Sfidat e një “sprove”/ Rrëfimi i nënës së tri vajzave që mposhti kancerin

Aktuale

Sfidat e një “sprove”/ Rrëfimi i nënës së tri vajzave që mposhti kancerin

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 17:08
Fitore Zenelaj me vajzat e saj

“Duke parë para vetes tri engjëj gjeta forcë të luftoj”, rrëfen Fitore Zenelaj, 31-vjeçe, teksa shpjegon motivin që i dha forcë të mposhtë sëmundjen e kancerit.

“Engjëjt” janë referencë për tre fëmijët e saj, me të cilët studentja e infermierisë nga Prizreni thotë se i “mundëm së bashku” vuajtjet e një beteje të rëndë me kancerin në gji.

Ishte shtatori i vitit 2019 atëherë kur rastësisht e kuptoi se do të përballej me sëmundjen e rëndë. Me kancerin e gjirit. Ishte ky momenti kur jeta e Fitores mori një kthesë të papritur.

“Unë këtë sëmundje e kam zbuluar në shtator të vitit 2019, në rastësi atëherë kur vajza ime e vogël ma preku gjirin dhe vura re një gjëndër në anën e djathtë të gjirit”, rrëfen Fitore Zenelaj.

Fitorja, tregon se një konsultim i menjëhershëm me mjekun ia solli lajmin për diagnostifikimin me kancer në gji.

“Menjëherë shkova tek mjeku dhe pas disa muajsh nëpër reparte të ndryshme më sugjeruan të bëj testin e biopsisë (test i cili përdoret për të kontrolluar për shenja të sëmundjes) i cili rezultoi me Ca duklative invazive ( kanceri i gjirit).”

Në këtë pikë, operimi i saj ishte i pashmangshëm. Ai u realizua vetëm dy ditë pas diagonstifikimit me sëmundjen e rëndë.

“Pas 2 ditësh bëra direkt operimin dhe hoqa gjirin. Ndërkaq pas 5 javësh nga operimi fillova me trajtimin e sëmundjes e cila përfshin: kimioterapitë, radioterapitë dhe tani vazhdoj me barna”, vazhdoi tutje Fitorja.

Ndonëse një sfidë e vështirë për t’u përballuar, Fitorja rrëfen se për të ishte një betejë e sjellë nga perëndia. “Thjesht një sprovë nga Zoti të cilën do e mirëprisja”, thotë ajo.

Por, në krahasim me sëmundjen për të më e vështirë ishin tri vajzat e saj për të cilat ishte e vështirë ta përballonin këtë sfidë duke e parë që nëna e tyre ishte pa flokë, por falë marrëdhënies së ngushtë që ato kanë mes vete Fitorja tregon se ia dolën mbanë.

“Për fëmijët ishte pak e vështirë sidomos puna e flokëve që të bien nga kimioterapitë, por duke folur me to pra nga marrëdhënia me vajzat që jam shumë e lidhur së bashku ia dolëm mbanë”, shpjegon ajo.

E pyetur se ku e gjen forcën për të vazhduar tutje Fitorja tha se ishin vajzat e saj tek të cilat gjeti forcën për të luftuar dhe se këtë sfidë e konsideron si mundësi të dytë nga Zoti të cilën nuk duhet ta humbasë dhe ta pranojë si dhuratë nga Zoti.

“Duke parë para vetes 3 engjëj – vajzat e mia – gjeta forcë të luftoj. Po ashtu e pashë si ‘një mundësi të dytë’ që Zoti ma dha për të jetuar, duhej ta shfrytëzoja si dhuratë nga Zoti”, shprehet nëna e tri vajzave.

Fitorja, gjithashtu është në kontakt edhe me gratë e tjera të cilat po ballafaqohen me këtë sëmundje. Thotë se numri i tyre është në rritje. I inkurajon të vazhdojnë betejën me kancerin.

“Kontakti im me gra të tjera që kanë kaluar ose po kalojnë të njëjtën sfidë është bukur i madh. Përveç që më kontaktojnë privat, shumica me përcjellin postimet e mia në rrjete sociale tek të cilat jap vetëm pozitivitet dhe motiv”, thotë Fitorja.

Përveç pozitivitetit që përcjell, Fitorja edhe i këshillon ato që ta duan veten ashtu siç janë.

“Këshillat e mia të zakonshme janë: Ta duani veten ashtu siç jeni! Të kaloni kohë me familjen tuaj! Të kujdeseni për trupin tuaj, hani shëndetshëm dhe merruni me aktivitet qoftë dhe ecje! Të rrini me njerëz që ju kuptojnë boten tuaj dhe të bëni gjëra që ju bëjnë të ndiheni mirë”, këshillon Fitorja.

Në fund të rrëfimit, Fitorja thotë se familja e saj ishte një mbështetëse e madhe në luftën kundrejt sëmundjes.

“Familjen e kam shumë që më mbështet, por kryesorja është që ju të mbështesni veten tuaj dhe ta doni veten tuaj ashtu siç jeni, e jo si duan të tjerët të jesh”, shprehet Fitorja.

Tutje, ajo tregon se gjatë ditës merret me aktivitete të ndryshme në mënyrë që t’i largojë nga mendja të gjitha këto. Kohën e saj përveç kujdesit për vajzat, për obligimet e shtëpisë, Fitorja ka  vendosur ta kalojë ndryshe nga ç’ishte mësuar më herët.

Aktualisht Fitorja po studion për infermieri, viti i dytë dhe shumicën e kohës e kalon duke kryer praktikën përkatëse nëpër institucionet shëndetësore.

Fitorja kohën e kalon edhe duke ecur, duke dëgjuar muzikë e duke mos lënë anash as edukimin e vajzave të saj.

“Pasi kam kaluar sfidën, vendosa të bëj diçka për vete. Përveç kujdesit për vajzat, për obligimet e shtëpisë, fillova të studioj infermierinë dhe tani jam në vitin e dytë, bëj edhe praktiken në institucionet shëndetësore. Kohen e lirë merrem me ecje, me edukimin e vajzave dhe dëgjoj muzikë”, shprehet Fitorja.

E në fund nuk mungoi as mesazhi nga Fitorja për të cilën mund të themi me plot gojën se është një nënë hëroinë.

Ajo rrëfimin e saj e përmbyll me një mesazh të bukur duke thënë se ”kanceri është sëmundje që kalohet, njëjte sikur të gjitha sëmundjet tjera, por që do pak më shumë kujdes për veten. Çdo sëmundje do kurim, si diabeti, tensioni i lartë, epilepsia etj. Ashtu edhe kanceri kurohet falë Zoti, mjekëve dhe përkrahjes së familjes do ia dalim”.

Fitore Zenelaj, beson se shumë shpejt do të jetë në shërbimin e të tjerëve si infermiere e ardhshme pasi sipas saj ajo ka nja shpirt human dhe pse mos ta shpërndaje me të tjerët dëshirën për të ndihmuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat