Qeveria miraton Projektligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Aktuale

Qeveria miraton Projektligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 10:48
Albin Kurti

(E plotësuar 16:13) -  Mbledhja e fundit e Qeverisë për këtë vit, të gjitha vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur të 52-tën me radhë, njëherit të fundit për këtë vit, në të cilën ka aprovuar shtatë projektligje, gjashtë koncept dokumente, dhe vendime të tjera.

Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar, ishte Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, qëllimi i të cilit është organizimi dhe funksionimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/l-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/l-058 dhe ligjin nr. 04/l-122, si dhe ligjin nr. 03/l-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/l-256. Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji, është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike, e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike dhe organizime tjera, të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në Kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua Projekt-kodi Civil i Republikës së Kosovës, i cili ka për qëllim rregullimin dhe harmonizimin e dispozitave ligjore të së drejtës civile. Ky projekt-kod është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian, të aplikueshme në të drejtën civile.

Edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, mori aprovimin e Qeverisë, qëllimi i të cilit është rregullimi, organizimi, kompetencat dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Në këtë mbledhje u miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Pas shqyrtimit, u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit.

Kabineti qeveritar, miratoi edhe Projektligjin për Ushqim, qëllimi i të cilit është përcaktimi i parimeve dhe kërkesave të përgjithshme për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët, masave dhe procedurave lidhur me ushqimin dhe ushqimin për kafshët, si dhe përcaktimin e autoritetit kompetent për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshët.

Me vendim të Qeverisë, u miratua vendimi preliminar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK – sh.a), Zonat Kadastrale: Hade, Shipitullë, Palaj, Leshkoshiq, dhe Sibovc, Komuna Obiliq.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve, për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore të kategorisë paga dhe shtesa për muajin dhjetor për vitin 2021 dhe kategorive tjera të shpenzimeve.

Me vendim të qeverisë, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme  e datës 16.12.2021, për pagesën e orëve shtesë të punës gjatë 2021, në vlerë 513,872.89 € (pesëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy euro e tetëdhjete e nëntë cent), sipas listës së MPB për 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) zjarrfikësit e njësive nëpër Komunat e Kosovës.

Nga Qeveria është shfuqizuar vendimi Nr.03/117 i datës 22.01.2020, sipas të cilit Fidaim Sahitit, i vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës edhe për 3 (tre) vjet, me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.

Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar Fahrije Tërnava- Sheremeti, Sekretare të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat 4 vjeçar dhe Blerim Hasani, Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me mandat 4 vjeçar.

Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe gjashtë koncept dokumente: 

–          Koncept-dokumenti për gjendjen civile, i cili përfshinë një përshkrim të hollësishëm të politikës dhe kornizës ligjore ekzistuese, të institucioneve shtetërore përgjegjëse për zbatim.

–          Koncept dokumenti për shtetësinë, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021, konkretisht prioriteti strategjik, që ndërlidhet me harmonizimin e legjislacionit dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në fushën e kontrollit, mbikëqyrjes dhe zbatimit të legjislacionit në fushën e shtetësisë. 

–          Koncept dokumenti për të huajt, është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë 2021, pjesë e Strategjisë për Migrim 2021-2025 gjithashtu lidhet me zbatimin e Acquis të BE-së, konkretisht me kapitullin 24.

–          Koncept dokumenti për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, i cili ka për qëllim përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore lidhur me zhvillimin dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sektorin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe transportit. Si rezultat synohet të bëhet nxitja e investimeve nga sektori privat në fushën e BRE.  

–          Koncept dokumenti për tokën bujqësore, i cili është në pajtueshmëri me politikat Qeveritare, të përcaktuara në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë për vitin 2021 konkretisht ndërlidhja me Qëllimin Strategjik Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore (tokave bujqësore, pyjeve dhe ujit për ujitje)”. 

–          Koncept dokumenti për fushën e shpronësimit, i cili synon që përmes miratimit të ligjit të veçantë, të rregullojë zbrazëtirat ligjore të hasura gjatë zbatimit dhe do të rregullojë sfidat e reja të krijuara si rrjedhojë e problemeve të paraqitura në fushën e shpronësimit, duke ju dhënë zgjidhje problemeve me të cilat janë ballafaquar mbajtësit e të drejtave pronësore po ashtu edhe shfrytëzuesit në vendin tonë.

Me vendim të qeverisë, është miratuar edhe vendimi për themelimin e Task-Forcës për Mbrojtjen e Tregut të Republikës e Kosovës. Obligohet Task-Forca të vëzhgojë barrierat tregtare kundër Republikës së Ko­so­vës dhe të propozojë masa për mënjanimin e tyre. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë obligohet të kryejë shër­bimet e sekretarisë së Task-Forcës.

Është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, i plotësuar dhe ndryshuar me vendimet Nr.18/19, i datës 14.07.2021 dhe Nr.13/36 i datës 22.09.2021, si në vijim: Pika 1 e vendimit bazë Nr. 03/49 i datës 08.12.2020, ndryshohet ashtu që shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara, reduktohet në 168,922.71 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë e nëntëqind e njëzet e dy euro, e shtatë dhjete e një cent), shumë kjo e cila regjistrohet në SIMFK me kodin përkatës brenda vitit fiskal 2021, dhe bartet në vitin fiskal 2022. Pika dy (2) e Vendimit te Qeverisë Nr. 13/36, dt.22.09.2021, ndryshohet/plotësohet ashtu që afati i mbylljes se avansit të hapur shtyhet deri me datën 31.01.2022.

Pikat tjera të Vendimit të Qeverisë Nr. 03/49 të datës 08.12.2020 përveç atyre të përmendura në këtë vendim, mbeten të pandryshuara.

Miratimin e qeverisë e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.11/08, dt.21.04.2021. Pika 2 e këtij vendimi ndryshohet / plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri më 30.04.2022.

Kabineti qeveritar ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e pikës së parë të vendimit Nr. 07/10, të datës 30.04.2021, me ç‘rast shuma e avancit të hapur, pas arsyetimit të shpenzimeve për produktet e pranuara reduktohet në 730,935.07 € (shtatëqind e tridhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro, e shtatë cent). Po ashtu plotësohet dhe ndryshohet pika e dytë e vendimit Nr. 07/10 i datës 30.04.2021, ashtu që afati i avancit të hapur zgjatet për një afat shtese prej 6 muaj. 

Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e metodës së pagesës direkte (pagesë e njëhershme) në formë të avancit tek UNOPS, në emër dhe për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë prej 2,116,998.47 € (dy milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë euro, e dyzet e shtatë cent).

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Ndryshohet dhe plotësohet pika 2.128 e Vendimit Nr.02/50 i datës 23.12.2021, si vijon: Udhëzimi Administrativ Nr.02/2012 për Tarifat e Përkohshme Noteriale, mbetet në fuqi deri në datën e hyrjes në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat e Noterëve, nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë. 

Në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej tre milionë euro (3,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot, konferencën e fundvitit me gazetarë, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së 52-të të Qeverisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përmblodhi vendimet e mbledhjes së sotme dhe rëndësinë e tyre dhe po ashtu listoi të arriturat kryesore të Qeverisë që nga koha e marrjes së mandatit qeverisës.

“Në këtë vit, i kishim gjithsej 52 mbledhje, 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente, 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe 5 nisma legjislative”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që po përmbyllet viti me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe se projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku është arritur që të administrohen 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë  e vaksinave nga lindja dhe verilindja, pra vetëm me Pfizer dhe Astrazeneca të verifikuara nga FDA dhe EMA.

“Gjithashtu e arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë. Janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30 për qind, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60 për qind e mandej për 90 për qind krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53 për qind krahasuar  e 80 për qind  krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit apo tre çerekeve të parë siç bëhen matjet”, veçoi kryeministri.

Tutje, kryeministri tha se Doganat e Kosovës kanë grumbulluar 1.32 miliard euro që është për 1/3 ma shumë se vitin e 2020, që është për 17.5 për qind më shumë sesa në vitin 2019 dhe për 21 për qind më shumë se në vitin 2018.

“I kemi formalizuar gjithsejtë 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro meqë rast kjo është për më shumë se ¼ krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se sa 1/8 krahasuar me vitin 2019 dhe 28 për qind krahasuar me vitin 2018”, tha ndër tjera ai.

Në aspektin e luftimit të krimit e korrupsionit, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh me 799 kallëzime penale natyrisht që ky numër rritet nga dita në ditë.

Për kryeministrin Kurti,  një e arritur që natyrisht është e veçantë, është ajo për ushtrinë e Kosovës, prej zbarkimit të përbashkët në Kuvajt me ushtrinë amerikane, te Defender Europe 21.

Duke ua uruar vitin e ri 2022 me të gjitha të mirat, në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti i falënderoi të gjithëve gazetarët për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për raportimet që kanë bërë e temat që kanë trajtuar.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencë:

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit, që iu keni përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për këtë konferencë për media në fundvit, pas mbledhjes së fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e 52-ta me radhë në Qeverinë tonë, ku i kemi marrë 27 vendime gjithsej, ndër të cilat kemi miratuar edhe shtatë projektligje të tjera, të reja, shumë të rëndësishme.

Kemi miratuar Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sipas të cilit, do të përcaktohet përbërja, mandatet, kompetencat e Qeverisë dhe anëtarëve të saj; Projektligjin për plotësim ndryshimin për Financimin e Subjekteve Politike, nëpërmjet të cilit, do ta rritim transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike; pastaj Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra, në qeverisjen tonë, ne filluam me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe këtë vit po e përfundojmë me Projektligjin për Byronë Shtetërore, e cila do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, si dhe Projektligjin për Ushqim, me të cilin synohet mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe interesave të konsumatorëve.

E kemi aprovuar propozimin preliminar të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.

Gjithashtu, dhamë mbështetjen tonë ndaj kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, për pagesat e orëve shtesë të punës gjatë këtij viti, për zjarrfikësit e njësive nëpër komunat e vendit, me vlerë prej 513 mijë e 872 euro.

E kemi emëruar Sekretarin e ri, të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Blerim Hasanin dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj.Fahrije Tërrnava-Sheremeti.

Kemi vendosur ligjshmërinë, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2020, me të cilin në mënyrë të jashtëligjshme vazhdohej mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Kemi miratuar gjashtë koncept-dokumente, tri të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, një nga Ministria e Ekonomisë, një nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe një nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kemi miratuar koncept-dokumentin për gjendjen civile, për shtetësinë, për të huajt, për burimet e ripërtëritshme të energjisë, për tokën bujqësore për fushën e shpronësimit.

Ndërsa, me qëllim të mirëfunksionimit të tregut, mbrojtjes së industrisë vendore dhe konsumatorëve, për shkak të evidentimit nga terreni dhe numri i ankesave të konsumatorëve, sidomos në lidhje me cilësinë dhe çmimet e produkteve në treg, sot kemi themeluar Task-Forcën për Mbrojtjen e Tregut të Republikës së Kosovës.

Tek të ndryshme, i kemi pasur dy pika, një Ministria e Drejtësisë në lidhje me Udhëzimin Administrativ Aktual për Tarifat e Përkohshme, i cili do të mbetet në fuqi deri në hartimin e udhëzimit të ri nga Ministria dhe tjetrin, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Ndarje Buxhetore në vlerë prej 3 milionë euro për zbatimin e masës 4.6 te pakos së Ringjalljes Ekonomike, mbështetje për Ndërmarrjet Publike, përkatësisht për “Trepçën”.

Në këtë vit, mund të themi, që e kemi përmirësuar edhe më tutje procesin planifikues qeveritar dhe tanimë veç e kemi dorëzuar draftet e para të planeve strategjike dhe operacionale të azhurnuara për 2022-tën.

Si Qeveri, Kryeministri dhe 15 ministri, jemi duke punuar për t’i quar përpara gjatë këtij mandati qeverisës 88 qëllime strategjike, 264 qëllime nënstrategjike, 1030 objektiva operacionale, 4111 tregues kryesor të proceseve dhe 3314 indikatorë kyç të performancës.

Jemi duke e transformuar mënyrën e planifikimit nga e pamatura në përgjithësi në këto 20 vitet e fundit, në planifikim të bazuar në performancë.

Këto procese planifikuese, janë duke u fascilituar nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë, në bashkëpunim me Shefin e Stafit të Kryeministrit dhe shefat e kabineteve dhe sekretariateve të ministrive.

Përfaqësuesit politikë po bashkëpunojnë shkëlqyeshëm si kurrë më parë me stafin civil dhe për këtë u jam falënderues.

Pra, në këtë vit, i kishim gjithsej 52 mbledhje, 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente, 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe 5 nisma legjislative.

Jemi shumë të lumtur që po e përmbyllim vitin me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku kemi mbërri që t’i administrojmë 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë  e vaksinave nga lindja dhe verilindja pra vetëm me Pfizer dhe Astrazeneca të verifikuara nga FDA dhe EMA, ndërkaq sot që po flasim është kaluar për popullsinë mbi 18 vjeçare tash e disa javë vaksinime me mbi 2/3 me një dozë ndërkaq me mbi 60 për qind me të dy dozat. Në fakt këto po mbërrihen edhe për popullsinë mbi 16 vjeçare që ka qenë zotim i yni në shkurtin e këtij viti që ngadalë po e lëmë pas.

Gjithashtu e arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë. Janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30 për qind, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60 për qind e mandej për 90 për qind krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53 për qind krahasuar  e 80 për qind  krahasuar me viti 2019 sa i përket muajve të parë të vitit apo tre çerekeve të parë siç bëhen matjet.

Është interesante që në tre mujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3 për qind ndërkaq në tre mujorin e tretë 14.5 për qind. Unë në veçanti iu falënderohem doganave të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Doganat e Kosovës kanë grumbulluar 1.32 miliardë euro që është për 1/3 ma shumë se vitin e 2020, që është për 17.5 për qind më shumë sesa  në vitin 2019 dhe për 21 për qind më shumë se në vitin 2018.

I kemi formalizuar gjithsejtë 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro meqë rast kjo është për më shumë se ¼ krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se sa 1/8 krahasuar me vitin 2019 dhe 28 për qind krahasuar me vitin 2018.

Në aspektin e luftimit të krimit e korrupsionit janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh me 799 kallëzime penale natyrisht që ky numër rritet nga dita në ditë dhe  një e arritur që natyrisht është e veçantë është ajo për ushtrinë e Kosovës. Prej zbarkimit të përbashkët në Kuvajt me ushtrinë amerikane, te Defender Europe 21 ku nga 27 shtete pjesëmarrëse ne ishim madje në mesin e  16 shteteve nikoqire me 330 ushtarë dhe natyrisht që vitin e ardhshëm do ta kemi një buxhet për herë të parë tre shifror milionësh pra mbi 100 milionë euro.

Unë ju falënderoj edhe të gjithë juve për bashkëpunimin e deritanishëm  për raportimet që keni bërë e për temat e çështjet që keni ngritur e i keni trajtuar dhe ua uroj vitin e ri 2022 me të gjitha të mirat për ju e më të dashurit e juaj. 

***

Kryeministri i Kosovës në konferencën e fundit për këtë vit ka numëruar çështjet për të cilat ka thënë se janë e arritur e Qeverisë së Kosovës gjatë këtij viti. Sipas Kurtit, e arritur e theksuar për këtë vit është rritja ekonomike dhe menaxhimi i pandemisë, të cilin e ka quajtur të shkëlqyer.

Para gazetarëve, Kurti ka thënë se sivjet i kanë marrë 485 vendime, kanë realizuar 119 projektligje dhe 60 emërime, që sipas tij, janë të rëndësishme për vendin.

Kurti: E arritur e theksuar për këtë vit është rritja ekonomike

“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e Qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60%, e madje për 90% për vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53% e 80% krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, të arritura ka edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kurti: I kemi formalizuar 10 vende të reja të punës

“I kemi formalizuar gjithsej 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro dhe kjo është për më shumë se një të katërtën krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se një të tetën krahasuar me vitin 2019 dhe 28% krahasuar me vitin 2018. Në aspektin e luftimit të krimit dhe korrupsionit janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se vitit 2021 po përmbyllet me një menaxhim të shkëlqyer të pandemisë .

Kurti: Po e përmbyllim vitin me menaxhim të shkëlqyer të pandemisë

“Jemi shumë të lumtur që po e përmbyllim vitin me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku kemi arritur ë që t’i administrojmë 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë e marrjes së vaksinave nga lindja dhe verilindja, pra vetëm me Pfizer dhe AstraZeneca të verifikuara nga FS dhe EMA. Ndërkaq sot që po flasim është kaluar për popullorësinë mbi 18-vjeçare tash e disa javë vaksinimi me mbi dy të tretat ne një dozë ndërkaq me mbi 60% me dy dozat”, ka thënë shefi i ekzekutivit.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë që prej marrjes së mandatit po vazhdon udhëtimet dhe qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por sipas Kurtit, kjo nuk e dëmton funksionimin e ministrisë.

Kurti: Udhëtimi i ministrit të shëndetësisë në ShBA nuk e dëmton funksionimin e ministrisë

“Sa i përket ministrit të Shëndetësisë tash nuk ka person i cili nuk është online dhe ai i koordinon punët dhe është e vërtetë që pas një karriere shumëvjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një çikë si shpejtë është dashur që të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në një pandemi. Prandaj, nuk mund të them që është për qëllime personale sa për shkaqe të cilët kanë të bëjnë edhe me institucionet ku ka punuar ai atje, meqenëse është një person 350 artikuj në revista shkencore dhe ka numër të pafundmë të studentëve që kanë magjistruar e doktoruar tek ai, pra janë disa çështje të vogla teknike të cilat janë sërish të natyrës profesionale por ai mua më ka siguruar duke i ndarë punët me kohë në ministri dhe duke qenë vazhdimisht online, nuk do ta cenoj për një moment bashkërendimi dhe funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë kohë të pandemisë”, ka thënë ai.

Kurti ka përmendur edhe sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës duke theksuar zbarkimin e pjesëtarëve të saj në mision paqeruajtës dhe përfshirjen e tyre në “Defender Europe21” ku edhe ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për ushtrinë.

​Kurti: Për herë të parë do të kemi Ligj për qeverinë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur për këtë vit ka miratuar projektligjin për qeverinë dhe atë për financimin e subjekteve politike. Gjithashtu, në këtë mbledhje ekzekutivi ka vendosur edhe për pagesën shtesë për zjarrfikësit.

Qeveria ka miratuar 27 vendime, prej tyre gjashtë projektligje, që sipas kryeministrit Kurti janë tejet të rëndësishme.

Kurti: Për herë të parë do të kemi Ligj për qeverinë

“Kemi miratuar Projektligjin për qeverinë e Kosovës sipas së cilit do të përcaktohet përbërja, mandate dhe kompetencat e qeverisë dhe anëtarëve të saj, Projektligjin për plotësim ndryshimin për financimin e subjekteve politike nëpërmjet të cilit do ta rrisim transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike, pastaj Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pra në qeverisjen tonë ne filluam me miratimin e koncept dokumentit të pasurisë së pajustifikueshme dhe këtë vit po e përfundojmë me projektligjin për byronë shtetërore e cila do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshëm”, ka thënë Kurti.

Në këtë mbledhje ekzekutivi ka vendosur të shfuqizojë vendimin e vitit 2020 i cili i kishte zgjatur mandatin drejtorit të përgjithshëm të shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Sipas Kurtit, vendimi për vazhdimin e mandatit të Fidaim Sahitit ishte i jashtëligjshëm.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për ushqimin, dhe i ka thënë po edhe shpronësimit të disa pronave për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërsa ka miratuar edhe projektligjin për byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë dhe ligjin për qeverinë.

Ekzekutivi ka themeluar edhe taskforcën për mbrojtjen e tregut të Republikës së Kosovës.

Në konferencën përmbyllëse Kurti ka thënë se këtë vit qeveria kishte marrë 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe pesë nisma legjislative.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ironizuar me deklaratat e opozitës për zgjedhje të reja parlamentare që kanë thënë se do të mbahen në pranverë të vitit 2022.

Në konferencën për media pas mbledhjes së fundit të Qeverisë sivjet, Kurti ka pyetur se “mos bëhet fjalë për 1 prillin”, duke aluduar në ditën e gënjeshtrave.

“Kur kanë menduar për zgjedhje në prill, duhet ta pyesni mos e ka pas fjalën për 1 prill. Unë ua uroj Vitin e Ri edhe z.Abdixhiku dhe opozitës në përgjithësi, ju dëshiroj gjitha të mirat në vitin 2022. Unë me të vërtetë jam i zënë dhe nganjëherë më duhet të mungoj në disa aktivitete të tjera, por duket z.Abdixhiku është më i zënë se unë me subjektin e tij politik, dhe prandaj mungon shpesh”, tha Kurti.

 

Ai i kthej përgjigje kryetarit të LDK-së, i cili ditë më parë tha se nëse kryeministri si inxhinier që është nuk e di që rryma kontraktohet atëherë ta kthej diplomën.

“Unë diplomën në Universitetin e Prishtinës  kam në fakultetin e elektroteknikës telekomunikacion dhe kompjuteri, nuk e kam për blerjen e rrymës por nuk besoj që kemi bërë ndonjë gabim apo lëshim deri tash. Duhet ta kuptoni që kam ardhur në qeverisje me fitore të listës tonë sepse ka ekzistuar një dëshpërim i madh nga pushteti që tash është në opozitë”, tha Kurti.

***

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka folur për ato që ai i konsideron të arritura të qeverisë së tij.

Po e përmbyllim vitin me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë. Kemi arritur t’i administrojmë 1.65 milionë doza të vaksinave”, tha Kurti.

Ai ripërmendi frazën e tij se ka pasur rritje ekonomike dyshifrore, pavarësisht krizës me rrymën.

E arritur është rritja ekonomike dyshifrore e cila ka bërë që të kemi bonus prej 800 milionë eurosh. Janë rritur të hyrat buxhetore, janë ulur shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind. Investimet e huaja direkte janë rritur për 53 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë ai.

“I falënderohem doganave që kanë grumbulluar 1.32 miliardë euro, që është për 1/3-tën më shumë se në vitin 2020. I kemi formalizuar 10 mijë vende të reja të punës. ATK ka inkasuar mbi 588 milionë euro”, tha ai

Janë realizuar 509 operacione. 117 plane operative. 893 bastisje. Ky numër rritet nga dita në ditë”, tha tutje Kurti.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për gjendjen pandemike në Kosovë si dhe për faktin se ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po udhëton që dy herë në Amerikë për çështje private.

Kurti e ka arsyetuar ministrin e ri të duke thënë se ai është “online”.

Kurti tha se ministri i ri e ka siguruar atë se i ka ndarë punët në MSH.

Nuk ka person që nuk është online dhe i koordinon punët. Pas një karriere në SHBA, një çik si shpejt është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në pandemi. Nuk mund të them se është për qëllime personale sa për institucionin që ka punuar atje. Ka numër të pafundëm të studentëve që kanë doktoruar e magjistruar te ai. Ai mua më ka siguruar që duke i ndarë punët dhe duke qenë “online” nuk do ta cenojë bashkërendimin në MSH”, tha Kurti.

***

Qeveria miraton Projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kryeministri Kurti tha se krijimi i Byrosë do të jetë në funksion të shtetit të së drejtës, ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se nëse Byroja Shtetëore vlerëson se një zyrtar publik nuk e justifikon pasurinë atëherë i kërkon Gjykatës konfiskimin e saj.

“Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme  është njëri nga zotimet tona kryesore. Ministria e Drejtësisë në kuadër të objektivave të saj është e përkushtuar në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, në këtë aspekt është e hartimi dhe aprovimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga vlerësimi përmes koncept-dokumentit ka rezultuar që është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe Byroja Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme Nëse kjo Byro Shtetërore vlerëson që nëse një zyrtar publik ka pasuri që s’mund ta justifikojë atëherë i kërkon Gjykatës konfiskimin e pasurisë”, ka thënë Haxhiu.

Kryeministri Kurti tha se krijimi i Byrosë është në funksion të shtetit të së drejtës.

“Krijimi i Byrosë ka për qëllim luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, zbatimi i tij në të ardhmen do të jetë në funksion të shtetit të së drejtës nga i cili buron edhe mirëqenia e qytetarëve”, tha Kurti.

Ministrja Haxhiu poashtu tha se Byroja i përgjigje Kuvendit të Kosovës.

“Byroja është organ i pavarur shtetëror dhe për punën e saj i përgjigjet Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës ka emëruar dy sekretarë të përgjithshëm.

Fahrie Tërnava-Sheremeti është zgjedhur sekretarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Blerim Hasani.

Kurti: Mbështetja historike që na dhanë qytetarët, dëshmi e zemërimit që kishin ndaj atyre që qeverisën keq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se viti 2021 do të kujtohet si vit në të cilin shpresa dhe vullneti për ndryshim u bënë të pathyeshëm. Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se mbështetja që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje për të qeverisur me vendin është dëshmi se zhgënjimi i qytetarëve ka qenë i madh me qeveritë e kaluara.

Sipas Kurtit, qytetarët e kanë dëshmuar zemërimin që e kanë me politikanët që sipas tij kanë qeverisur keq për kohë të gjatë.

Kurti: Mbështetja historike që na dhanë qytetarët është dëshmi e zemërimit që ata kishin me ata që qeverisën keq

“Vitin 2021 do ta kujtojmë si vit në të cilin shpresa, besimi dhe vullneti për ndryshim u bënë bashkë dhe të pathyeshëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, sa e madhe është nevoja dhe dëshira për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu. Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë për gjatë gjithë vitit 2022, le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se do t’u qëndrojnë besnik synimeve dhe nuk do të kursejnë asgjë për të përmbushur programin qeverisës.

Në hapjen e mbledhjes së qeverisë, e cila mund të jetë e fundit për këtë vit, Kurti ka përmendur vështirësitë që i ka shkaktuar pandemia në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ai, edhe njëherë, ka ngushëlluar familjet të cilat i kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e pandemisë. 

Qeveria merr vendim për shpronësimin e disa pronave për nevojat e KEK-ut

Qeveria e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me procesin e shpronësimit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se shpronësimet prekin fshatrat Hade, Shipitull, Sibovc e zona të tjera në Obiliq.

“Departamenti i Shpronësimit tani i propozon Qeverisë së Kosovës që të nxjerr vendim preliminar me të cilin miratohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik për pronat e paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit që preken nga realizimi i projektit i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut. Zona kadastrale Hade, Shipitull, Leshkosiq, Siboc në Obiliq”.

Sipas propozimit të Departamentit për Shpronësime, Qeveria e Kosovës me datë 13.10.2021 ka miratuar vendimin për miratimin e kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit që preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut. Zona kadastrale Hade, Shipitull, Leshkosiq, Sibovc në Obiliq”.

Me datën 08.11.2021 ka mbajtur dëgjimin publik dhe pronarët e pronave kanë dorëzuar të gjitha ankesat dhe kërkesat”.

Pjesë e këtij vendimi preliminar sipas kërkesës së KEK-ut nuk janë pjesë e shpronësimeve pronat e pronarëve që kanë nënshkruar kontrata fakturiale që për shitblerjen e pronave dhe pasurisë sipas kornizës së politikave për zhvendosje sipas tabelës së dërguar nga KEK-u me datë 17.12.2021”.

***

Kurti: 2021 do ta kujtojmë si vit në të cilin shpresa, besimi dhe vullneti për ndryshim u bënë bashkë dhe të pathyeshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e fundit për këtë vit të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se edhe ky vit sikurse ai i kaluari u mbizotëruar nga pandemia COVID-19.

“Secili vit i ka sfidat e tij, ky vit sikurse ai i kaluari u mbizotëruar nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizimi që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme, nuk mund të krahasohet me dhimbjet që disa prej nesh kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë nga ky virus. Në emër të Qeverisë edhe njëherë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura nga pasojat e COVID-19”, u shpreh Kurti.

***

Kryeministri shtoi se vitin 2021 do ta kujtojmë si vit në të cilin shpresa, besimi dhe vullneti për ndryshim u bënë bashkë dhe të pathyeshëm.

“Mobilizimi i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, se sa e madhe është nevoja për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu. Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë për vitin 2022, le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë dhe të mos kursejmë asgjë për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveç se zotim i yni është pritshmëri e qytetarëve”, tha Kurti.

Ai në fund falënderoi gjithë ministrat për punën e bërë gjatë këtyre nëntë muajve, e po ashtu edhe stafin civil dhe punëtorët e administratës.

“Falënderoj gjithashtu stafin civil dhe administratën tonë, që iu përgjigjen kërkesave tona për të qenë në krye të detyrë.  Gëzuar Viti i Ri 2022 ju uroj mbarësi dhe shëndet”, tha Kurti. 

***

Projektligji për Qeverinë e Kosovës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës tha se ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën, ku procesi i hartimit ka përfshirë hulumtime e konsultime të gjera.

“Nevoja për nxjerrjen e këtij Projektligji, konsiston me mbulimin e fushës së organizimit dhe funksionimit të Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes, i vendos parimet udhëheqëse të Qeverisë si pushtet ekzekutiv, me parimin e respektimit të ligjit, përgjegjshmërisë, transparencës, barazisë gjinore si dhe nga parimi i efikasitetit”, theksoi Kurti gjatë mbledhjes.

Siç tha Kurti, Projektligji për Qeverinë e Kosovës përcakton përbërjen, mandatin, kompetencat e Qeverisë dhe anëtarëve të saj, si dhe definon kompetencat dhe kufizimet e Qeverisë në dorëheqje.

Ndër të tjera, Kurti tha se në lidhje me këtë projektligj është dhënë edhe mendimi i Komisionit të Venecias.

“Ndër vite kemi pasur Qeveri të ndryshme, por asnjëherë një ligj për të. Kishte Qeveri që sponzorizonin Ligje, por vet nuk e kishin një të tillë. Tash ne Qeverinë, por edhe Ligjin për punën e kompetencën po e kompletojmë”, tha Kurti. 

***

Projektligji për Qeverinë e Kosovës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës tha se ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën, ku procesi i hartimit ka përfshirë hulumtime e konsultime të gjera.

Ndër të tjera, Kurti tha se në lidhje me këtë projektligj është dhënë edhe mendimi i Komisionit të Venecias.

“Ndër vite kemi pasur Qeveri të ndryshme, por asnjëherë një ligj për të. Kishte Qeveri që sponzorizonin Ligje, por vet nuk e kishin një të tillë. Tash ne Qeverinë, por edhe Ligjin për punën e kompetencën po e kompletojmë”, tha Kurti.

***

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

Sipas ZKM’së, mbledhja do të mbahet në orën 10:00, nuk dihet arsyeja e kësaj mbledhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat