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancë plenare. Në rend ditë do të jenë 38 pika.

E në këtë seancë do të ketë edhe debat parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.

Seanca plenare e Kuvendit pritet të fillojë në ora 10:00.

Këto janë pikat e rendit të ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit të Seancës së jashtëzakonshme,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-098 për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit në mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prishtinë, Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-097 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për Statusin e Pjesëtareve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-096 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit - Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit,

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-100 për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe - Korniza e Programit për kërkimin dhe inovacionin,

8. Shqyrtimi i Projektligjit 08/L-105 për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian Evropa kreative (2021-2027),

9. Zgjedhja e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit,

10. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,

11. Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese,

12. Zgjedhja e dy (2) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, “NP KOSTT”,

13. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme,

15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-021 për tregti me jashtë

16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-099 për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore,

17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-127 për regjistrimin e bujqësisë,

18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-078 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit,

19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-079 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L- 85 për peshkatari dhe akuakulturë,

20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-080 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/5 i Kosovës për farërat,

21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-081 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-085 për bujqësi organike,

22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-082 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-120 për mbrojtjen e bimëve,

23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-083 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-8 për verërat,

24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-084 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.02/L-53 për Gjuetinë,

25. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-085 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2004/13 për materialin fidanor,

26. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-086 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,

27. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-087 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.04/L-040 për rregullimin e tokës,

28. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-088 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-111 për bletari,

29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-089 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 2003/10 për plehrat artificiale,

30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-090 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L- 10 për përkujdesjen ndaj kafshëve,

31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-091 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/21 për veterinarinë,

32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-092 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-029 për inspeksionin bujqësor,

33. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-093 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-042 i produkteve për mbrojtjen e bimëve,

34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-094 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-9 për ujitjen e tokave bujqësore,

35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-095 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/9 për kooperativat e bujqëve,

36. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

37. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-064 për tokën ndërtimore,

38. Debat parlamentar në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.

Vendi: Kuvendi i Kosovës

Koha: 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat